Kulturë

Virtuozja Shuhatovich mbyll “Chopin Piano Festin” e rilidhjes me muzikën

Koncerte artistësh të njohur e talentesh të reja kanë qenë mozaiku i edicionit të 11-të të “Chopin Piano Festit”, e mbrëmja e fundit e vulosi. Zoya Shuhatovich qe përzgjedhja e duhur për finale, e cila me “Tinguj romantikë”, siç u pagëzua koncerti, ishte “imazh i jashtëzakonshëm artistik”. Pianisten që ka luajtur edhe për presidentin Bill Clinton e çmoi edhe kryeministri Albin Kurti

Dhjetë mbrëmje koncertale me solistë të njohur ndërkombëtarë, katër me mbi 50 studentë dhe një ditë të tërë me më shumë se 60 nxënës nga të gjitha shkollat e muzikës së Kosovës, “Chopin Piano Fest” e ka përmbyllur edicionin e 11-të. Kësaj radhe nuk ishte bashkëpunimi me Filharmoninë e Kosovës, siç ishte bërë traditë tash e disa vjet, por qe pianistja e njohur ruse, Zoya Shuhatovich, ajo që luajti notat e fundit. Solli koncertin “Tinguj romantikë” në përmbyllje të edicionit që u rikthye furishëm pas një viti pauze për shkak të pandemisë, si ringjallje e ndjenjës së përkatësisë e lidhjes me botën muzikore evropiane e botërore.

Gabrile Carcano, që gdhend tingujt e pianos prej Beethovenit te bashkëkohorja, studentët që sollën larmi stilesh e dëshmuan potencialin artistik, pianisti Dino Imeri që me kryevepra gjen harmoninë e lirinë në muzikë, e eksperimenti i Jerome Granjon, me ndërlidhje të zërit me piano si shndritje nëpër kohë e homazh për të rënët për çlirimin e vendit dhe viktimat e koronavirusit, qenë njëri kapitull i “Chopin”. Vazhdoi me Gergely Kovacs që festoi trashëgiminë e Cziffras, te pianisti Stephan Möller dhe tri sonatat bethoveniane që erdhën në Prishtinë si shpresë për të ardhmen. Tutu Aydinogly, që shënoi rikthimin e “Chopin Piano Festit” me fuqinë e muzikës, e nisi këtë rrugëtim më 30 maj.

Edhe përmbyllja qe një “ilustrim” i edicionit të sivjetmë e paralajmërim për atë në mot.

“Jam shumë e lumtur”, kanë qenë fjalët e para të pianistes Zoya Shuhatovich me të përfunduar interpretimin e vet të mërkurën mbrëma në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare të Kosovës. Lumturia i vërehej edhe në fytyrë. Pasi dha një buzëqeshje të lehtë, nisi t’i numërojë edhe arsyet.

“Kjo është gjëra më e rëndësishme pas më shumë se një viti në qetësi të plotë, kur nuk kam luajtur asgjë. Ishte sikur kur hapet një dritare dhe drita hyn brenda në jetën time, sikur kam rimarrë fuqinë për jetën time”, ka thënë ajo. Ka treguar se edhe dy herë të tjera kishte qenë në bisedime me festivalin për të ardhur në Kosovë, por u konkretizua tek tash.

“E tash për herë të tretë jam e lumtur që kjo u bë e mundshme”, ka thënë ajo pas koncertit të pagëzuar “Tinguj romantikë”.

Shuhatovich e nisi koncertin me “Fantasia C minor K475” të kompozitorit Mozart, luajti edhe “The Season” të bashkëvendësit të tij, Tchaikovsky, dhe “Dumka op. 59”, një ndër veprat e preferuara të Shuhatovichit, që ka gradën doktor i Arteve Muzikore. Ajo vjen nga Konservatori Shtetëror “Gorky” i Rusisë dhe për mentor ka pasur Ilia Fridmanin, dikur nxënës i mësuesit legjendar të pianos, Heinrich Neuhaus.

Mbrëmjen e përmbylli me “Nocture op 62#2 E major” dhe më pas me “Sonatën #3 B Minor op 58” të Chopinit, të cilit i dedikohet festivalit.

Shuhatovich prej vitit 1993 ka emigruar në Shtet e Bashkuara të Amerikës, ku ende jeton e vepron. Në biografinë e saj ka edhe koncertimin për presidentin Bill Clinton më 2002, e në korrik të vitit 2005 kishte mbajtur recital privat për anëtarët e familjes mbretërore spanjolle. Qysh prej vitit 2007 është në radhët e artistëve të “Steinway”.

Kryeministri Albin Kurti, i cili ishte i pranishëm në koncert, në nisje të tij ka thënë se do të donte që ardhja e artistëve të kalibrit të tillë si Shuhatovich të jetë një ngjarje e rregullt.

“Autorët e mëdhenj në virtuozitetin e teknikës suaj janë mënyra më e mirë për të shpëtuar nga kurthi i harresës dhe së përditshmes. Ne kemi nevojë të pashtershme për shembuj të perfeksionit dhe finesës. Notat e muzikës klasike prekin shpirtrat tanë”, ka thënë ai, gjersa ka falënderuar Shuhatovichin për sjelljen e melodive të Tchaikovskyit, e po ashtu fantazinë e Mozartit dhe veprat e Chopinit.

Pianistja Lejla Pula, njëherësh drejtoreshë artistike e “Chopin Piano Festit”, ka thënë se Shuhatovich është vërtet një artiste e jashtëzakonshme, me një bagazh shumë të madh artistik.

“Pianistja e sotme na ka sjellë një imazh të jashtëzakonshëm artistik, me një tingull delikat, jashtëzakonisht subtil, me një teknikë të rafinuar të nivelit shumë të lartë dhe të një ekspresiviteti, por posaçërisht të një natyraliteti të frazimit dhe të shtjellimit të frazave muzikore. Kjo është diçka që nuk mësohet brenda natës, është diçka për të cilën duhet shumë përvojë e madhe, edhe skenike, por edhe e shkollimit profesional”, ka thënë ajo.

Pas përfundimit të kësaj nate, ka thënë se është e lumtur që i gjithë edicioni përfundoi me sukses.

“Për ne ishte jashtëzakonisht me rëndësi që gjithë muzikëdashësit të ndeshen me vlera kulmore artistike. Ky është një mision i yni i cili unë mendoj se është shumë i rëndësishëm, pra shpalosja e këtyre vlerave nga të gjitha anët e botës, këtu, në skenën e Prishtinës, në skenën e ‘Chopin Piano Festit’”, ka thënë ajo. Ka shtuar se e konsiderojnë me rëndësi që publiku i tyre të ndihet që është pjesë e botës kulturo-muzikore evropiane dhe botërore.

Ka shtuar se në mungesë të një salle koncertale e kushteve adekuate, është entuziazmi dhe mirënjohja nga publiku që i shtynë të ecin përpara.

Në mbrëmjen e fundit të këtij edicioni u bë e ditur edhe fituesja e çmimit të “Chopin Piano Festit”. Vetë pianistja Zoya Shuhatovich ishte pjesë e jurisë vlerësuese, bashkë me pianisten kosovare Ardita Statovci. Fituese u zgjodh Lisa Sahatqiu, e cila ishte në garë me Elsa Gashin dhe Melisa Ibrahimin.

Image
Në mbrëmjen e fundit është shpallur edhe laureati i “Çmimit Special” të “Chopin Piano Festit”. Shansin për koncert në vendet gjermanofolëse sivjet e ka Lisa Sahatqiu (në mes). Çmimin ia kanë dorëzuar Lejla Pula, drejtoreshë artistike e “Chopin Piano Festit” dhe Besa Luzha, drejtuese organizative

Në vlerësimin e tyre, Shuhatovich dhe Statovci kanë thënë se ishin të lumtura t’i dëgjonin talentet të cilat përmes interpretimit ua kanë shfaqur botën e tyre shpirtërore të përbërë nga ngjyrat më të bukura.

“Vuajtjet dhe plagët tona si popull nuk shlyhen dot, por muzika na ndihmon ta shërojmë dhe ta lartësojmë shpirtin, si dhe t’ia rrëfejmë botës historinë tonë në gjuhën universale – atë të tingujve. Pikërisht këtu është e rëndësisë jetike për vendin tonë përkrahja e gjeneratave të reja në edukimin muzikor”, është shkruar aty.

Lisa Sahatqiu, 17-vjeçarja nga shkolla “Prenk Jakova”, ka thënë se fitimit të “Çmimit Special” i është gëzuar shumë, duke marrë parasysh peshën që ka.

“Fakti se mund të koncertoj në Gjermani, të ndaj eksperienca të bukura dhe njëkohësisht të takoj e të mësoj shumë gjëra nga njerëzit, aty do të jetë një hap shumë i rëndësishëm edhe në karrierën time në vazhdim”, ka thënë ajo gjersa e ka falënderuar festivalin që ua jep mundësinë të rinjve që të përjetojnë eksperienca të tilla të bukura, që do t’u mbesin pianistëve gjithmonë në kujtesë.