Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Vdiq përkthyesi i shquar i poezisë shqipe, Hans-Joachim Lanksch

Ka vdekur në moshën 76 vjeçare, përkthyesi i njohur gjerman Hans-Joachim Lanksch. Në hapësirën shqiptare ai njihej se përkthyesi i Lirikës Shqipe.

Ai vdiq në orët e para të mëngjesit të 20 majit, pas një lëngimi të gjatë e të pashërueshëm.

Në një biografi që e ka përmbledhur Bardhyl Demiraj, tregohet se Hans-Joachim Lanksch lindi në vitin 1943 në Braunschweig (RFGJ) dhe u shpërngul qysh në rini në Mynih, ku studioi në fushat e filologjisë ballkanike, sllavistikë, kulturë popullore dhe albanologji.

Studimi i thelluar i gjuhës shqipe, i kulturës dhe letërsisë shqiptare u përftua natyrshëm falë njohjes dhe miqësisë me prof. Martin Camajn, i cili drejtonte atëbotë degën e albanologjisë në universitetin elitar “Ludwig-Maximilian” të Mynihut.

“Falë kësaj njohjeje zoti Lanksch nuk u shkëput më nga letërsia dhe lirika shqipe, duke bartur e përcjellë kandin e saj në hapësirën gjermanishtfolëse. Penda e tij bëri të kumtojnë dhe “rikrijojnë” gjermanisht shkrimtarë e poetë të spikatur si Martin Camaj, Lasgush Poradeci, Azem Shkreli, Ali Podrimja, Fatos Arapi, Visar Zhiti etj. Vëmendje të veçantë u përkushtoi Përkthyesi Ynë për thuajse gjysmë shekulli prurjes së brezave të rinj të shkrimtarëve dhe poetëve shqiptarë, duke i bërë ata të njohur në letërsinë botërore bashëkohore, si: Frederik Rreshpja, Jamarbër Marko, Rudolf Marku, Elvira Dones, Ridvan Dibra, Mimoza Ahmeti, Luljeta Lleshanaku, Lindita Arapi, Agron Tufa, Ledia Dushi etj.”, ka shkruar Demiri.

Edhe I çuditshmi nga Bavaria që ra në dashuri me poezinë shqipe Kulturë I çuditshmi nga Bavaria që ra në dashuri me poezinë shqipe

Ai tregon tutje se puna e tij është laureuar me çmimet “Nikolaus Lenau” i Shoqatës së Artistëve në Esslingen (1999); “Penda e Argjendtë” (Tiranë 2002) dhe “Azem Shkreli” (2018).

“‘Der Tod gehört zum Leben’ (Vdekja i takon jetës) mbaj mend të përmendte Përkthyesi, kur mësonte për largimin e përjetshëm të kolegëve dhe miqve. Është rasti ta përsërisim këtë maksimë edhe ne miqtë dhe kolegët tij në këto momente zije dhe ngushëllimi në kulturën shqiptare”, ka thënë ai.