Kutitë shumëngjyrëshe janë inspirimi i pikturave të tyre, në ekspozitën e titulluar “Nuk ka asgjë, më shumë se kjo”.
Piktori Lorik Sylejmani, së bashku me mbesën e tij Borën, kanë pasqyruar në nëntë veprat e tyre katrorë të cilët mund të definohen si dyer dhe dritare në të cilat ka jetë.
Në datëlindjen e tij të dyzet e tetë, Sylejmani, i cili ka shfaqur këtë ekspozitë në Shtëpinë e Evropës në Prishtinë, ka thënë se punimet janë të realizuara nga një teknikë e re e tij, të cilën beson se do ta përdorë përgjatë vëllimeve artistike, raporton “Express” i KTV-së.
Duke u larguar nga vizatimi i peizazheve, natyrës së qetë dhe kukullave, filloristja nëntë-vjeçare, Bora Sylejmani, në këtë ekspozitë, ka rrëfyer për punimet e vizatuara me anë të ngjyrave të stilolapsit.
Pas ekspozitës së mbajtur me mbesën e tij, piktori Lorik Sylejmani, bëri të ditur se ekspozitën e radhës, do ta mbajë me kompozitorin Liburn Jupolli.