Tel al-Sultan, që është më i vjetër sesa piramidat e Egjiptit, është futur në Listën e trashëgimisë botërore të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Edukim Shkencë dhe Teknologji – UNESCO. I menjëhershëm ka qenë reagimi i Izraelit, i cili e dënoi këtë vendim e Ministria e Punëve të Jashtme e konsideroi atë si “një tjetër shenjë se palestinezët po përdorin në mënyrë cinike UNESCO-n dhe po e politizojnë organizatën”. Presidenti palestinez, Mahmoud Abbas, ka thënë se vendimi është “me rëndësi të madhe dhe dëshmi e autenticitetit dhe historisë së popullit palestinez”
Organizata e Kombeve të Bashkuara për Edukim Shkencë e Kulturë e ka futur lokalitetin historik Tel al-Sultan – afër qytetit palestinez Jericho në Bregun Perëndimor të okupuar – në Listën e trashëgimisë botërore. Me këtë ka nxitur kritikat e Izraelit. Tel al-Sultan, që është më i vjetër sesa piramidat e Egjiptit, është një kodër ovale në luginën e Jordanisë dhe ka dëshmi parahistorike të aktivitetit njerëzor, raporton AFP-ja.
Vendimi i organizatës kulturore të Kombeve të Bashkuara, të cilin e shpalli në platformën X, dikur Twitter, është marrë në mbledhjen e 45-të të Komitetit të Trashëgimisë Botërore të mbajtur në Riad.
“Vendi i nominuar është lokaliteti arkeologjik prehistorik Tel al-Sultani, i cili ndodhet jashtë vendit antik të Jerichos”, ka thënë ndihmësdrejtori i përgjithshëm i UNESCO-s, Ernesto Ottone.
Tre vjet kandidaturë
“Lokaliteti u regjistrua pas një kandidature trevjeçare, gjatë së cilës asnjë palë nuk bëri asnjë vërejtje”, ka thënë një diplomat, duke folur në kushte anonimiteti. “Nuk ka mbetje hebraike apo të krishtera në atë vend (Tel al-Sultan). Është një lokalitet me gjurmë parahistorike”.
Izraeli e dënoi këtë vendim e Ministria e Punëve të Jashtme e konsideroi atë “një tjetër shenjë se palestinezët po përdorin në mënyrë cinike UNESCO-n dhe po e politizojnë organizatën”.
“Izraeli do të punojë me miqtë e tij të shumtë në organizatë për të ndryshuar vendimet e gabuara”, është theksuar në reagimin e Ministrisë.
Para katër vjetësh Izraeli u tërhoq nga Organizata e Kombeve të Bashkuara me akuzat se ajo nxit njëanshmërinë anti-izraelite, por dërgoi një delegacion në takimin e sivjetmë në Arabinë Saudite. Autoriteti Palestinez, i njohur nga Kombet e Bashkuara si një shtet vëzhgues joanëtar, mirëpriti futjen e Tel al-Sultanit në Listën e trashëgimisë botërore.
Lokaliteti i katërt i mbrojtur në Palestinë
Presidenti palestinez Mahmoud Abbas ka thënë se vendimi është “me rëndësi të madhe dhe dëshmi e autenticitetit dhe historisë së popullit palestinez”. Ai ka premtuar se “do të vazhdojë ta mbrojnë këtë vend unik për të gjithë njerëzimin”, citohet të ketë thënë ai.
“Vendimi i UNESCO-s tregon se ky lokalitet është një pjesë integrale e trashëgimisë së larmishme palestineze me vlerë të jashtëzakonshme për njerëzimin”, ka thënë Rula Maayah, ministrja palestineze e Turizmit, e cila ishte e pranishme në takimin në Riad. “Duke pasur parasysh rëndësinë e Tel al-Sulltanit si qyteti më i vjetër i fortifikuar në botë ai meriton të jetë lokalitet i trashëgimisë botërore”, ka shtuar ajo.
“Gjurmë të vendbanimit të përhershëm në këtë lokalitet u gjetën 9 mijë deri në 8 mijë vjet para Erës Sonë, për shkak të tokës pjellore të oazës dhe qasjes së lehtë në ujë”, ka shkruar UNESCO në faqen e saj të internetit. Sipas arsyetimit, kafkat dhe statujat e gjetura në vend dëshmojnë për praktikat e popullsisë neolitike, ndërsa materiali arkeologjik i epokës së bronzit të hershëm tregon shenja të planifikimit urbanistik.
“Mbetjet nga epoka e mesme e bronzit zbulojnë praninë e një qyteti-shtet të madh kananit me një popullsi të organizuar”, ka shkruar UNESCO.
Në këtë lokalitet janë kryer gërmime arkeologjike tash e më shumë se një shekull dhe konsiderohet vendbanimi më i vjetër i banuar vazhdimisht në planet, ka shkruar agjencia zyrtare palestineze e lajmeve “Wafa”.
Tel al-Sultan është lokaliteti i katërt palestinez që përfshihet në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Arkeologjia politike midis Izraelit e Palestinës
Izraeli e pushtoi Bregun Perëndimor me tre milionë palestinezë në vitin 1967, kur pushtoi Rripin e Gazës, enklavë bregdetare me popullsi të dendur nga e cila u tërhoq në vitin 2005. Palestinezët synojnë të dyja territoret për shtetin e tyre, së bashku me Jerusalemin Lindor si kryeqytet.
Jericho është një nga qytetet më të vjetra të banuara në planet dhe destinacioni kryesor turistik në territoret palestineze. UNESCO-ja bëri thirrje gjithashtu për mbrojtjen e vendeve të tjera arkeologjike në Jericho.
Arkeologjia është një temë shumë politike në Izrael dhe Palestinë dhe zbulimet janë përdorur për të justifikuar pretendimet territoriale, raporton AFP.