Hitet e mëdha të kohës janë interpretuar për një audiencë të hapur përballë Teatrit Kombëtar të Kosovës në Prishtinë. Të pranishmit kanë pasur mundësinë që të dëgjonin e të shihnin interpretimin e disa artistëve të veçantë. Janë ushtarakë por edhe artistë.
Si ofertë e rrallë për audiencën vendore, të premten mbrëma pjesëtarë të Ansamblit të Armatës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Evropë, me uniforma kanë interpretuar disa prej këngëve më në zë në botë, shkruan sot Koha Ditore.
Hiti që ka bërë bujë gjithandej botës, “Shallow”, kënduar nga Lady Gaga e Bradley Cooper, e “Havana” nga Camila Cabello, janë veç dy prej pikave të “menysë” së ansamblit.
Me këmisha të bardha e pantallona teget, 19 ushtarët – prej tyre 9 vokalistë, 8 instrumentistë e 2 teknikë të zërit – për rreth një orë e gjysmë kanë bërë që audienca përballë të tyre të jetë pjesë e një udhëtimi muzikor të zhanreve të ndryshme. Krejt ka qenë veç një pjesë e angazhimit të tyre në shtetin më të ri të Evropës. Sot (e shtunë) do të koncertojnë në kinemanë “Lumbardhi” në Prizren, e të hënën do t’i kthehen Prishtinës për një tjetër koncert në “Termokiss”.(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)