Megjithëse për nga kapaciteti i shikuesve stadiumi i futbollit “Fadil Vokrri” në Prishtinë nuk e kalon numrin e 13.500 ulëseve, atmosfera që u krijua në ndeshjet që zhvilloi Kosova në Ligën e Kombeve ishte e veçantë dhe nuk kishte një të dytë as në stadiumet me kapacitete të mëdha të shikuesve në vendet e Evropës Perëndimore, shkruan sot Koha Ditore.
Një atmosferë dhe ngazëllim i ngjashëm që u krijua në ambientin sportiv dhe jashtë tij janë gjithnjë më të rralla nëpër stadiumet e futbollit në kontinentin evropian, posaçërisht kur është fjala për ndeshjet në nivel të kombëtareve, ngase në nivel të klubeve situata paraqitet ndryshe.
Për të shqyrtuar dhe kuptuar më mirë atmosferën dhe entuziazmin e krijuar në rastin e lojërave të Kosovës, por edhe për të mos e keqkuptuar atë, duhet të kalojmë në një rrafsh tjetër të analizës, tek atmosfera dhe sjellja e tifozerive te kombëtaret e tjera që po garojnë në këtë kompeticion. Një shembull që do ta sqaronte më mirë këtë problematikë dhe do të na ndihmonte për të bërë dallimin me rastin e Kosovës, do të ishin ndeshjet e fundit të kombëtares gjermane në të cilat stadiumet nuk ishin të mbushura, dhe atmosfera ishte kryesisht e qetë. /Albert Mecini
(Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)