Agron Dragaj ka kohë që nuk i është ndarë aparatit fotografik në gjurmim të fatkeqësive njerëzore të shkaktuara nga vetë njeriu apo natyra. Por atij nuk i intereson lufta, por pasojat e saj. E pasojat e trazirave të ndryshme vijnë në afro 50 shkrepje në ekspozitën personale në kuadër të edicionit të sivjetmë të festivalit ndërkombëtar të fotografisë, “Fotoist”. Në imazhin e tij, përherë mbijeton shpresa që i jep frymë jetës
Janë imazhe ku vuajtja e shpresa bashkohen. Është vështirë të dihet se kush kujt ia merr anën, por zakonisht shpresa është për një nuancë më në pah. Brenda kornizave shumica janë histori personale, por përthekojnë ndodhi e tragjedi kolektive të dhjetë vendeve që ilustrohen në ekspozitën “Where Hope Survives” që sipas organizatorëve me një përshtatje në shqip vjen si “Shpresa vdes e fundit”.
Agron Dragaj ka kohë që nuk i është ndarë aparatit fotografik në gjurmim të fatkeqësive njerëzore të shkaktuara nga vetë njeriu apo natyra. Por atij nuk i intereson lufta, por pasojat e saj. E pasojat e trazirave të ndryshme vijnë në afro 50 shkrepje në ekspozitën personale në kuadër të edicionit të sivjetmë të festivalit ndërkombëtar të fotografisë, “Fotoist”. Në hollin e dy amfiteatrove të Bibliotekës Kombëtare, Dragaj ka renditur historitë e individëve nga dhjetë vende të botës. Nis me ato lokale për të shkuar deri në vende si Ukraina, Afganistani e Sri Lanka. Një i mbijetuar i Masakrës së Krushës së Madhe në Kosovë bashkë me një vajzë që lutet pranë varrit të të afërmit të saj, janë shkrepjet që prekin këtë anë. Janë realizuar në vitin 2008 kur Kosova u bë shteti më i ri në botë duke fituar mëvetësinë pak pa e mbyllur një dekadë pas një lufte ku mbetën të vrarë mbi 10 mijë civilë.
Fotografitë e Dragajt prekin emocionet e kujtesës së personazheve të tij. Derisa shikohen portretet e personazheve çehrja e vijat e fytyrës bashkë me sytë rrëfejnë shumë. Dragaj nuk ndalet. Është njëfarë bredhësi në vendet që kanë pasur konflikte. Telashet me vaksinimin e fëmijëve në Afganistan, kryengritjet në Sri Lankë e pushtimi i disa zonave të Ukrainës para më shumë se një dekade, janë midis ilustrimeve ku fëmijë, të rritur e pleq rrëfejnë me shikimet e tyre. Secila foto mban një legjendë sqaruese me të dhënat e subjektit dhe pak nga historia që e karakterizon.

Agron Dragaj numëron 25 vjet që dokumenton histori nga vendet ku kryqëzohen fatkeqësia dhe mbijetesa.
“Objektivi i tij është zhvendosur nga Kosova e pasluftës në Afganistanin e rrënuar nga lufta, nga shkretëtirat e Mauritanisë në vijat e frontit në Ukrainë, nga fshatrat e djegura të Sri Lankës në Filipinet e shkatërruara nga stuhitë, nga rrënojat e tullave të Nepalit në strehët e Tajlandës. Ajo që del në pah nuk është një kronikë e luftës, por një portret i qëndrueshmërisë njerëzore”, shkruhet në konceptin e ekspozitës me të cilën është mbyllur edicioni i tretë i “Fotoist” të martën mbrëma. Sipas organizatorëve imazhet e Dragajt zbulojnë fëmijë të plagosur, por të pathyer, familje të rrënuara, por që mbahen fort, zëra të heshtur, por të kujtuar.
“Ato dëshmojnë kujtesën që i mbijeton dhunës, qëndrueshmërinë që sfidon dëshpërimin dhe një njerëzim të përbashkët që vazhdon pavarësisht gjithçkaje. Puna e tij nuk është një arkiv shkatërrimi, por një dëshmi e qëndrueshmërisë, kujtesës dhe mbijetesës”, shkruhet në koncept. Vlerësohet se puna e tij bashkon fotogazetarinë me dokumentarin afatgjatë, duke kapur si ngjarje të mëdha historike ashtu edhe jetët e përditshme të njerëzve që përballen me ndryshime.
Dragaj qysh në fjalinë e parë tregon se është fotograf që shkon për të fotografuar storjet e njerëzve.
“Lufta ka emocione por ato janë të tjera. Jam fokusuar pasluftës ose pas ngjarjeve për të parë se si njerëzit i kanë përballuar ato, qoftë luftën apo fatkeqësitë natyrore. Kam parë se pikërisht aty është esenca e qëndrueshmërisë së njerëzve, se si ata nuk e humbin shpresën kurrë”, ka thënë ai. Qëllimi i tij është që këtë shpresë t’ua tregojë edhe njerëzve të tjerë si mënyrë që t’ua bëjë me dije se ka raste shumë më të rënda që shpresojnë për më mirë.
“Personalisht këto përvoja janë vështirë të përballueshme. Më lehtë e përballon luftën pasi e di që është luftë me plumba e bomba. Kjo është kur njeriu ta tregon storjen e tij dhe këtë duhet dëshmuar me fotografi”, ka thënë ai. Ka punuar me veten që të ketë disa filterë kur dëgjon rrëfime, por shtresëzimet e tyre e ngacmojnë kohë pas kohe.

“Më pas njeriu ka edhe asi stresi traumatik. Por dëshira është që me këto stroje t’i japim shpresë dikujt që kërkon shpresë. Kjo punë ka sakrifica të mëdha. Lihet prapa familja për javë e muaj pa e parë. Sakrifica financiare është po ashtu e madhe. Tash industria ka problem pasi fotografia nuk paguhet”, ka thënë ai.
Sivjet “Fotoist” nëpërmjet 12 ekspozitave e 36 ngjarjeve në përgjithësi për gati një javë ka bashkuar imazhe e rrëfime të ndryshme. Sipas udhëheqësit të Festivalit, Burim Myftiu, Agron Dragaj është një fotograf që sistematikisht punon dhe futet thellë në një fotografi.
“Në shqip mund të themi se ekspozita është ‘Shpresa vdes e fundit’. Agroni vizitoi shumë vende ku njerëzit ktheheshin nga lufta, nga uria e kampet e përqendrimit dhe ata kthenin një shpresë në sytë e tyre për një të ardhme më të mirë. Sikurse edhe ne kur u kthyem pas luftës së fundit në Kosovë”, ka thënë Myftiu. Ka treguar se shpresa e qëndresa janë tema e motiv i këtij edicioni.
Sipas tij, Festivali erdhi si nismë për fotografi pasi qenë fotografitë ato që i treguan botës se çfarë po ndodhte në Kosovë.
“Fotografia ka fuqinë vizuale. Ata që erdhën dhe ndihmuan lëvizjen tonë çlirimtare e më pas edhe pasluftës erdhën të rimëkëmbin vendin, janë kontributdhënës shumë të mëdhenj. Qëndresa është tema e sivjetme pasi duke i parë të gjitha konfliktet në botë, njerëzimi nuk e meriton këtë”, ka thënë Myftiu. Sipas tij nëpërmjet fotografisë dërgohen mesazhe për një sjellje tjetër njerëzore e për harmoni. Mbyllja e këtij edicioni me fotografitë e Dragajt, i shkon shumë për shtat edhe qëllimit të Festivalit: thirrjes për ditë më të mira e shpresëplota.