Kulturë

“Ulpiana Fest” në frymën e ringjalljes së qytetit antik dardan

Ulpiana Fest

Me një mozaik, ngjarjesh “Ulpiana Fest” kthen kohën prapa, duke ringjallur shenjat e jetës e duke ofruar shtegtim nëpër historinë mijëravjeçare të një qyteti si Justiniana Secunda (Foto: Zyra e Kryeministrit)

I vetmi festival i këtij lloji, “Ulpiana Fest” për dy ditë e feston trashëgiminë kulturore e atë arkeologjike. Edicioni i tretë ka qenë edhe e kremte për sukseset e arkeologëve e lloj mirënjohjeje e punës së tyre. Shfaqjet, ekspozitat, muzika, veshjet, e edhe ushqimi, kanë qenë krejt në frymën antike si gjurmime të kohës moderne për atë të epokës së antikitetit e te mesjetës. Motoja “Histori që merr jetë” ka ardhur në frymën e ringjalljes së qytetit antik dardan, i cili përditë e më shumë nxjerr dëshmi të reja sikurse ato të muajit të kaluar

Të paktën për dy ditë, parku arkeologjik “Ulpiana” në periferi të kryeqytetit është kthyer në arenë feste për trashëgiminë kulturore e arkeologjike në këto anë. Festivali “Ulpiana Fest” ia ka kthyer vëmendjen historisë së qytetit të lashtë duke e lidhur të kaluarën me të tashmen. 

Nën moton “Histori që merr jetë”, edicioni i tretë edukon audiencën nëpërmjet argëtimit që zbërthehet në lojë tradicionale, shfaqje skenike, shijimi i ushqimit e dëgjimi i muzikës tradicionale e asaj solemne të frymëzuar nga antikiteti. 

Nga rruga kryesore, të parat shenja që vërehen janë flamujt me ngjyra që ngjajnë në dekor. Por në fakt mbajnë emrat e përkrahësve dhe atyre që e mundësojnë zhvillimin e Festivalit. Të shumtë kanë qenë edhe ata që e kanë vizituar parkun arkeologjik “Ulpiana” të dielën. Gotat me verë janë cakërruar gjatë ecjes së tyre ku çdo hap është si shtegtim nëpër historinë mijëravjeçare të paraardhësve të shqiptarëve. Gostia është shtruar në tavolinat e vendosura në këtë hapësirë e në duaj kashte. 

Loja me hedhje të shigjetës është e para me të cilën takohet publiku i Festivalit në hyrje. Hapësirat e parkut janë gjallëruar me ngjyrat e veshjeve tradicionale e antike. Pos të ekspozuara, studentët e Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës edhe i kanë veshur ato. E kanë informuar publikun për historikun e periudhat nëpër të cilat janë përdorur. 

Kjo ka qenë ekspozita me titull “Shekujt mbi krahë” me veshje nga koleksioni i Tolinda Gojani-Asanit. Ajo ka thënë se veshjet komunikojnë me qytetërimin e antikitetit. 

“Nuk kufizohet vetëm në estetikën e kostumit tradicional, por vendoset në kornizë shkencore dhe filozofike duke qenë si veshje, dokumentim i qytetërimit, si dëshmi e ndërveprimit shoqëror dhe si bartëse e simbolikës së përjetshme. Në Ulpianë, ku çdo gur flet një epokë, ekspozita bën që historia dhe antropologjia të bashkohen në një skenë të vetme, duke e kthyer kujtesën kolektive në përvojë të gjatë”, ka thënë ajo për ekspozitën. 

Enët prej argjile e qeramike janë nën një tendë më tej, afër ushqimeve e pijeve që kanë qenë si koktej e përvojë e shijes së kulturës shqiptare. Aty është demonstruar edhe punimi i tyre. 

Krejt këto, përfshirë programin artistik me shfaqje të bazuar në ngjarje tradicionale e kronika që shfaq punën e arkeologëve, e përbëjnë ekspozitën e sivjetme të festivalit “Ulpiana Fest”. 

Emocionet e gjetjes në Justiniana Secunda, më të madhen të zbuluar deri më tash në Ballkan si dhe mbishkrimin e perandorit Justinian, janë transmetuar nëpërmjet një kronike të realizuar nga profesori në departamentin e Antropologjisë në Universitetin e Prishtinës, Arsim Canolli. Muajin e kaluar Ulpiana nxori sensacionin e radhës me mbishkrimin që saktëson vitin e inaugurimit, emrin e qytetit dhe mënyrën e financimit. Bazilika e ndërtuar me vullnetin dhe urdhrin e Justinianit të Madh është inauguruar në vitin 545. Kjo e dhënë është e shkruar në latinisht në mbishkrim e ky zbulim vlerësohet si shumë i rëndësishëm dhe i rrallë në krejt shtrirjen e botës romake. Si shenjë që perandori Justinian e ka lënë edhe emrin Dardania duke treguar prejardhjen e tij. 

E, si zakonisht, një copëz tradite shqiptare vjen nëpërmjet performancës skenike. Sivjet kjo ka ardhur me shfaqjen “Gjama” me tekst të Kujtim Manit nën regji nga Kaltërim Balaj. Loja e aktorëve në muret e parkut arkeologjik komunikon duke sjellë dy epoka të njerëzve që historikisht i kanë banuar këto zona. Për temë ka gjëmën e burrave në rast vdekjeje dhe atë të grave në anën tjetër. 

Hapja me lojën me kontrabas, në këtë kontekst më shumë ngjan në tinguj të lahutës. Nëpër muret e hapësirës arkeologjike, të veshur me veshje tradicionale, burrat punojnë tokën gjersa gratë, u servojnë atyre ujë nga enët prej qeramike e argjile, tek vallëzojnë në ritëm. 

Një gjëmë e madhe e ndërpret krejt këtë atmosferë dhe e çon vëmendjen diku tjetër. Te thirrja: “Ka dek Dhimitri more hej” që vjen nga larg. Nisin të dëgjohen të qara me dënesë, por të qeta. I vdekuri ishte luftëtar i zoti i Dardanisë. Në shfaqje përshkruhet si rojë e dyerve dardane. Se u vra me shigjetë. Vëllai i tij e vajton dhe i premton kujtim me pllakë, si nderimi më i lartë i asaj kohe, prej atyre llojeve që janë zbuluar edhe në Ulpianë. Vajtimi i grave vjen paralelisht nga ana tjetër. 

Si zakonisht, një copëz tradite shqiptare vjen nëpërmjet performancës skenike. Sivjet kjo ka ardhur me shfaqjen “Gjama” me tekst të Kujtim Manit nën regji nga Kaltërim Balaj (Foto: Zyra e Kryeministrit)

Drejtoresha e Festivalit, Rilinda Gjonbalaj, ka theksuar se në të njëjtin vend ku publiku ka qëndruar, para mijëra vjetësh ka jetuar një qytet i gjallë që ka praktikuar të njëjtat aktivitete si mysafirët e Festivalit të dielën mbrëma. 

“Sot edhe pse në pamje të parë duket se jeta ka pushuar, përmes këtij Festivali, Ulpiana po merr sërish frymë. Çdo vit më duket sikur Ulpiana na tregon edhe një kapitull të ri. Janë zbulimet që ndodhin përditë, mozaikë që dalin nga dheu, muret që qëndrojnë, shkrimet që presin të lexohen, dhe kjo është falë punës së arkeologëve tanë të cilët çdo ditë, nën diellin, pluhurin dhe dheun e këtij vendi, në heshtje i japin jetë këtij qyteti antik. Me përkushtim të jashtëzakonshëm i japin kohën, dijen dhe djersën e tyre në këtë proces kaq delikat të gërmimeve”, ka thënë ajo. 

Ka theksuar anën edukative të festivalit “Ulpiana Fest” për të rinjtë duke thënë se kësisoj rrëfehet historia.  

“Ky festival është për ju, për të gjithë ata që duan të njohin të kaluarën, por edhe ta mbajnë të gjallë. Është për fëmijët që për herë të parë modelojnë një enë balte, që bëhen pjesë e një gërmimi arkeologjik të sajuar, që mësojnë sesi janë prodhuar monedhat antike dhe që mësojnë historinë përmes lojës. Le të jetë ‘Ulpiana Fest’ një shembull i mirë se si asetet tona të trashëgimisë, të cilat në Kosovë janë me qindra, mund të kthehen në vende ku rikthehet jeta, ku ka gjallëri, ku zhvillohen aktivitete dhe ku historia rrëfehet përmes ngjarjeve kulturore”, ka thënë Gjonbalaj më tej. 

Hapësirat e parkut janë gjallëruar me ngjyrat e veshjeve tradicionale e antike. Pos të ekspozuara, studentët e Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës edhe i kanë veshur ato. E kanë informuar publikun për historikun e periudhat nëpër të cilat janë përdorur.  Kjo ka qenë ekspozita me titull “Shekujt mbi krahë” me veshje nga koleksioni i Tolinda Gojani-Asanit. Ajo ka thënë se veshjet komunikojnë me qytetërimin e antikitetit (Foto: Zyra e Kryeministrit)

E ka shpallur të hapur Festivalin, pasi ka falënderuar institucione e individë. Zëvendësuesja e drejtorit të Muzeut Kombëtar, Vjollca Aliu, ka thënë se kur flitet për kontributin në këtë park arkeologjik duhet pasur shumë kujdes. Sipas saj, shumë prej kontribuuesve të kësaj zone nuk janë përmendur fare. 

“Të flasim për Ulpianën duhet të jemi shumë të kujdesshëm sepse ka shumë që kanë punuar, janë angazhuar, për të ardhur Ulpiana ku është sot. Mendoj se ky është fillimi. Unë besoj shumë dhe përherë kam besuar në ekipin që ka udhëhequr gërmimet në lokalitet atëkohë e sot në parkun arkeologjik ‘Ulpiana’ dhe numri i njerëzve që duhet falënderuar është shumë i madh. Sonte u përmendën vetëm disa, sigurisht se si pionierë të këtyre gërmimeve janë profesoresha e ndjerë, Edi Shukriu, axha Kim, Fatmir Peja e kështu më radhë, gjithashtu edhe arkeologët e rinj”, ka thënë Aliu.

Sipas saj, festivali po shkon secilën herë duke u zhvilluar edhe më shumë duke përfshirë çdoherë më shumë vlerat e trashëgimisë arkeologjike e kulturore.

“Si Festival, mendoj se Departamenti i Antropologjisë është duke e bërë punën e vet dhe po të mos ishte një bashkëpunim i tillë institucionesh, mendoj se nuk do të ishim këtu ku jemi sot. Normalisht vlejnë të përmenden edhe bashkëpunimet ndërkombëtare që kanë pasur institucionet në kuadër të projektit të Ulpianës”, ka thënë ajo më tej. 

Në ceremoninë e hapjes së Festivalit, është nderuar arkeologu i shquar francez, Jean-Luc Lamboley, për aktivitetin e tij ndër vite për kontributin e tij në parkun arkeologjik “Ulpiana”, që u inaugurua më 2016, si i pari i këtij lloji në Kosovë.   Çmimin e ka pranuar arkeologu Christophe Goddard, i cili po ashtu ka dhënë kontribut të shquar në parkun arkeologjik. 

“Ata patëm vizion dhe duke iu falënderuar këtij vizioni, që nuk është vetëm puna në këto mure, ne patëm mundësi jo vetëm të zhvillojmë këto gërmime, por edhe të krijojmë këtë ekip. Shumica prej tyre janë zgjedhur nga profesori Lamboley me këta nxënës dhe profesoreshën Edi Shukriu. Ai më ftoi të bashkohem dhe jam falënderues, sepse kam mësuar shumë. Ky çmim është i rëndësishëm për të dhe për mua që do t’ia dorëzoj atij”, është shprehur Goddard. 

Midis krejt vlerave që sjell, “Ulpiana Fest” është edhe një lloj ndërgjegjësimi e edukimi i audiencës (Foto: Zyra e Kryeministrit)

Mirënjohjen në nderim të profesorit e ka ndarë kryeministri në detyrë, Albin Kurti. Me këtë rast ka thënë se mbrëmja e hapjes së festivalit është e rëndësishme, duke dhënë disa arsye. 

“Së pari, sepse jemi në një lokalitet me vlera të larta për vendin tonë, aty ku rishtazi, ekipi i arkeologëve nga Kosova dhe Franca, ka zbuluar dy gjetje të rëndësishme historike, të cilat dëshmojnë themelimin e qytetit Justiniana Secunda si qytet dardan si dhe rëndësinë e Ulpianës në antikitetin e vonë dhe në mesjetën e hershme. Së dyti, sepse këto pasuri të jashtëzakonshme arkeologjike tashmë janë në pronësi publike. U përkasin të gjithëve, na bashkojnë të gjithëve, gjë që do të mundësojë qasje në hulumtime të mëtutjeshme dhe të sigurojnë ruajtjen e tyre për brezat e ardhshëm si vlerë e përbashkët dhe universale”, ka thënë Kurti. 

Festivali ka nderuar gjithashtu edhe arkeologun Kemajl Luci, në vitin kur janë bërë 52 vjet punë në atë që dikur ishte lokalitet arkeologjik. Në fjalimin e tij pasi ka marrë mirënjohjen, ka theksuar lashtësinë e Ulpianës. 

“Ulpiana nuk ekziston prej shekullit të parë. Sipas hulumtimeve tona, të 1982-s, Ulpiana ekziston prej një mijë vjet më përpara, sepse këtu 600 metra prej jush, i kemi gjetur nëntë varre, tipike dardane me urna me djegie. Pra, ky vend ka ekzistuar edhe para ardhjes së romakëve, fati ynë, i Dardanisë, se gjithmonë e kemi pasur administratën romake, bizantine, otomane, atë të Jugosllavisë mbretërore dhe në vitet 2000 të jetë e pavarur ajo Dardani, por pak e ngushtuar”, ka thënë arkeologu Luci. 
Midis krejt vlerave që sjell, “Ulpiana Fest” është edhe një lloj ndërgjegjësimi e edukimi i audiencës. Për Ulpianën si lokalitet arkeologjik e si pasuri e trashëgimisë kulturore arkeologjike e cila duhet ruajtur e vlerësuar.