Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Chris Rea – emri i hiteve të pavdekshme rock dhe blues

rea

Rea kombinoi zhanret e muzikës blues, pop, soul dhe rock i lehtë në 25 studio-albume, të cilat përfshinin hite si, “The Road to Hell”, pjesë e albumit më të njëjtin titull që arriti të pozicionohet në vendin e parë në top-listat e Britanisë së Madhe, pastaj “Driving Home for Christmas”, një këngë sezonale shumë e dashur nga publiku mbarëbotëror

Muzikanti i lindur në Middlesbrough, Chris Rea, shquhet për hite të mëdha si, “Driving Home for Christmas”, “On the Beach” dhe “The Road to Hell”. Gjatë karrierës muzikore kantautori i famshëm britanik ka shitur mbi 30 milionë albume

 

 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

(The Guardian) – Në deklaratën për media thuhej se ai vdiq “qetësisht në spital, pas një sëmundjeje të shkurtër”. Por në historinë e muzikës ai qe i zhurmshëm. Artisti dhe kantautori britanik, Chris Rea, i njohur për hite si “Driving Home for Christmas”, ka vdekur në moshën 74-vjeçare. 

Rea kombinoi zhanret e muzikës blues, pop, soul dhe rock i lehtë në 25 studio-albume, të cilat përfshinin hite si, “The Road to Hell”, pjesë e albumit më të njëjtin titull që arriti të pozicionohet në vendin e parë në top-listat e Britanisë së Madhe, pastaj “Driving Home for Christmas”, një këngë sezonale shumë e dashur nga publiku mbarëbotëror, si dhe këngë të tjera përfshirë hitet “On the Beach” dhe “Josephine”, të cilat fituan popullaritet në skenën e muzikës dance. Artisti ka shitur mbi 30 milionë albume gjatë karrierës.

Rea u lind në vitin 1951 në Middlesbrough. Babai i tij ishte italian kurse e ëma, irlandeze. Chris kishte gjashtë vëllezër e motra.

“Nuk ishte e lehtë të ishe italo-irlandez në një bar në Middlesbrough – jetën e nisa si i huaj”, kishte deklaruar ai në një intervistë të realizuar vjetëve të fundit.

Si i ri, merrej me muzikë ndërsa punonte punë krahu, përfshirë edhe punën në fabrikën e akullores së babait të tij, dhe kishte menduar edhe të bëhej gazetar. Përfundimisht, në moshën 22-vjeçare iu bashkua një grupi muzikor të quajtur, “Magdalene”, pjesë e të cilit më parë kishte qenë edhe David Coverdale (nga “Deep Purple”). Më pas iu bashkua një grupi tjetër, “Beautiful Losers”, por karrierën si solo-artist e filloi kur iu ofrua një kontratë diskografike, duke publikuar këngën e tij të parë, “So Much Love”, në vitin 1974.

Suksesi i tij i parë erdhi në SHBA, ku kënga e vitit 1978 “Fool (If You Think It’s Over)” u rendit e 12-a në top-lista dhe i siguroi një nominim për “Grammy” në kategorinë “Artisti më i mirë i ri”. Për disa vjet e pati vështirë ta përsëriste atë sukses – duke i krahasuar intrigat e industrisë së asaj kohe me “një grumbull plehu që zien”. “Nuk kisha asnjë kontroll mbi të dhe nuk dija çfarë të bëja”, kishte thënë këngëtari. Megjithëkëtë albumi “Water Sign” i vitit 1985 pati sukses në mbarë Evropën.

Fundi i viteve ‘80 ishte periudha e tij më e suksesshme komerciale: më në fund i përqafuar edhe nga publiku në Britani të Madhe pavarësisht se shpesh qëndronte jashtë trendëve dominues të popit, albumi “Dancing With Strangers” i vitit 1987 nisi një seri prej gjashtë albumesh të pozicionuara në top-dhjetëshen e listave muzikore atje, dy prej të cilëve arritën të renditen në vendin e parë.

Albumi me këngë të përmbledhura i vitit 1988, “New Light Through Old Windows”, përmbante hitin e tij më të madh, “Driving Home for Christmas”, fillimisht i incizuar në vitin 1986. Në publikimin e parë pati pak ndikim te masa, por kënga e butë dhe sentimentale që flet për kënaqësinë e udhëtimit për Krishtlindje, vazhdoi të bëhet e popullarizuar ndër vite, duke arritur vendin e 10-të në klasifikime në vitin 2021.

Rea e shkroi këngën në një periudhë të vështirë, kur ishte pa menaxher, pa kontratë diskografike dhe madje nuk i lejohej të drejtonte veturën – bashkëshortja e tij duhej ta çonte me makinë nga Londra në Middlesbrough sepse ai nuk kishte para për biletë të trenit. Ai i shkroi tekstet gjatë udhëtimit me makinë, por nuk e përfundoi këngën deri pas disa vjetësh.

“Dikur kisha frikë se kënga do të shkatërronte çdo kredibilitet që më kishte mbetur, por tani qeshim me të”, kishte thënë ai për “The Guardian” në vitin 2016. “Nëse ndonjëherë ngecem në rrugën M25, e hapi dritaren dhe filloj të këndoj këngën ‘I’m driving home for Christmas’ për njerëzit në makinat pranë. Të gjithë e duan atë”.

Suksesi i tij nëpër top-lista, në njëfarë mënyrë pësoi rënie në vitet 2000, kur, duke filluar me këngën “Dancing Down the Stony Road”, Rea u largua nga zhanri pop dhe u kthye drejt bluesit, që fillimisht e kishte frymëzuar

Suksesi i tij nëpër top-lista, në njëfarë mënyrë pësoi rënie në vitet 2000, kur, duke filluar me këngën “Dancing Down the Stony Road”, Rea u largua nga zhanri pop dhe u kthye drejt bluesit, që fillimisht e kishte frymëzuar.

Në përputhje me faktin se shpesh fokusohej te makinat dhe rrugët në këngët e tij, Rea ishte një entuziast i garave automobilistike: ai garoi me makina “Ferrari” dhe “Lotus”, si dhe mori pjesë në Kampionatin Britanik të Turizmit me Makina në vitin 1993. Për sezonin e Formula 1 të vitit 1995, ai iu bashkua ekipit “Jordan” si mekanik.

“Nuk doja aspak të bëja rolin VIP-së, ndaj isha përgjegjës për gomën e pasme të djathtë të Eddie Irvine”, ka deklaruar artisti vite më vonë.

Ai mbështeste Partinë Laburiste dhe në vitin 2017 shkroi një këngë të papublikuar, në mbështetje të Jeremy Corbyn, e cila mbante titullin “What’s So Wrong With a Man Who Tells the Truth?”

Rea vuajti nga disa probleme shëndetësore gjatë jetës së tij. Ai u diagnostikua me kancer në pankreas dhe në vitin 2001, iu hoq pankreasi së bashku me pjesë të stomakut dhe zorrës së hollë. Si pasojë e ndërhyrjes, ai u bë diabetik. Në vitin 2016 pësoi goditje në tru, të cilën e përshkroi si “një moment shumë të frikshëm”. “Isha i bindur se perceptimi im për tonalitetin ishte dëmtuar nga ky sulm. Dhe u desh shumë bindje nga njerëzit që të më thoshin se nuk kishte asgjë të gabuar me atë që po interpretoja”, kishte thënë ai.  

Në vitin 2017, ai u rrëzua në skenë gjatë një koncerti në Oxford dhe u dërgua në spital për t’u rikuperuar.

Rea lë pas bashkëshorten, Joan, me të cilën kishte filluar lidhjen në moshën 17-vjeçare, dhe vajzat e tyre, Josephine dhe Julia, emra të cilët ua kishte vendosur dhe këngëve të tij hite.

 

Marrë nga “The Guardian”. Përktheu: Edona Binaku