Prishtinë, 18 janar – “Viti Mbarëkombëtar i Skënderbeut” – që gjatë gjithë vitit të kaluar në 550-vjetorin e vdekjes së Heroit Kombëtar në Kosovë, Shqipëri e në hapësirat e tjera shqiptare është shënuar me seri aktivitetesh – në Prishtinë është përmbyllur, të enjten, në ditën e 17-të të janarit. Por në ceremoninë e organizuar në “Sheshin 21” është shënuar edhe 37-vjetori i vrasjes së Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës. Janë kujtuar edhe personalitete të tjera si veprimtari e shkrimtari Adem Demaçi.
Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se këta heronj dhanë jetën për të mbrojtur tokat shqiptare, “e këto toka nuk mund të merren nga të tjerët”. Sipas tij, është koha për të bërë paqe.
Ka thënë se Qeveria dhe krejt populli e kanë zor t’u dalin hakut heronjve, por u shpreh i lumtur se mbyllja e kësaj epoke po bëhet me rikthimin e forcave ushtarake duke i përkujtuar vëllezërit Gërvalla “që nuk vdiqën nga armët, por me armë në dorë”.
Në fjalimin e tij disa herë ka theksuar se populli shqiptar ka nderin dhe krenarinë që gjatë historisë nuk i shkaktoi tragjedi askujt/Fjolla Harizaj.
(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")