Imazhet e pasojave të luftës bashkë me portrete të njerëzve që janë duke përjetuar një përditshmëri të rëndë në Ukrainë do të shpërfaqen në ekspozitën “Ukraina në 10 orë”.
Ekspozita me fotografi do të hapet sonte (e martë) në qendrën për hapje dhe dialog COD në Tiranë. Me autor ish-politikanin, shkrimtarin ne publicistin Ben Blushi, fotografitë sjellin një fije realiteti të popullit ukrainas që prej fundshkurtit të këtij viti është duke u përballur me agresionin rus.
“Të udhëtosh 12 orë me tren, nga kufiri polak deri në Kiev, pa parë asnjë mal, është shumë e habitshme për një njeri si unë, që vjen nga një vend ku malet zënë më shumë se gjysmën e territorit. Ukraina është një fushë që nuk mbaron. Malet përbëjnë 5 për qind të sipërfaqes së saj dhe lartësia mesatare e tyre nuk i kalon 175 metrat”, ka përshkruar Blushi në njoftimin për ekspozitë.
Ka sqaruar se në vizitën e qershorit ishin rreth 50 ballkanas, gjysma shqiptarë dhe gjysma malazezë, shumica prej të cilëve kanë humbur përgjithmonë zakonin e udhëtimit mbi rrota hekuri, qëkur makinat vranë trenat, në betejën fushore mes shinave dhe asfaltit.
“Edi Rama më kishte ftuar të shkoja në Kiev, bashkë me Dritan Abazoviqin, këta të dy me shpresën se presidenti i Ukrainës do të lehtësohej që Shqipëria dhe Mali i Zi ishin gati t’ia linin radhën për t’u anëtarësuar në BE, ndërsa unë, me shpresën se mund ta bindja Volodymyr Zelenskyn, të pozonte për librin tim të ardhshëm”, ka bërë të ditur Blushi. Sipas tij,
dy kryeministrat ia arritën t’i premtonin Zelenskyt atë që priste. “Ndërsa unë duke e fotografuar, kuptova se ky premtim e mbajti të gëzuar për shumë pak kohë. Fytyra e Zelenskyt i ngjan një harte lufte. Aty ka lot, ka trishtim, ka dëshpërim, ka shpagim, ka zhgënjim, siç ka dhe shpresë. Nëse do të isha duke shkruar një hartim gjimnazi për Ukrainën, në eufori e sipër, do të thosha se në fushën e Ukrainës, Zelensky është i vetmi mal, nga lartësia e të cilit mund të shikosh edhe tanket ruse në Lindje edhe karvanët me ndihma që vijnë nga Perëndimi”, ka shkruar Blushi. Sipas tij, nga portreti i Zelenskyt mund të kuptosh se si superfuqitë e kanë ndarë botën në Lindje-Perëndim dhe duke u grindur se ku është kufiri kanë shkaktuar me mijëra viktima, funeralet e të cilave Zelensky i organizon çdo ditë.
“Kur fotografon, mësohesh të kuptosh çfarë mendon një njëri në atë moment. Mua m’u duk sikur Zelensky ishte me ne, por mendonte për disa të vdekur të dashur. Ose disa të dashur, që kishin vdekur”, ka shkruar Blushi.
Ka treguar se ekspozita nuk përmban veç Zelenskyn si president, por edhe foto nga Borodyanka dhe Irpini, dy qytete të bombarduara ne periferi të Kievit që janë të mbushura me gjurmë lufte.