“Linja e artit” ka qenë më shumë se art. Veprat e Qëndresa Kllokoqit përtej estetikës e vlerave reflektojnë përkushtimin, pasionin e dashurinë. Mbi të gjitha, trajtimin me kujdes. Penj me ngjyra përshkojnë me saktësi absolute gozhdët e vendosura në të njëjtën distancë rreth kornizës. Me ekspozitën personale të Kllokoqit është hapur edicioni i pestë i kolonisë artistike “Prishtina Art”.
Artistes i ka mjaftuar pasioni për ta përvetësuar mjeshtërinë për t’iu dhënë formë edhe figurave më sfiduese. Teknika që kryesisht njihet për elemente dekori në vepra të tilla, Qëndresa Kllokoqin e ka ekspozuar shumë të thellë në punimet e saj tejet realiste.
Sipas saj, për të punuar me këtë teknikë duhet një sy më i mprehtë ku domosdo duhet të dallohen ngjyrat, format e dritëhijet.
“’String arti’ më shumë anon nga ana estetike, por ka mundësi të eksplorojë edhe teknika të ndryshme. Unë kam eksperimentuar me të gjitha teknikat e ‘string artit’, duke filluar prej atyre më shumë tematike e deri tek ato më artistike që janë më të preferuarat e mia. Pra, kam zgjedhur një larmi”.
Figurat më abstrakte ia ka kushtuar anës së dekorit.
Piktori Hajrush Fazliu e ka vlerësuar ekspozitën si ndërlidhje të artit me format e stilet e ndryshme që gërsheton Kllokoqi.
“Ky edicion për dallim nga të tjerët fillon me një ekspozitë personale të një artisteje që vjen jo nga shkolla e artit, por më tepër nga pasioni, dëshira e dhuntia e saj mbi artin që ajo edhe e krijon. Qëndresa artin e vet e mbështet mbi intelektin e saj me kreativitetin, me pasionin, emocionet e saj, por mbi të gjitha me një teknikë të veçantë që ne profesionistët e quajmë kolazh, me elemente të ndryshme që gërshetohen përmes penjve, gozhdëve, drurit, panelit, hapësirës e shumë e shumë të tjera, për ta varur identitetin e saj artistik dhe krijues”.
Ekspozita ka qëndruar e hapur vetëm për pak orë. Të hënën ka qenë shfaqja e parë dhe e fundit e veprave. Me të është hapur programi pesëditor i edicionit të pestë të kolonisë artistike “Prishtina Art”.
Drejtoresha artistike e ngjarjes, turkja Meryem Cavga, ka thënë se kolonia artistike është vendi ku dallimet mes individëve hiqen.
“Është koloni shumë e mirë. Jemi 70 artistë nga vende të ndryshme. Ndoshta jetojmë në vende të ndryshme, por ndajmë të njëjtin shpirt. Mund të mos flasim të njëjtën gjuhë, por kuptohemi mirë. Sepse jemi artistë. Ne ndajmë gjërat e njëjta. Më e rëndësishmja është akomodimi këtu. Kjo është hera e dytë për mua që jam këtu. Por, do të kthehem prapë me siguri, sepse ndihem si në shtëpinë time”.
Drejtori i organizatës me të njëjtin emër, që e organizon koloninë artistike, Blerim Gërguri, e ka vlerësuar “Prishtina Art” si prej ngjarjeve më të mëdha në vend dhe jo vetëm.
“E them hiç pa modesti se organizimi i ‘Prishtina Art’ është prej organizimeve më të mëdha në vend, ndodh edhe në rajon, ku përfshin numër shumë të madh të artistëve ndërkombëtarë, me renome, profesorë të ndryshëm, gjithashtu edhe ata vendorë. Kjo e bën madhështore jo vetëm për nga numri i pjesëmarrësve, por edhe për nga cilësia e punimeve”.
Për pesë ditë, rreth 70 artistë të të gjitha moshave nga mbi 15 vende të botës do të punojnë së bashku në njërën prej hapësirave të hotelit “Grand” në kryeqytet. Aty veçse ka marrë formë atelieja. Ngjyrat kanë nisur të shtresohen e të formësohen produktet finale. Ato do të ekspozohen në ditën e fundit të ngjarjes, më 30 dhjetor. Me ekspozitën kolektive të krejt artistëve mbyllet “Prishtina Art”.
Për pesë ditë, në kuadër të programit të edicionit të pestë të kolonisë artistike, do të zhvillohen punëtori, biseda, aktivitete argëtuese e mbrëmje me muzikë, ndërkohë që pos ekspozitave do të ketë edhe vizita në institucionet e artit në kryeqytet e shfaqje teatrore.