Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Vdiq grafisti i shquar, Bahri Drançolli

Arti i Kosovës dhe ai shqiptar në përgjithësi kanë humbur figurën e shquar. Të hënën në Münich ka vdekur grafisti Bahri Drançolli, një prej artistëve pionierë të artit akademik në vend. Ai ishte 82-vjeçar. Ka qenë historiani, prof. Jahja Drançolli, familjar i artistit tashmë të ndjerë, ai i cili ka dhënë ndër të parët kumtin për vdekjen e, siç e ka cilësuar ai, “njërit ndër artistët më të shquar të kombit”.

Bahri Drançolli u lind më 5 shkurt të vitit 1940 në Pejë, ku kreu Shkollën Fillore dhe Shkollën e Mesme të Artit (1961). Kreu studimet për pikturë në Akademinë e Arteve Aplikative në Universitetin e Beogradit më 1967, ndërsa studimet pasuniversitare në Akademinë e Arteve në Stuttgart të Gjermanisë, ku diplomoi më 1970. Siç shkruhet në zërin për të, në “Fjalorin Enciklopedik të Kosovës” të botuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Drançolli mbaroi specializimin për grafikë në Münich, në vitin 1973.

“Krijimtaria grafike e Bahri Drançollit është e ndërlidhur me pikturat dekorative, të cilat janë të realizuara në teknikën e akuatintës me ngjyrë. Në këtë teknikë realizoi ciklin më të arrirë, ‘Reliktet’”, shkruan grafisti Fatmir Krypa, në “Fjalor...”. Po aty shkruhet se Drançolli mbajti një sërë ekspozitash personale në galerinë “Stuckvilla” (1973), në galerinë “Van Lear” (1974), në “Kunstverein Rosenheim” (1975), “Kunstsalon” dhe në “Galeria Kieslich”, të gjitha këto në Münich, pastaj në “Galeriastudio M” në Bamberg (1976), në galerinë “Kurstwerkstatt” (1977) në Darmstadt, në galerinë “Hesler” (1978) dhe në Galerinë “Marsyeas” në Münich, ku ka jetuar e vepruar prej vitesh.

Historiani Jahja Drançolli, në një postim në rrjete sociale ka shkruar se Bahri Drançolli realizimet e para si artist ndërkombëtar i nisi duke marrë pjesë në restaurimin dhe konservimin e afreskeve në Bazilikën Eufrasiane në Poreç (Kroaci), si dhe në Zagreb, qytet ku ka realizuar disa piktura.

“Vlen të përmendet sidomos piktura me titull 'Dera e Gurit', vaj në pëlhurë (Zagreb, 1971)”, ka shkruar Drançolli.