Filarmonia e Kosovës ka njoftuar për vdekjen e dirigjentit, pedagogut, producentit muzikor dhe një ndër themeluesit e Filarmonisë së Kosovës, Bahri Çela, mëngjesin e 30 shtatorit 2018 në Londër.
“Kosova ka humbur një nga veteranët e edukimit muzikor, profesorin shumëvjeçar të Fakultetit të Arteve, punëtorin e rrallë dhe të pakursyer dhe njërin ndër iniciuesit kyç të themelimit të institucioneve muzikore në Kosovë”, thuhet në njoftimin e Filarmonisë.
Ndërkaq, bëhet e ditur se koncerti i hapjes së sezonit 2018 / 2019 i Filarmonisë së Kosovës i dedikohet themeluesit të saj duke shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes, komunitetit të muzikantëve dhe shoqërisë mbarëshqiptare për humbjen e një prej figurave më emblematike të kulturës shqiptare.
Biografi e shkurtër:
Bahri Çela (1941) dirigjent. Studioi në Akademinë e Muzikës, Dega e Dirigjimit në Beograd. Specializoi në Konservatorin e Shën Petersburgut në Rusi, te pedagogu i njohur Prof. A.P. Musin dhe në Nicë (Francë) te dirigjentët e njohur francez P. Dervaux dhe F. Quatrocchi. Pas studimeve u punësua në Radio Prishtinë si producent i muzikës serioze dhe asaj për fëmijë. Një kohë punoi si pedagog – udhëheqës i korit në shkollën e mesme të muzikës në Prishtinë.
Edhe
Beqir Beqiri – portreti i ndritshëm që u bë shtyllë e Teatrit Kombëtar
Nga viti 1978 është zgjedhur ligjërues në Fakultetin e Arteve-Dega e Muzikës për lëndët Dirigjim dhe Orkestër. Çela ishte njëri ndër iniciatorët e themelimit të Orkestrës Simfonike të Radiotelevizionit të Prishtinës në vitin 1975. Me këtë orkestër dirigjoi një kohë duke realizuar koncerte të rregullta me vepra të autorëve shqiptarë dhe botërorë.
Për nevojat e produksionit muzikor të RTP-së ai incizoi një varg veprash – para së gjithash të autorëve shqiptarë si: R.Mulliqi, V.Gjini, E.Rizvanolli, R.Dhomi, A.Koci, B.Shehu, Ç.Zadeja, F.Ibrahimi etj. Me Orkestrën Simfonike të RTP-së mori pjesë rregullisht në Festivalin “Ditët e Muzikës në Budvë”, pastaj në Shqipëri dhe Kosovë.
Me këtë orkestër përcolli solistët e njohur si: J.Kolungjija (violinë), E.Musa (kitarë), V.Kajtazi (flaut), V.Pula (piano), H.Lekaj (mexosoprano), A.Merdakoviq (kornë) etj.
Me suprimimin e institucioneve legjitime kosovare nga ana e regjimit serb, në kushte jashtëzakonisht të vështira të viteve ‘90-të, së bashku me studentët dhe pjesërisht me ish-anëtarët e Korit Profesional dhe atyre të Orkestrës Simfonike të RTP-së, B.Çela përgatiti koncerte të ndryshme që u mbajtën në Kishën Katolike “Shën Ndou” në Prishtinë.
Një nga koncertet iu kushtua edhe nobelistes shqiptare – Nënës Terezë. Pas luftës së fundit në Kosovë, ai punoi me vetë iniciativë në riaktivizimin (rithemelimin) e orkestrës por kësaj radhe asaj të Filarmonisë së Kosovës si institucion i pavarur profesional muzikor.
Kështu ia filloi punës me Orkestrën Kamerale e cila ende vazhdon zhvillimin e saj drejt orkestrës simfonike. Vitet e fundit të jetës i kaloi në Londër (Britani e Madhe).
Në moshën 77 vjeçare ka ndërruar jetë dirigjenti dhe profesori kosovar, Bahri Çela.
Njoftimin për vdekjen e tij e ka bërë të ditur Kreshnik Çela përmes një postimi në llogarinë Facebook.
Edhe
Filharmonia merr pesë instrumentistë, tentimi i radhës për violonçelist
Ndryshe Bahri Çela kishte lindur në vitin 1941. Ishte dirigjenti i parë në Kosovë dhe një nga themeluesit e Filarmonisë së Kosovës.
Çela kishte vite që jetonte në Londër.