Publiku në Kosovë është njohur me veprën e Kadaresë edhe nëpërmjet skenës teatrore. Fillimi i viteve ‘70 konsiderohet si koha kur në teatrin e vendit një vepër e shkrimtarit të madh shqiptar erdhi si shfaqje në Teatrin asokohe Popullor Krahinor të Kosovës. Bëhet fjalë për “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur”, nën regji të Pirro Manit, produksion i 1972-s i Teatrit Popullor të Shqipërisë. Por, krahas kësaj shfaqjeje mysafire, nisën edhe inskenimet vendore bazuar në veprat e Kadaresë.
Regjisorë e dramaturgë mendojnë se veprat e tij kanë potencial të jashtëzakonshëm për t’u vënë në skenë.
Dramaturgu Jeton Neziraj thotë se nuk ka ndonjë prozator tjetër që ka pasur kaq shumë inskenime në teatër. Sipas tij, disa prej romaneve janë materie e shkëlqyeshme për shfaqje teatrore.
“Teatrot shqiptare shpesh kur kanë mungesë të dramave të mira shqipe, ose kur kanë frikë të marrin autorë, dramaturgë shqiptarë, zakonisht për shkak të një sigurie, i kthehen Kadaresë. Edhe këtu në Teatrin Kombëtar, drejtorët e rinj kur e kanë marrë punën për të dëshmuar që po interesohen për dramën shqipe dhe për shkak të sigurisë që ofron vepra e Kadaresë, vazhdimisht e kanë sjellë në skenë”, ka thënë ai.
Neziraj ka bërë dramatizimin e shfaqjes “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, nën regji të regjisorit boshnjak Dino Mustafiq, e shfaqur në vitin 2000 në Teatrin Shqiptar të Shkupit.
Ai thotë se sa herë që t’i vijë mundësia do të merrte pjesë në inskenime të veprave të tij.
“Veprat e tij ofrojnë një materie origjinale, shkrimi i tij është i freskët, temat janë kryesisht tema që ne i njohim ose që flasin për shoqërinë, qoftë në një periudhë më të hershme, qoftë atë bashkëkohore shqiptare”, ka thënë ai. Ka shtuar se atë e sheh si një materie të mirë e relevante edhe për teatrot shqiptare.
“Pasardhësit” është një tjetër vepër e Kadaresë, në të cilën u bazua shfaqja e inskenuar në Teatrin Kombëtar të Kosovës në dhjetor të 2016-s, nën regji të Slobodan Unkovskit.
“Gjithmonë duhet pasur parasysh që dramatizimi është një lloj qasjeje personale e dramaturgut, do të thotë dramatizimi i një vepre letrare. Në këtë rast ai ka qenë një lexim i dramaturgut të njohur maqedonas Goran Stefanovski. Unë kisha thënë një lexim vërtet interesant i veprës së Kadaresë, por jam i sigurt që dramaturgë të tjerë të cilët i qasen këtij romani mund të kenë qasje tjetër dhe të nxjerrin diçka tjetër nga i njëjti roman”, ka thënë ai.
Dramaturgu e regjisori Fadil Hysaj mendon se veprat e Kadaresë është vështirë që të dramatizohen, por nëse shfrytëzohen si inspirim, dalin drama të jashtëzakonshme.
“Ka pasur vazhdimisht tendenca. Problemi më i madh është kur insistohet që t’i rrihet besnik strukturës romaneske të Kadaresë. Nëse përcillet struktura ekzistuese, romanet e dramat dalin të zbehta, pasi që Kadare është i jashtëzakonshëm në ndërtimet e fjalive, ka një sublimitet narrativ që shumë vështirë mund të dramatizohet dhe ai aspekti sublim, e që është stili i veçantë e që Kadarenë e bën të madh si shkrimtar. Nuk mund të konvertohet në një dialog dramaturgjik, por mund të konvertohet në një gjuhë regjisoriale”, ka thënë ai.
Sipas tij, duke u bazuar në veprat e Kadaresë, shfaqjet mund të vijnë shumë moderne dhe të komunikojnë mjaft mirë edhe me publikun e sotëm.
“Këtë debat e kam bërë edhe me Kadarenë dhe ai mendon se shkrimi i dramave bazuar në veprat e tij duhet të jetë shumë i lirë, mjafton me i marrë motivet. Por ai nuk ka mundur t’ia japë gjithkujt këtë besim. Unë këtë besim e kam të shkruar, më është dhënë si e drejtë dhe konsideroj se në të ardhëm do të vazhdoj të merrem me këtë lloj pune. Kam të evidentuara shumë tema, shumë probleme të cilat mund të trajtohen dhe janë të inskenueshme në kohën e sotme”, ka thënë Hysaj.
Regjisori Agron Gërguri mendon se Kadareja me mjeshtërinë e tij të shkrimit del edhe si një dramaturg i jashtëzakonshëm. Në dhjetor të vitit 2020 pati inskenuar veprën “Kush e solli Doruntinën”.
“Veprat e Kadaresë janë një frymëzim i përhershëm edhe për dramaturgë, pasi që gjithë vepra e tij në njëfarë mënyre zien prej dramës që ka brenda, por që përkthimi në gjuhën e teatrit është pak më i vështirë, pasi që Kadare ka një filozofi, thellësi të mendimit e cila duhet të përkthehet në një dialog, i cili duhet të jetë i kuptueshëm për të gjithë spektatorët”, ka thënë ai.
Ka shtuar se atij si dramaturg i ka interesuar pjesa dramatike, pasi që është përplot dramë.
“Po të gjendet çelësi, kodi i leximit dhe përkthimi në gjuhën e teatrit, atëherë neve Kadare na del edhe si dramaturg i fuqishëm sot”, ka thënë ai
Ani pse Kadare, i njohur kryesisht si prozator, si romansier, vetëm në fillim të shekullit 21 me dramën “Stinë e mërzitshme në Olymp” shfaqet para publikut shqiptar edhe si dramaturg.