OpEd

Mësimet kryesore nga debati në Këshillin e sigurimit të OKB-së

Mësimi i parë: Këto diskutime në KS të OKB-së nuk kanë asnjë vlerë. Mësimi i dytë: Ekzistimi i UNMIK-ut më nuk ka kuptim. Mësimi i tretë: Miqtë e Kosovës nuk kanë ndryshuar qëndrimet.

Debati në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për Kosovën të martën nuk dalloi shumë nga debatet e mëhershme. Ministrat nga Kosova dhe Serbia thanë porositë e tyre, akuzuan njëri-tjetrin dhe mbeten në qëndrimet të cilat i kanë pasur edhe më herët. Si ministrja e jashtme në detyrë e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz ashtu edhe kolegu i saj nga Serbia, Marko Gjuriq, mund të kthehen në vendet e tyre dhe të krenohen se me sukses i kanë mbrojtur interesat kombëtare dhe e kanë thënë të vërtetën. Dhe që të dy do të kenë mbështetje të plotë në opinionin përkatës për atë që kanë thënë.

Por, ajo që ka qenë e rëndësishme për të dëgjuar në këtë debat të parëndësishëm, janë qëndrimet e shprehura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Danimarka. Sepse, Danimarka foli edhe në cilësinë e kryesuesit të radhës së BE-së. Qëndrimin e Danimarkës e përforcoi edhe përfaqësuesi i BE-së në OKB. Dhe ngjashëm folën edhe ambasadorët e Francës, Sllovenisë e Greqisë, anëtare të BE-së. E ato porosi janë se Kosova dhe Serbia duhet në tërësi t’i zbatojnë të gjitha pikat e marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit. Kjo është diçka që Serbia publikisht ka thënë se nuk do ta bëjë. Ndërsa Kosova ka thënë se duhet të zbatohet në tërësi, por miqtë e saj ndërkombëtarë nuk i besojnë, sepse Kosova nuk ka dhënë shenja se ka vullnet të formojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. E formimin e  Asociacionit e kërkuan në KS të OKB-së nga anëtarët e BE-së, ato të Quintit e deri te Pakistani e Algjeria.

Nga Serbia ndërkaq u kërkua qartë që të mos kundërshtojë pranimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Diçka që Serbia nuk e pranon.

Serbia nga vendet e BE-së dhe nga Britania e Madhe mori porosi të qartë se nuk është e pranueshme që të jenë të lirë kryerësit e sulmit në Banjskë. Dhe përfaqësuesi i BE-së tha qartë se “Serbia nuk ka ndërmarrë masa të mjaftueshme“ për të nxjerrë para drejtësisë kryerësit e këtij sulmi. Por, BE-ja do të duhej më në fund të sanksionojë Serbinë për refuzimin që bën për t’i përmbushur këto kërkesa dhe mbrojtjen që u ofron sulmuesve të Banjskës.

Ambasadori rus përsëriti akuzat tashmë të rëndomta ndaj Kosovës dhe Perendimit. Dhe përshtypja ishte sikur lexonte diçka që ia kanë shkruar nga Beogradi. Ai ishte pothuajse i vetmuar në insistimin që UNMIK-u të mbetet në Kosovë dhe që debatet në KS të OKB-së për Kosovën të vazhdojnë. Duhet kuptuar por jo edhe pranuar qëndrimet e Rusisë. Sepse KS i OKB-së po mbetet i vetmi forum ku diskutohet për Kosovën e ku merr pjesë edhe Rusia.

Shumë i qartë ishte përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Tha se UNMIK-u duhet të përfundojë, sepse është “Mision paqeruajtës pa paqeruajtës” dhe se “mbi 80 për qind të shpenzimeve në UNMIK shkojnë për rrogat e zyrtarëve të tij“. Dhe shumë thjeshtë e qartë tha se diskutimet e tilla në KS të OKB-së nuk kanë asnjë vlerë, pos që përdoren si forum për propagandë për opinionet e brendshme. Dhe në fund konstatoi se raportet mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përmbyllen me njohje të ndërsjellë.

Nga i tërë ky debat i gjatë dolën tri mësime kryesore: Mësimi i parë: Këto diskutime në KS të OKB-së nuk kanë asnjë vlerë;  Mësimi i dytë: Ekzistimi i UNMIK-ut më nuk ka kuptim; Mësimi i tretë: Miqtë e Kosovës nuk kanë ndryshuar qëndrimet.

Qëndrimet e shprehura në KS të OKB-së nga përfaqësuesit e BE-së dhe vendeve anëtare do të përsëriten edhe në forumet tjera këto javë e deri ne fund të vitit. Pra, qartë miqtë e Kosovës nuk i kanë ndryshuar qëndrimet. Mbështesin Kosovën por edhe presin edhe nga ajo që t’i përmbushë ato që i konsiderojnë si obligime të Kosovës. E testi më i afërt do të jetë dorëzimi i pushtetit lokal në komunat në veri në duart e atyre të cilët i kanë fituar zgjedhjet lokale, pra Listës Srpska.