Filharmonia dhe Opera kanë harmonizuar tingujt për vepër solemne e meshë në shënim të 25-vjetorit të bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe. E para ka qenë si simbol i lirisë e humbjeve në luftë. E dyta homazh për viktimat. Kuptimplotë ka qenë koncerti ku veprat sfiduese botërore kanë rezultuar të suksesshme në lojë nga interpretues të moshës së re. 25 vjet pas, prej kur nisi çlirimi i vendit, dëshpërues ka qenë imazhi i gjendjes ku zhvillojnë aktivitetin institucioni më i lartë i muzikës, Filharmonia e Kosovës. Opera, institucion i themeluar më 2021 ngelet një lloj agjencia që angazhon staf të përkohshëm për projekte. S’ka ansambël. Edhe sikur të ketë, s’ka ku të punojë.
Është dashur një reshje shiu që të dalin në pah kushtet ku Filharmonia e Kosovës koncerton. Për akustikë sado pak më të mirë i ishte dashur të bartej nga Salla e Kuqe e Pallatit të Rinisë, në Atelie. Kushtet më të mira nuk janë as aty. Pikërisht para njërit prej instrumentistëve nuk ka ndalur së rrjedhuri uji nga tavani i sallës. Jo të pakta qenë improvizimet në sallë.
Një platformë për akomodimin e publikut është aty prej shfaqjes së fundit të Baletit Kombëtar të Kosovës kur salla ishte modifikuar për ta bërë të përshtatshme për formatin e saj. Perdet - që mbulojnë një pjesë të shëmtuar të sallës së Ateliesë - takohen me platformën për publik. Qetësia para nisjes së njërës nga dy veprat u pre papritmas kur njërit prej shikuesve i rrëshqiti karrigia dhe vetë ai u përplas me xhamat e mbështetur në atë pjesë. Krisja e disa xhamave ka bërë që publikut t’i shkojë mendja për ndonjë tragjedi. Por situata është qetësuar kur është marrë vesh se i riu është mirë dhe veç infrastruktura ka pësuar.
Krejt avaria ka ndodhur para syve të ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, i cili ka qenë i pranishëm në koncert.
Kontrasti i përhershëm me kushtet është interpretimi i anëtarëve të Filharmonisë aty. Me Operën kanë realizuar koncertin e përbashkët. Derisa Kori i Filharmonisë kishte përfunduar koncertin në njërën prej sallave unike në Romë, në teatrin “Palladium”, në vend të tyre koristët e rinj dëshmuan të ardhmen premtuese të muzikës klasike në vend. Përkundër mungesës së një salle adekuate për koncerte, qoftë edhe ajo më modestja.
Meloditë nuk janë ndalur, ndonëse pa reshtur përplaseshin pikat e shiut me dyshemenë e Ateliesë.
Koncerti nisi me veprën “Palladio” të kompozitorit uellsian, Karl Jenkins. Vepra e kompozuar për orkestër harkore, sjell fuqinë e tingullit për të përcjellë mesazhe lirie, dhembjeje e harmoni. Vepra solemne i ka shkuar tejet për shtati ngjarjes me të cilën janë shënuar 25 vjetët e ndërhyrjes ushtarake të botës për t’i dhënë fund spastrimit etnik që Serbia po bënte në Kosovë, ku ngelën të vrarë mbi 10 mijë civilë.
Në “allegretto” tingujt dinamikë vijnë me një ton që shkon duke u zbutur. Njëra violinë ndahet nga ansambli dhe luan solo derisa orkestra mban ritmin konstant. Në “largo” ritmi i pandryshuar me të cilin nis kjo kohë, për një moment del nga kontrolli dhe kthehet shpejt në rrjedhën me të cilën vepra kishte nisur. Dy violina luajnë si dialog ndërmjet tyre, e krejt ato bashkë me harkorët e tjerë.
Në “vivaco” tingujt vijnë si përsëritje. Janë të pandryshueshëm dhe zbërthejnë një lloj tensioni përbrenda. Në përfundim, i shpejtë është tranzicioni për në notat e larta. Ngjan se aty rreshtohet tema e trimërisë e vajtimit.
Me arie operistike është shfaqur sopranoja Zana Abazi-Ramadani. Ka interpretuar “Laudate Dominum” nga opera “Vesperae solennes de Confessore” e Mozartit. Interpretimi i sopranos ka qenë i ndjeshëm ndërsa kulmues ai i Korit.
“Mesha nr.2 në G-dur, D.167” e austriakut Franz Schubert ka qenë homazh për viktimat. Vepra liturgjike ka bërë më të larmishëm interpretimin me soliste sopranon Zana Abazi-Ramadani, baritonin Denik Prizreni e tenorin Ismet Vejseli.
Sopranoja Abazi-Ramadani ka thënë se meshat si kompozime klasike janë sfiduese dhe se duhet teknikë për interpretimin e tyre.
“Veprat nuk janë edhe aq të lehta të këndohen siç kanë qenë ato të Mozart dhe Schubert. Por duhet goxha mjeshtëri, teknikë e mirë, normalisht edhe zërin, por teknika është mbi të gjitha. Po nuk pate teknikë, nuk mund t’i realizosh këto vepra kaq të vështira. Nganjëherë them se më lehtë është të interpretosh një operë botërore sesa këto meshat siç i interpretuam sonte”, ka thënë sopranoja Zana Abazi-Ramadani.
Baritoni Denik Prizreni e ka vlerësuar si vepër tejet të përshtatshme për adresimin e ngjarjes.
“Për herë të dytë e luajmë meshën. Është një datë historike, dita kur kanë nisur bombardimet. Mesha është e tillë, në gjithë botën u kushtohet viktimave. Është një vepër shumë e bukur dhe që kërkon shumë punë. Besoj që me punën diku njëmujore e kemi arritur rezultatin e duhur. Sot u pa rezultati, besoj se edhe publiku është ndarë i kënaqur”, ka thënë baritoni Prizreni.
Barra kryesore në këtë vepër bie mbi pjesën vokale. Kori dhe solistët kanë sjellë pjesët “Gloria”, “Kyrie”, “Crego”, “Sanctus”, “Osanna in excelsis...”, “Benedictus” dhe “Agnus Dei”. Kanë qenë pjesë tejet atraktive me artin e zërave që përtej anës liturgjike ngërthen edhe anën artistike.
Dirigjenti Edon Ramadani, i cili e ka udhëhequr koncertin e së dielës mbrëma, ka thënë se është bërë përpjekje që programi i përzgjedhur t’i përgjigjet në mënyrë sa më të mirë ngjarjes së cilës i është kushtuar koncerti.
“Kemi konsideruar që është në përputhshmëri me këtë datë. Jemi të lumtur që jemi ftuar ta mbajmë këtë koncert për shtetin tonë. Disa nga pikat e programit janë interpretuar edhe më parë, por ka pasur edhe pika të reja dhe e kemi bërë një program të ri për këtë natë”, ka thënë Ramadani, derisa ka theksuar mjeshtërinë e interpretuesve të gjeneratës së re.
“Janë instrumentistë dhe koristë që kanë qarkulluar në projektet e Operës dhe Filharmonisë së Kosovës. Gjithmonë është kënaqësi, pasi pjesa e Operës janë kryesisht të rinj dhe secilën herë më shumë po zhvillohen në aspektin profesional. Është kënaqësi të jem edhe unë pjesë e këtij procesi kontribuues edhe si profesor në Fakultetin e Arteve ku ata kanë studiuar apo vazhdojnë të studiojnë”, ka thënë dirigjenti e kompozitori Edon Ramadani.
Kompozitori Valton Beqiri e ka vlerësuar koncertin sfidues për nga programi i përzgjedhur.
“Ka qenë një koncert me vepra mjaft sfiduese në aspektin interpretativ e vokal, meqenëse solistët kanë pasur pak pjesë në këndim, por të vështira. Natyrisht edhe angazhimi i Korit e bën këtë pjesë edhe më të vështirë në kuptimin e balancimit të zërave mes korit dhe orkestrës. Në anën tjetër është me rëndësi se krejt ata, bashkë me dirigjentin, e kanë dhënë maksimumin e tyre, një performancë shumë të mirë”, ka thënë Beqiri.
Sipas tij, koncertin e ka bërë të veçantë edhe prova se gjenerata e re ka kapacitet e talent të koncertojë në vend të muzikantëve profesionistë.
“Duke marrë parasysh se 99 për qind e instrumentistëve janë krejtësisht të rinj, nuk janë anëtarë të Korit e Orkestrës së Filharmonisë, duke marrë parasysh se Kori është momentalisht në Itali. Kjo mbase e bën më të veçantë koncertin në kuptimin se shohim që kemi një numër artistësh, interpretësh dhe instrumentistësh në ardhje që mund t’i përballojnë veprave çfarë kanë qenë sonte në koncert”, ka thënë më tej kompozitori Valton Beqiri.
Filharmonia e Opera e Kosovës në çfarëdo rrethanash dhuron magjinë e veprave muzikore botërore. Publiku besnik i muzikës klasike është motivi. Barriera e përhershme janë kushtet.