Edicioni i 11-të i emisionit “Pro X” e rikthen në ekran aktoren Vlora Merovci në një intervistë të rrallë ku aktorja rrëfen momentet më të rëndësishme të jetës së saj. Ajo e kujton veten si një fëmijë tejet aktiv që ndër të tjera kishte pasur një dëshirë të madhe edhe për baletin.
Rrëfimi i saj nis nga fëmijëria në Berlin e deri te vendimi për t’u bërë aktore. Pavarësisht se profesorët e sugjeronin që të orientohej te shkencat natyrore, Merovcin pasioni e drejtonte kah aktrimi. Për këtë i falënderohet mbështetjes së madhe të familjes.
“Unë nuk kisha nevojë edhe aq t’u arsyetohem, sepse janë disa gjëra që kanë zemër, por nuk kanë arsye. Për mua ishte e rëndësishme vetëm prindërit të më përkrahin”, ka thënë ajo në emisionin “Pro X” të KTV-së.
Merovci u kthehet kujtimeve që nga përjetimi i skenës për herë të parë, e deri te xhirimet në filmin, i cili i ka mbetur përjetësisht në mendje.
Vlora Merovci u bë e dashur për publikun nëpërmjet rolit të saj në serinë televizive “Familja moderne”, ku luajti rolin e Almës për dhjetë vjet. Ajo në “Pro X” ka treguar për emocionet dhe dilemat e episodit të parë e deri te kujtimet më të veçanta në rrugëtimin prej një dekade.
“Ai dhjetëvjeçari prej 2000 deri më 2011 është koha më e veçantë në familjen time. Ne, pos që kemi krijuar marrëdhënie pune, kemi krijuar edhe marrëdhënie miqësore shumë të mira. Kemi funksionuar kolektivisht. Mua, duke kaluar vitet, më kap nostalgjia për ato vite. Për mua është edhe më e veçantë, sepse paralelisht me këtë familje, kam bërë edhe familjen time”, ka treguar aktorja e njohur.
Për martesën e saj me këngëtarin Bujar Berisha dhe mrekullinë që i kanë sjellë fëmijët në jetë e për vendimin për t’u shkëputur një kohë nga aktrimi.... mos e humbisni rrëfimin e Vlora Merovcit këtë të diel në “Pro X”, duke filluar prej orës 17:40.