Evropa është duke u përgatitur për një valë të dytë të koronavirusit, derisa përhapja e vazhdueshme nëpër shtete është duke e rikthyer mundësinë e mbylljeve, në kohën kur miliona njerëz po udhëtojnë nëpër kontinent për pushimet e tyre të verës.
Katalonjës mund t’i duhet t’i rikthejë masat, po qe se numri i të infektuarve nuk vihet nën kontroll brenda dhjetë ditësh, derisa Franca u ka bërë thirrje të rinjve që të jenë më të kujdesshëm, pas rritjes dramatike të rasteve të COVID-19 tek të rinjtë, shkruan “The Guardian”, transmeton KOHA.
Gjatë javës së kaluar, autoritetet spanjolle të shëndetësisë e kanë pranuar se shteti mund të jetë duke e përjetuar tashmë valën e dytë të infektimeve, pas heqjes së masave strikte kufizuese në fund të qershorit.
Të hënën, presidenti rajonal i Katalonjës – një prej zonave më të goditura nga ripërhapja e virusit – ka thënë se gjendja ishte e ngjashme me atë në mars, para se të viheshin masa.
Gjermania ndërkaq ka rreth 6.100 raste aktive të virusit. Agjencia gjermane për Kontrollin e Epidemive, Instituti Robert Koch (RKI) e ka ripërsëritur shqetësimin e saj për rritjen e numrit të rasteve.
Edhe
Vala e të nxehtit në Evropë po zhvendoset nga lindja
Gjatë fundjavës, 500 njerëz janë vënë në karantinë në Mamming të Bavarisë, pasi që 170 punonjës në një plantacion perimesh dolën pozitivë në testin për COVID-19.
Në Austrinë fqinje, në Wolfgangsee, një liqen i popullarizuar tek turistët gjermanë, autoritetet po përballeshin me 53 raste të reja, që mendohet të jenë infektuar nga punonjësit e hotelit.