Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Virusi larg vëmendjes së koncerteve ilegale të Evropës

Klubet në Evropë janë mbyllur. Mirëpo, kjo nuk nënkupton që njerëzit e ndejave janë duke qëndruar në shtëpi.

Me të larguar karantina, organizimi i festave është duke marrë hov. Ndeja në ambiente të hapura me qindra njerëz – në disa raste, mijëra – janë organizuar përmes rrjeteve sociale, janë duke u mbajtur për çdo javë, duke iu shkaktuar kokëdhembje forcave të policisë, ligjvënësve dhe duke nxitur debat publik dhe panik në media, transmeton KOHA.

Disa vende janë përpjekur që t’i rihapin klubet e natës. Në Zvicër, në shumicën e regjioneve hapësirat për të festuar janë hapur në qershor, mirëpo kontrollimi i letërnjoftimit dhe marrja e të dhënave u bë obliguese. Klubet në Barcelonë të Spanjës u rihapën në fund të qershorit, por u mbyllën përsëri disa javë më vonë pasi që numri i rasteve të infektuara u rrit.

Në shumë shtete, ideja e vallëzimit është e tepërt për ta marrë në konsideratë. Shumë operatorë të klubeve të natës kanë frikë se ata do të jenë biznesi i fundit të cilit do t’i lejohet hapja. Deri atëherë, me qindra njerëz janë duke festuar nëpër ndeja sekrete, përkundër rrezikut dhe reagimeve të ashpra.

Ishte mbrëmja e së shtunës dhe një ndejë po ndodhte në periferi të Berlinit. Gjersa D.J. po luante, një turmë më me shumë se 200 njerëz po rritej vazhdimisht. Përkundër shenjave për të mbajtur së paku 1.5 metra distancë, pista e vallëzimit ishte e stërmbushur dhe askush nuk mbante maskë.

Me pandeminë që ka bërë që klubet e Berlinit të mbyllen përgjatë verës, ndejat ilegale sikur kjo janë duke e mbushur zbrazëtinë. Shumica janë falas dhe mbahen në lokacione më të izoluara për t’i ikur policisë, shumica organizohen përmes “Telegra” një aplikacion me mesazhe të koduara. Për të arritur në festë, pjesëmarrësit është dashur që të ndjekin një hartë dhe të ecin për 15 minuta përmes një hapësire të zbraztë industriale nga ndalesa më e afërt e trenit. Rregullat në Berlin lejojnë grumbullimin e një mijë vetave në park, mirëpo duke mbajtur distancën sociale dhe nuk shitet alkool.

Duke qëndruar në mes të tendës me birra dhe pistës së vallëzimit, Paul Evina, 32-vjeç, një karikaturist amerikan, i cili jeton në Berlin, thotë se “festat janë pjesë e madhe e identitetit të qytetit, dhe nuk mund të prisni që njerëzit të pauzojnë dy vjet”. Ai shtoi si nuk ishte shqetësuar për virusin. “E ndjej që edhe nëse më kap nuk do të ketë ndikim tek unë”.

Në situata normale, hapësira afër lumit “Étang de la Haute Maison”, në lindje të Parisit, do të ishte e mbushur me peshkatarë. Mirëpo, mbrëmjen e së shtunës, një turmë më ndryshe ishte mbledhur në pyllin afër ujit: rreth 400 të rinj që argëtohen me muzikë techno që buçet nga altoparlantët derisa dritat bien mbi pistën e vallëzimit. Popullariteti i “festave falas”, siç quhen këto festa ilegale, janë duke vluar në muajt e fundit.

Artikuj të ngjashëm