Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Vdekja e Evropës apo rritja e opinionit populist?

Nëse e lexon librin e historianit gjerman Oswald Spengler, “Rënia e Perëndimit” (The Decline of the West, 1918), atëherë libri i ri i gazetarit britanik Douglas Murray, “Vdekja e çuditshme e Evropës: imigrimi, identiteti, islami” [The Strange Death of Europe: Immigration, Identity, Islam], botuar në vitin 2017, aludon në një argument të njohur.

Por, Spengler-i kishte shkruar histori botërore, ndërsa Murray është gazetar i djathtë populist i cili ka shkruar për probleme politike e kulturore në Evropë, si duket, nga vrojtimet e tij sipërfaqësore. Sipas Spengler-it, Evropa e humanizmit të madh që ka krijuar kontratë të sofistikuar politike, ka krijuar teknologji dhe ka pushtuar botën me zbulimet e veta, është në venitje. Antropologët e zellshëm do të përpinin pështymën përball tij, ndoshta për arsye të kohës kur ka shkruar pasi që mendimi evolucionist ishte aktual dhe alfa e mendimit antropologjik. Por, ndaj tezave të Douglas Murray-it, historiani dhe antropologu i viseve të ndryshme të Evropës, përfshirë Ballkanin, vështirë se do ta përpinte pështymën. Murray merr guxim të thotë se Evropa nuk është në venitje, si kishte deklaruar Spengler-i, por është duke vdekur. Prej nga po i ardhka vdekja Evropës dhe pse kjo vdekje qenka e çuditshme? Nëntitulli i librit jep shenjat e para.

Fillimisht, duhet theksuar se Douglas Murray njihet si gazetar, i edukuar në Eton dhe Oxford, po aq sa edhe themelues dhe drejtor i institucioneve të ndryshme dhe redaktor bashkëpunëtor i revistës së mirënjohur britanike “The Spectator”. Ka shkruar disa vepra dhe qindra shkrime nëpër revista të ndryshme dhe njihet si një prej komentuesve më kritikë ndaj islamit, gjithnjë duke shënjestruar islamizmin si rrymë fundamentale brenda islamit.

Libri në fjalë ka njëzetë kapituj, bashkë me hyrjen. Në këta kapituj, Douglas Murray analizon gjendjen në Evropën e sotme, duke folur për imigracionin, multikulturalizmin, idenë e fajit evropian, lodhjen, islamin politik, identitetin evropian, politikat e ndryshme, mediet, etj. Në hyrje të librit Murray thotë: “Evropa po bën vetëvrasje”. Këtu ai nuk flet vetëm për BE-në apo Komisionet e Këshillat e saj, gjë që është e zakonshme të kritikohen, por për vetë Evropën kulturore, e cila nuk po ripërtërihet mbi themelet e saj por, po shartohet në trung, nga prania e imigrantëve, kryesisht nga vendet islame. Dhe krejt kjo si rezultat i politikave publike të bazuara në ide të majta që korrektësinë politike, ndjenjën e fajit, urrejtjen për veten, barazinë gjinore i kanë alfa e beta të alfabetit të tyre.

Sa i përket imigrimit, Murray është krejtësisht pesimist dhe mendon se kjo çështje e ka ndarë Evropën dhe ka mjegulluar prospektin për triumfin e vlerave evropiane. “Nëse Evropa do të bëhet shtëpia e të gjithëve, atëherë duhet të kërkojë definicion të gjerë për veten”, thotë ai. Për të, identiteti evropian në të kaluarën ka pasur parime themelore të thella dhe të palëkundshme në kulturën dhe civilizimin evropian, sikurse sundimi i ligjit, etika që del nga filozofia dhe historia e veçantë e kontinentit, e kështu me radhë. Ndërsa përkufizimet e identitetit evropian sot, nuk janë më shenjat kryesore të historisë dhe filozofisë partikulariste evropiane, të cilat janë universale në natyrë, por ato janë përkufizime të cekëta sikurse “toleranca” e “diversiteti”. Në emër të tyre, Evropa ka hapur dyert edhe për ardhacakë dhe ka krijuar politika nacionale e supranacionale mbi dhembshuri të paprecedentë. Murray është fort rigoroz në sulmin e tij ndaj elitave politike evropiane të viteve të fundit, por nuk lë pa përmendur edhe fazat e mëhershme.

Si gazetar, Murray thekson se ka bërë vizita, vrojtime e hulumtime në zemër e cepa të shteteve evropiane. Ai jep fakte që tregojnë “vdekjen e Evropës”, si e potencon ai, në disa shtete. Për shembull: në Britani feja e krishterë ka rënë prej 72 % në 59 %, ndërsa numri i myslimanëve është rritur prej vitit 2001 e deri te viti 2011, prej 1.5 milionë në 2.7 milionë dhe imigrimi ilegal i ka bërë këta numra shumë më të mëdhenj. Ai e krahason përqindjen e popullatës së huaj në Britani, duke thënë se edhe në kohën e pushtimit norman popullate nuk ka qenë më shumë e huaj se sa që është tani. Fajin për këtë imigracion të madh në shtetet evropiane, ai e vendos te multikulturalizmi, politikat e dobëta, por edhe te gasterbajterat e viteve ‘50 dhe 60’, që kishin hyrë ta ndërtonin Evropën e shkatërruar pas Luftës së Dytë Botërore. Murray beson se imigrimi i kontrolluar ka qenë i mirë, por jo imigrimi i pakontrolluar, që pastaj përndjell edhe racizmin, mendjengushtësinë, ksenofobinë dhe urrejtjen. Ndërsa arsyetimi evropian, sipas Murray-it, ka qenë gjithmonë se në një kontinent që “po vjetrohet” imigrimi është i domosdoshëm për arsye ekonomike. Sipas Murray-it kjo nuk qëndron sepse nevoja për 240 mijë shtëpi të reja në vit në Britani vjen si rezultat i imigracionit.

Duke pasur parasysh se Murray mundohet të rrok gjithë diskutimet e reja dhe të vjetra që janë bërë në opinionin evropian përball fakteve të reja, disa prej të cilave janë hamendësuese (për shembull: se Stokholmi qenka kryeqytet i përdhunimit seksual, shkaku i imigrantëve, është argument që ka nevojë të evidentohet!) libri del si një panoramë e argumentuar nga një pozitë e frustruar, edhe nëse ndonjë fakt që ai analizon mund të jetë i vërtetë. Se Murray ka guxim të jashtëzakonshëm të rrokë në shqyrtim “korrektësinë politike” që ka kapluar opinionin në Evropë, kjo nuk vihet në dyshim fare. Se në anën tjetër, Murray e tepron sulmin ndaj “vlerave të reja” evropiane sa i përket diversitetit, tolerancës dhe mëshirës që Evropa ka treguar për imigrantët, as kjo nuk vihet në dyshim fare. Se Murray ka arritur të thurë argument pas argumenti, jo vetëm në këtë libër, por edhe në shkrime tjera, kundër radikalizmit islamik dhe islamizmit si rrymë ideologjike, kjo nuk vihet në dyshim. Se Murray ka staminë grindaveci të fus ndonjëherë gjithë myslimanët dhe Islamin si religjion në një thes me islamistët radikalë, as kjo nuk vihet në dyshim.

Nga leximi i librit dhe njohja e opinionit të tij të përgjithshëm, del se gjithë argumenti i Murray-it është selektiv dhe ideologjik. Si gazetar i së djathtës populiste, ai nuk ka bërë hulumtimet e duhura, vizitat e ngeshme, analizat e krahasimet rigoroze, të cilat do t’i bënte një vrojtues i kujdesshëm nga dijet e shkencat shoqërore. Lexo cilindo historian, sociolog apo antropolog të vendeve ballkanike, ku shumica e popullatës është myslimane dhe do të vëresh se islamizmi nuk ka lëshuar rrënjë vdekjeprurëse, do të kuptosh se kultura lokale ka krijuar simbiozë me Islamin sa për të mos lejuar islamizmin të bëhet normë vdekjeprurëse. Ka tarikate të shumta, piqet e marohet rakia, banalizohet e shpotitet sforcimi i fesë, dhe nuk ka ndonjë shenjë uniforme radikale në praktikat e jetës së përditshme. Mund të ketë raste të intensitetit të islamizmit apo radikalizmit islam, që vlon nën petkun e qetësisë, por nuk mund të etiketohen shumica e myslimanëve për pakicën krejtësisht të vogël të radikalëve. Lëre më të shpallet krejt Evropa e vdekur për faktin se kanë hyrë një numër i madh sirianësh në Gjermani, vend i cili ka nevojë të punësojë sot, dhe atë menjëherë, 200,000 infermierë. Po ashtu, edhe nëse do të studiohej islami në Evropë, si edhe është bërë nga mori studiuesish, do të vërehet se myslimanët e zakonshëm nuk janë ata që Murray i gogolizon në shkrimet e tij. Myslimanët e zakonshëm të Evropës janë edhe diaspora shqiptare. Në fakt, myslimanët e zakonshëm, pavarësisht përkatësisë kombëtare, por kryesisht myslimanët e zakonshëm që kanë mishëruar doktrinën me etikën tradicionale popullore, janë e vetmja shpresë e mposhtjes së islamizmit radikal në Evropë, thënë së fundi edhe nga historiani i mirënjohur Noel Malcolm, në një ligjëratë të tij publike.

Në anën tjetër, argumenti i Murray-it mënjanon zhvillimet ideologjike në mendimin evropian dhe fokusohet kryesisht në aspektet popullore të kulturës e vlerave evropiane, pa hyrë thellë në diskutimin e transformimit të filozofisë dhe artit evropian, brenda sferës akademike dhe publike, përmes të cilave barten vlerat evropiane. Nëse krahasohet libri i Douglas Murray-t me, le të themi, librat e Roger Scruton-it si filozof, ndonjë argument do të jetë i njëjtë, pa dyshim, por do të dalë krjtësisht ndryshe i lëruar. Pra, Douglas Murray nuk hyn të analizojë babëzinë e grupeve pushtet-kërkuese të ideologjisë së majtë, shpeshherë të skajit radikal, të cilat janë si me kërthizë të lidhura me shtegun akademik në shumë universitete evropiane, që në emër të “gjynahit” të një rasti specifik, baltosin krejt Evropën si kolonialiste, e bardhë, tradicionale, statike, eurocentrike, etj. Ai merr shembull rastin e Aylan Kurdit, trevjeçar nga Siria, i cili mbeti i vdekur në një plazh turk para disa viteve. Murray thekson se gazetat e Evropës shkruanin se ky ishte “turpi i Evropës”, por askush nuk e përmendi faktin se babai i djaloshit që u mbyt në Turqi, kishte punë me pagesë në Turqi dhe prej atij vendi deshi të dërgonte familjen e tij në Evropë. Pse të ndjehet fajtore Evropa? Pse qenka ky një turp i Evropës?, pyet Murray. Por, Murray merret me pyetje të tilla shokuese e sensitive që të zgjojë vëmendjen dhe, po ashtu, të forcojë argumentin e situatës. Ai në këtë rast nuk hyn të analizojë më thellë faktin se “tirania e fajit”, si e quan ai, është krijuar edhe nga mendimi akademik brenda mendimit bashkëkohor evropian, i artikuluar në forma radikale të teorive postmoderne, postkolonialiste, feministe, etj.

Në librin e tij, Murray është edhe predikues dhe kjo është pjesa më propagandistike e mesazhit të tij, pjesa ku ai predikon rënien sikurse të ishte “magjistar” parashikues. Po japim një paragraf nga kapitulli i fundit parashikues për ta theksuar këtë parashikim antropologjik të tij për, Evropën që qenka shtrirë në shtrat të vdekjes, thënë në jehonën e argumentit të tij:

“Ndoshta stili i jetës, kultura dhe pikëpamja evropiane do të mbijetojnë. Sipas modelit që po vjen duke ardhur del se do të ekzistojnë disa zona rurale ku komunitetet e imigrantëve nuk do të zgjedhin të jetojnë. Atje do të strehohen jo-imigrantët. Ata që kanë mundësitë, si edhe po ndodh, do të vazhdojnë në stil të jetës së tyre pak më gjatë. Të tjerët që nuk kanë mundësi të mëdha, ata që janë më dobët kah xhepi, do të duhet ta pranojnë se shtëpia e tyre është bërë shtëpia e botës. Përderisa ardhacakët do të inkurajohen të ndjekin traditat dhe stilet e jetës ë tyre, evropianëve, familjet e të cilëve kanë qenë këtu brez pas brezi, do t’iu thuhet se tradita e tyre është shtypëse dhe e vjetër, edhe kur ata të jenë popullatë minoritare. Kjo nuk është fantastiko-shkencore. Thjesht kështu duket situata e tashme në shumicën e vendeve të Evropës perëndimore dhe kjo gjendje do të vijë, parashihet edhe në projeksionet demografike.”

Murray luan të njëjtën lojë gjithëpërfshirëse kritike sikurse kishte luajtur dikur Edward Said me “orientalizmin” e tij. Mendimi dhe veprimi i secilit evropian, thoshte Said-i, fsheh në vete mendimin se Orienti është inferior, femëror, barbar dhe duhet pushtuar. Murray aludon se secili mysliman në Evropë dëshiron vdekjen e saj, apo ndihmon indirekt në vdekjen e saj. Pastaj, Murray jep edhe prognozë antropologjike (një gjë e zakonshme kjo mes gazetarëve e komentuesve që anojnë politikisht, si të djathtë radikalë ashtu edhe të majtë radikalë) se evropianët do të tkurren në male. Pyetjet shtrohen: nëse e marrin Murray-in fjalë për fjalë, atëherë ku do të mbetet kultura evropiane? A do të krijohet një “europia ruralia”, si strehë natyrore e evropianëve të fundit, si na parashikon ai? A do të konvertohen një pjesë e evropianëve në religjione të reja? Apo do të gjejnë udhë të reja kreative të kapërcejnë këtë flamë sezonale në kulturën e tyre mijëra vjeçare? Mos do të ikin në planete tjera?! Duhet theksuar se në këtë prognozë, Murray citon shqyrtimet e prognozat e Spengler-it se kulturat arrijnë civilizimin dhe veniten. Por, ideja e Spengler-it se kultura faustiane, ajo e Evropës, do të vdes, mund të ketë qenë vetëm frikë nga “lodhja” që ndihej, sipas tij, në pulsin e zemrës së kulturës evropiane në kapërcyell të shekullit XIX kur vlon së zhvilluari edhe ideologjia edhe teknologjia.

Kalimi nëpër qafë të gastares evolutive është imanencë e homosapiensit si qenie. E përderisa ka konflikt, thonë antropologët, gjithmonë ka përpjekje kreative për fillim të ri, udhë të reja, shtigje të reja, miqësi të reja. Dihet se evropianët kanë qenë gjithmonë në garë me njëri-tjetrin dhe me të tjerët dhe dihet se ata kanë gjithmonë kanë dalë në gjah të botës përtej kufijve të tyre si në kulturë e religjion, ashtu edhe në ekonomi e politikë. Ata do të dijnë të gjejnë mënyra për të tejkaluar këtë krizë të vogël që ka kapluar Evropën si një flamë vjeshtore.

Argumenti i Murray-i do të mund të hapte konversacion për tema tabu si religjioni, multikulturalizmi, e politika, politikat e BE-së, etj,. Por, kur libri fillon e mbaron me parullën e tij se “Evropa po vdes” e mbyll çdo mundësi për konversacion dhe e shndërron argumentin e tij në monolog egocentrik paranojak.

Librat e tillë janë të nevojshëm të lexohen, si njohje të një karrigeje opinioniste evropiane që anon kah e djathta populiste, por nuk janë libra të nevojshëm për argumente objektive. Janë mendime të ngjizura nga një ideologji selektive për të trumpetuar parulla populiste.

(Arsim Canolli, antropolog e profesor universitar)

Artikuj të ngjashëm