Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Vdiq ylli i operës gjermane Christa Ludwig

(DW) – Në skenë, rrezja e Christa Ludwigut ishte magjepsëse: ajo ishte në gjendje të mishëronte një dashnore të rrëmbyer rinore, një grua trimërore që lufton për të shoqin, një ngashënjyese të stërholluar, apo edhe një grua të palumtur në dashuri. Ludwigu e mbushte secilin prej pafund roleve të saj me një prani të pabesueshme dhe denduri. Ajo i donte karakteret që i luante. Por krahas performancave të saj të pazakonta, mezzo-sopranoja bënte për vete audiencat me zërin e saj të pasur, të cilin kritiku i muzikës Joachim Kasier njëherë e quajti “një prej më të bukurve në krejt vendin”.

Ylli i operës gjermane vdiq të dielën në shtëpinë e saj në Klosterneuburg, në Austri, në moshën 93-vjeçe.

Ajo gjithnjë kishte dashur të shkonte një jetë normale – por fati i dha një dorë tjetër. Christa Ludwig u lind në një familje të dhuntishme muzikore më 16 mars 1928, në Berlin. I ati i saj, tenori Anton Ludwig, që më vonë u bë drejtor i përgjithshëm i teatrit komunal të Aachenit, derisa e ëma, Eugenie Ludwig-Besalla, ishte e suksesshme ndërkombëtarisht si alter këngëtare. Ishte ajo që e mësoi Christen e re si të këndonte, duke ia hapur rrugën asaj për të studiuar në Akademinë Muzikore në Frankfurt pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore.

Në moshën e re 18-vjeçare, Ludwig debutoi në operën e Frankufrit si princ Orlovsky në operetën e Johann Straussit “Die Fledermaus”.

Kah mesi i viteve ’50, Ludwig kishte marrë një varg rolesh dhe kishte përftuar përvojë në skenat në Frankfurt, Darmstadt dhe Hanover. Karriera e saj ndërkombëtare në të vërtet filloi kur ajo pranoi një ofertë të rrallë që t’i bashkohej ansamblit legjendar të Operës Shtetërore të Vjenës.

Nga ajo kohë, Ludwig performoi rregullisht në Festivalin e Salzburgut, duke u shfaqur edhe në Operën Metropolitane të New Yorkut, si dhe në shtëpi të tjera të rëndësishme të operave evropiane – përfshirë La Scala në Milano, ku ajo u çmua së tepërmi, ashtu siç u çmua kudo. Audiencat në Milano e vlerësonin për dëlirësinë e zërit të saj, ashtu sikundër edhe për hijet dhe nuancat tonale. Denduria e performancës së saj ishte e pashoqe.

Në vitet ’60 Ludwig është përmendur si një prej mezzo-sopranove më të rëndësishme të kohës së vet. Ajo rrëmbente titujt jo për skandale private, por për performancat e saj fort të vlerësuara. Ajo u shfaq edhe në veprat bashkëkohore dhe kështu iu përftua edhe interesimi për role dramatike si soprano.

Mes roleve të saj më të njohura në Wagner Festival në Bayreuth ishin ato të Brangänes dhe Ortrudit, ashti sikundër edhe ai i Kundryt në Parsifal. Ludwig po ashtu këndoi “Liebestodin” e Isoldes dhe “Schlussgesangin” e Brünhildes në koncertet në Götterdämmerung. Për më tepër, ajo pati paraqitje skenike edhe si zonja Makbeth, duke kënduar në italisht.

Mezzo-sopranoja nuk ishte e vlerësuar vetëm nga kritikët në botën e operës, por edhe mes audiencave si këngëtare koncertale në “Requiemin” e Verdit dhe “Lied von der Erde” të Mahlerit, për t’i përmendur ca prej tyre. Ludwig kontribuoi edhe për produksionet incizuese që kishin emër asokohe, mes të cilëve edhe një motërzim për operën “Fidelio” të Beethovenit, në të cilën këndoi rolin e Leonores.

Sidoqoftë, duke shikuar pas në karrierën dhe profesionin e saj si këngëtare, Ludwig kishte ndjenja të përziera: “Kurrë nuk do të doja që të bëhesha prapë këngëtare”, kishte thënë ajo me rastin e ditëlindjes së saj të 80-të. “Ky profesion në të vërtet është mjaft i tmerrshëm. Që nga fillimi, ti e di se kur mbaron gjithçka. Sapo ke arritur përfundimisht pjekurinë dhe thellësinë, zëri yt fillon të dridhet e të zhduket krejtësisht”, përsiaste ajo.

Profesioni i saj e bënte fort të vështirë të kishte jetë normale familjare. Martesa e saj e parë me bas-baritonin Walter Berry përfundoi me ndarje pas 11 vjetësh, dhe i biri i saj e njihte më mirë gjyshen sesa nënën e tij. Megjithatë, Ludwig e donte profesionin e saj për një arsye të mirë: “Gjëja e mirë rreth tij është se kurrë nuk përballesh me realitetin. Ne jetojmë në një botë të paarsyeshme, dhe kjo është një përvojë e bukur”.

Thuajse 50 vjet pas debutimit të saj, këngëtarja i dha lamtumirën skenës operistike më 14 dhjetor 1994, në Vjenë. Gjatë karrierës së saj ajo u shoqërua me lavdërime e u nderua me çmime të numërta. Ajo u caktua si komandante e Legjionit francez të Nderit, dhe po ashtu mori Urdhrin e Meritës në Gjermani.

Por nuk janë të gjitha këto çmime prestigjioze, por incizimet e panumërta të zërit të pazakontë të Ludwigut që dëshmojnë për artin e saj. Kur pyetej për recetën e saj të suksesit, ajo shpesh përgjigjej: “E para dhe e fundit, ti duhet të këndosh për veten”.

Artikuj të ngjashëm