Kulturë

“Unë jam vetë grua” për jetën e transgjinores në dy diktatura

Charlotte von Mahlsdorf është një ndër emrat më me nam kur flitet për historinë e grupeve të margjinalizuara në Gjermani.

E lindur më 18 mars 1928 me emrin Lothar Berfelde, Von Mahlsdorf nuk e kishte të lehtë që me prirjet e veta seksuale të jetojë gjatë nazizmit e as në kohën e komunizmit pas Luftës së Dytë Botërore në atë që prej vitit 1949 deri më 1990 ishte Gjermania Lindore ose Republika Demokratike e Gjermanisë, shkruan sot “Koha Ditore”.

Në moshën 16-vjeçare, Von Mahlsdorf do të përballej me një situatë të pazakontë. Pasi familja ishte braktisur nga e ëma, i ati i saj, Max Berfelde, anëtar e funksionar i Partisë Naziste, duke ia drejtuar revolen i kishte dhënë një orë kohë që të mendojë se cilin prind do ta zgjedhë. Ajo kishte vrarë të atin. E historia e saj si transgjinore e kishte përballur me shumë drama të tjera.

Disa pjesë të jetës së jashtëzakonshme të saj janë përmbledhur në shfaqjen “Unë jam vetë grua” me regji të Kushtrim Koliqit. Në rolin e Von Mahlsdorf, aktori Adrian Morina do ta zbërthejë jetën në lëkurën e një transgjinoreje të shekullit të kaluar.

Me tekst të Doug Wright, shfaqja do ta ketë premierën të mërkurën e kësaj jave në teatrin “Dodona” në Prishtinë. Organizata “Integra” në bashkëpunim me “Miza n’skenë”, kanë njoftuar se projekti teatror përqendrohet në jetën e jashtëzakonshme dhe me shumë dritëhije të Charlotte von Mahlsdorf, transgjinores nga Gjermania, që u ka mbijetuar sistemit nazist dhe Stasit.

Shfaqja do të vijë me tekst të përkthyer nga Artur Lena, me skenografi dhe kostumografi të Njomëza Lucit. Kompozitor është Trimor Dhomi, asistent regjisor, Bashkim Ramadani, video realizator Lum Çitaku dhe disenjator i dritave Skender Latifi/Shaban Maxharraj.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)