Kurt Rosenwinkel e ka hapur koncertin me tingujt si ansambël melodik e harmonik me ritme të bukura që më pas përforcohen nga kontrabasi dhe kitara mbështetëse. Prezantimi solo i tij është i shkëlqyeshëm dhe si paralajmërim për hapjen e kapitullit të tij muzikor në Prishtinë. Toni i pastër e frazat e këndshme të tij bashkë me Doug Weiss në kontrabas e Joost van Schaik në bateri, kanë sjellë shije të bukur muzikore për publikun në Prishtinë për të parën herë
Virtuozi i jazzit, Kurt Rosenwinkel, e ka ndërtuar rrëfimin muzikor të radhës në Festivalin e Jazzit në Prishtinë. Toni i pastër e frazat e këndshme të tij bashkë me Doug Weiss në kontrabas e Joost van Schaik në bateri, kanë sjellë shije të bukur muzikore për publikun në Prishtinë për të parën herë.
Tingujt e këndshëm vijnë nga prekjet e sigurta melodike. Vëmendja e krejt publikut është kapur për tingujt që nisin me një lojë solo të jazz-kitaristit e kompozitorit amerikan, Rosenwinkel. Salla e shfaqjeve të teatrit “Oda” ka qenë tërësisht e mbushur.
Rosenwinkel e ka hapur koncertin me tingujt si ansambël melodik e harmonik me ritme të bukura që më pas përforcohen nga kontrabasi dhe kitara mbështetëse. Prezantimi solo i tij është i shkëlqyeshëm dhe si paralajmërim për hapjen e kapitullit të tij muzikor në Prishtinë.
“Sa kënaqësi të jem këtu”, ka thënë Rosenwinkel para se të prezantojë bendin.
Performanca e trios e çon dëgjuesin në jazzin e viteve ’90. Pikërisht me veprat origjinale dhe jo vetëm.
Ata kanë luajtur veprat “Synthetics”, “B Blues” dhe “Aurora” dhe të Kurt Rosenwinkel, të gjitha të shkruara gjatë viteve ’90. Në repertor ka qenë edhe “A shifting star” nga albumi “Star of Jupiter” i vitit 2012.
“Po luajmë muzikë standarde, jazz modern, vepra nga repertori amerikan sikurse edhe disa vepra origjinale”, ka thënë jazz-kitaristi amerikan, producenti, pianisti e pedagogu i muzikës, Kurt Rosenvinkel shkurt në një shkëputje të shkurtër nga loja e tyre.
Është instrumentist i vlerësuar dhe me ndikim i jazzit. Vlerësohet si një prej muzikantëve më të rëndësishëm të brezit të tij. Ai ka kaluar dekada duke zhvilluar tinguj të veçantë që kanë mahnitur audiencën në mbarë botën.
Me një karrierë mbi 30 vjet, Kurt Rosenwinkel ka publikuar një sërë albumesh novator, ka bashkëpunuar me shumë legjenda në zhanre të ndryshme dhe vazhdon të frymëzojë gjeneratën e ardhshme të muzikantëve. Vlerësohet se qasja e tij novatore ndaj kompozimit dhe improvizimit e ka bërë atë një emër të njohur në mesin e entuziastëve të muzikës.
Protagonistët, herë njëri e herë tjetri, improvizojnë me shkathtësi temat kryesore të veprave, para se pjesa tjetër e grupit të sjellë lëvizjet shtesë që bashkohen në partitura. Ato janë prej veprave të spikatura të jazzit.
Trio ka luajtur edhe “Passarim” të brazilianit Antonio Carlos Jobim, “Self-Portrait In Three Colours” të amerikanit Charles Mingus dhe “Time remembered” të Bill Evans, po ashtu amerikan.
Me raste loja jazz vishet edhe me ngjyra të rock-ut. Kontrabasi i Doug Weiss që jeton e vepron në New York e rëndon tingullin ndërsa bateritë e holandezit Joost van Schaik ndërhyjnë si një lloj kundërpërgjigje. Këto të fundit janë paraprijëse të një loje që secilën herë kulmon. Por megjithatë, në qendër është loja improvizuese e kitarës së Rosenwinkel.
Visar Kuçi që zotëron instrumente të ndryshme si violina, kontrabasi, kitara e bas-kitara, ka thënë se me dy të fundit luan ende pikërisht për shkak të ndikimit të Kurt Rosenwinkel.
“Kurt Rosenwinkel, për mua personalisht është një prej heronjve të mi, ndoshta për shkak të tij unë ende luaj në kitarë. E kam përcjellë, e kam dëgjuar shumë, i kam krejt albumet, krejt CD-të e tij, jam fans i jashtëzakonshëm i Kurt Rosenwinkel dhe është fat shumë i madh që ai ka ardhur në Prishtinë. Është hera e parë që në e shoh ‘live’, edhe atë në Prishtinë. Kjo është një dhuratë për mua që Jazz Festi e ka bërë këtë koncert. Koncerti ishte fantastik”, ka thënë Kuçi, koncert-mjeshtër i Filharmonisë së Kosovës.
Ka thënë se Rosenwinkel ka vendosur standard të ri të lojës në kitarë.
“Kurt Rosenwinkel është një prej njerëzve që e ka vendosur një standard të ri të lojës në kitarë, të cilin e përcjellin dhe mundohen ta imitojnë shumë kitaristë botërorë. Ka qenë fat që e kemi pasur sonte këtu dhe që ka luajtur disa komponime origjinale. Unë kisha dashur ta dëgjoj më shumë muzikën e tij origjinale, ai më shumë ka luajtur standarde, por mënyra dhe loja e tij janë të jashtëzakonshme. Jam pa fjalë, jam pak i shokuar prej këtij koncerti”, është shprehur Kuçi.
Astrit Stafai që po ashtu zotëron shumë instrumente, e në këtë vijë edhe kitarën, ka thënë se Rosenwinkel ka sjellë magjinë e New Yorkut në Prishtinë.
“U kënaqa me magjinë e kitaristit Kurt Rosenwinkel, i cili me të vërtetë na solli një copë të New York-ut midis Prishtinës. Mendoj se komentet janë të tepërta, shpresoj që edhe në të ardhmen të na sjellë festivali artistë të kalibrit të tillë në mënyrë që të shijojmë muzikë të bukur, por edhe të edukohemi si publik në përgjithësi. Shpresoj të bëhet traditë të kemi publik edhe në numër më të madh ku mundemi të kënaqemi me muzikë të bukur e me art mbarë botëror”, ka thënë ai.
Disa prej veprave dallohen si më moderne kur tinguj që sjellin bateritë janë më të sofistikuar duke sjellë lojë solo sikurse edhe kontrabasi që improvizon duke u përcjellë me lojë të baterive me ton të ulët. Përherë në qendër është loja improvizuese e kitarës.
“Sa kënaqësi t’ju shoh dhe të luaj për ju, faleminderit shumë”, ka thënë Rosenwinkel në fund të koncertit derisa është përcjellë me shumë duartrokitje nga publiku.
Në performancën e “Kurt Rosenwinkel Trio” sikurse edhe në atë të dyshes Armend Xhaferi e Taulant Mehmeti, me të cilët ka nisur koncerti, kur toni i lojës ka pushuar paksa, aty ka qenë hapësira ideale që publiku ka shfrytëzojë rastin për ta vlerësuar performancën me duartrokitje.
Dyshja Xhaferi e Mehmeti kanë luajtur dy vepra para performancës së treshes nga New Yorku. Janë harmonizuar që herë njëri e herë tjetri të marrin primatin e lojës. Tema e njërit përcillet tek tjetri e bashkë i mban të lidhura jehona e tingullit. Ata shpesh janë të vendosur larg njëri-tjetrit e ajo është hapësira ku tjetri instrumentist ndërhyn. Sillet një temë tradicionale shqiptare në disa fragmente dhe e njëjta përsëritet disa herë.
Astrit Stafai e ka vlerësuar të mrekullueshme këtë hapje të koncertit me dyshen Xhaferi e Mehmeti.
“Sigurisht se pjesa e parë ishte një hapje superiore dhe magjike që na dhuruan Armendi dhe Taulanti, dy miqtë e mi. Përndryshe e falënderojmë shumë Armend Xhaferin, drejtor të festivalit, i cili i ka sjellë këto ditë një freski qytetit, i ka dhënë një qytetërim dhe ka sjellë njerëz të cilët edhe po të ishim në New York, siç edhe pamë sonte, do të duhej të kishim fatin për të gjetur bileta të lira për ta dëgjuar formacionin e tillë dhe artistë të nivelit të tillë siç pamë sonte”, ka thënë ai.