Restaurimi i monumentit të kategorisë së parë ka përfunduar në tetor të vitit të kaluar pas një procesi dyvjeçar. Por me një alamet ceremonie, restaurimi i Xhamisë së Et’hem Beut në Tiranë është inauguruar të hënën mbrëma.
Në një skenë gjigande të çuar në këmbë afër Xhamisë në sheshin “Skënderbej”, me ceremoni fetare presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, bashkë me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, të shoqëruar nga ekipet e tyre qeveritare ia kanë prerë shiritin investimit të bërë në restaurimin e Xhamisë ikonike të Tiranës. Presidenti turk – që ka qëndruar në Shqipëri në kuadër të vizitës njëditore – e ka nisur fjalimin e tij me lutje fetare. Përballë turmës që mbante në duar flamuj të Turqisë, afishe me mbishkrime mirëseardhjeje për Erdoganin e fotografi të tij, ka thënë se është duke u promovuar një nga veprat më madhështore në qendër të Tiranës me financim nga Turqia.
“Kjo vepër xhevahire midis Tiranës reflekton vlerat e përbashkëta kulturore të Shqipërisë dhe Turqisë. Lavdi zotit të gjithësisë që sot kjo vepër unike që paraqet një kuptim të hollë të artit të përdorur në të, është ndër strukturat më të dalluara që mban metodat e përdorura nga periudha e Perandorisë Osmane deri në ditët e sotme”, ka thënë ai në ceremoninë e përcjellë me muzikë fetare turke. Derisa ka folur për Xhaminë e restauruar me financim nga TIKA (Agjencia turke për bashkëpunim dhe koordinim), Erdogani ka thënë se falë ndriçimit të instaluar xhamia do të ofrojë pamje të bukur edhe natën.
“Ne si Turqi nëpërmjet TIKA-s duke restauruar monumentet kontribuojmë në zhvillimin e Shqipërisë. Nga 1996 nëpërmjet TIKA-s janë realizuar 546 vepra konkrete. Shpresoj me zemër që tash e tutje do të vijojmë të qëndrojmë pranë vëllezërve tanë shqiptarë”, ka thënë ai. Ka konfirmuar që Turqia do të vazhdojë me investime në objektet e kultit. “Uroj që shumë shpejt, mbase deri në Ramazan, ta kemi zgjidhur edhe problemin e Xhamisë së namazgjahut. Duke e ditur se Shqipëria është aleate, mike e ngushtë e Turqisë në vendet e Ballkanit, nuk ka problem e siklet që nuk do ta zgjidhim”, ka thënë ai. Krejt në fund të fjalës së tij para turmës entuziaste i është lutur Zotit që të mos lërë shqiptarët pa xhami, ujë e gjëra të tjera.
E kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në ceremoninë për xhaminë e ndërtuar më 1823 ka thënë se është nder të inaugurohet restaurimi me presidentin turk. Ceremonia ka nisur me vonesë, e për pritjen që ia kanë bërë ithtarët presidentit turk, Rama ka dhënë një konstatim.
“Pritja juaj këtu për të (Rexhep Taip Erdoganin v.j.), përtej orës së lajmëruar është një dëshmi prekëse e një dashurie vëllazërore, të sinqertë dhe me thënë të drejtën një dashurie shumë të merituar tuajën për të”, ka thënë ai. Ka folur për periudhën komuniste, ku shumë ndërtesa kulti janë rrënuar. Sipas Ramës, xhamitë, kishat, teqetë e të gjitha objektet që nëpër shekuj u ngritën në emër të Zotit nuk iu përkasin vetëm atyre që i frekuentojnë për të kryer rite, por u përkasin kulturës shqiptare e kujtesës historike. Ka folur edhe për bashkëjetesën fetare në Shqipëri.
Nëpërmjet një videoje promovuese, TIKA ka shpërfaqur vlerat e xhamisë. E para se të bëhet prerja e shiritit me muzikë turke, kryetari i Dyjanetit te Turqisë (Kryesisë së çështjeve fetare) Ali Erbash për disa minuta është lutur në arabisht. Pavarësisht se ishin në radhë, kryeministri Rama, ministrja e Kulturës Elva Margariti e kryetari i Tiranës, Erion Veliaj, nuk i kanë mbajtur duart në formën që mbahen gjatë duave të tilla. Pas fjalimeve e lutjeve, prijësi i Turqisë me atë të Shqipërisë të shoqëruar me muzikë turke kanë vizituar ambientet e xhamisë.