Filmi “Luxembourg, Luxembourg” me skenar dhe regji të ukrainasit Antonio Lukich ka triumfuar në edicionin e parë të “PriGlobal” në Prishtinë. Siç e kanë përshkruar edhe organizatorët, filmi ndjek dy personazhet kryesore Kolyan dhe Vasilyn, të cilët janë në kërkim të babait që i kishte braktisur kur ishin fëmijë, pasi mësojnë se po vdiste në Luksemburg. Kolya e konsideron atë si një hero, ndërsa Vasya të kundërtën. Juria në përbërje prej aktores Ilire Vinca dhe regjisorëve Visar Morina e Burim Mustafa, nga pesë filmat me tematika të ndryshme, ka zgjedhur tragjikomedinë e ndërtuar prej personazheve me natyra krejt të ndryshme, por që i bashkon misioni për kërkimin e babait për t’ia dhënë lamtumirën.
Filmi vlerësohet të jetë me natyrë sentimentale, sa i ëmbël, po aq i hidhur mes turbulencave të komedisë dhe trishtimit.
“Kujtimet e fëmijërisë, kërkimi i së vërtetës, lidhjet familjare apo mungesa e tyre, vijnë me elemente komike përmes vizualizimit estetik të pasur me papritshmërinë e rrugëtimit të dy vëllezërve binjakë, në kërkim të babait. Ndonëse idealizimi i figurës së babait nga njëri, e mohimi i tij nga vëllai tjetër, lidhja e tyre forcohet me një përfundim që ndonjëherë është më mirë të mos kërkojmë të dimë gjithë të vërtetën”, shkruhet në vlerësimin e jurisë së “PriGlobal”, shpërndarë të shtunën.
Filmi ishte dhënë premierë në Festivalin e Filmit në Venecia më 7 shtator 2022. Aty ishte nominuar në kategorinë për filmin më të mirë. Në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Chicago kishte hyrë në garën e Regjisorëve të Rinj, ishte shpërblyer me çmime nga Akademia e Filmit në Ukrainë dhe festivale të tjera atje, si dhe kishte garuar në festivale ndërkombëtare.
“PriGlobal” – organizuar prej festivalit ndërkombëtar të filmit “PriFest”, i cili sivjet në shtator vjen me edicionin e 15-të – ka qenë edhe një lloj dritareje në Prishtinë për filmin e pavarur. E i fundit film që ka ndezur projektorin në “Kino Armatë” të premten mbrëma, “Ducks, an urban legend” i përafrohet natyrës së filmit fitues “Luxembourg, Luxembourg”. Nën regjinë e regjisorit izraelit, Shahar Rozen, pasqyron gjendjen shoqërore në Izrael me fokus në njërën prej lagjeve më të varfra të kryeqytetit. Lëvizjet e rosave prej gome që varen prej rrymave detare janë pasqyrë se sa e qëndrueshme është gjendja e komunitetit, të cilin e mban gjallë shpresa dhe sa mund t’i tejkalojë kufijtë e iluzioni për mbijetesë. Filmi i zhanrit komedi, krim e triller ka përmbyllur edicionin debutues të “PriGlobalit” me mesazhin se shoqëritë ngjasojnë pavarësisht ndarjeve me kufij politikë.
Filmi hapet me lajmin se mijëra rosa gome ishin shpërndarë kudo në detet e botës si pasojë e përplasjes së anijes që po i eksportonte ato. Për 104 minuta, fokusohet në dy çifte dhe një burrë beqar, i vendosur krejtësisht në një lagje të varfër në kryeqytetin e Izraelit. Yossi dhe Chris duan të martohen, por mezi ia dalin. Ndër skenat e parë që jepen në film është edhe ajo ku çifti shkon të kërkojë bekimin e babait për martesën e tyre, por kushtet e këtij të fundit nuk u shkojnë për shtati.
Në anën tjetër, Asaf dhe Anna nuk kanë ambicie të tilla dhe përqendrohen në detyra, siç është ajo e fitimit të parave. Në anën tjetër është edhe Elias, i cili pjesën më të madhe të kohës e kalon duke gjurmuar 28 mijë rosa prej gome të hedhura nga magazina e një anijeje që kishte rënë vite më parë në Oqeanin Paqësor. Drama fillon prej kur gjyshi i Asaf, Mesia, rrëzohet në kuzhinë pa shenja jete. Anna nxiton të lajmërojë për ta thirrur ambulancën, por Asaf kërkon të presë për një ditë. Ai blen një frigorifer akulloresh, në të cilin fut trupin e pajetë të gjyshit, pasi dëshiron të marrë pensionin e tij duke e konsideruar si të vetmen rrugë shpëtimi. Menaxherja e bankës nuk ia lëshon mjetet pa autorizimin e Mesisë dhe kështu Anna vjen me planin për ta bërë të duket i gjallë trupi i pajetë. Trupi i vdekur përdoret më tej edhe për shantazhet e banorëve, të cilët shpesh kërkojnë këshilla dhe bekim prej 85-vjeçarit. Asaf lidhet shpirtërisht me trupin e pajetë të gjyshit dhe ironia është se ndihet më së miri kur është në shoqërinë e njeriut të vdekur. Anna fillon të lodhet me këto mashtrime dhe kërkon të varroset trupi, por Asaf refuzon të pajtohet me të sepse nuk dëshiron ta braktisë gjyshin e tij. Humori i zi shpaloset në çdo skenë të filmit, e në një prej tyre edhe në këtë rast kur Anna i thotë se trupi “është i mbushur” dhe Asaf ia kthen me “askush nuk është perfekt”. Në anën tjetër janë Yossi dhe Chris, i pari që punon si instruktor i skive në ujë, ndërsa Yossi si parukiere. Ndonëse janë së bashku për 5 vjet, lidhja e tyre nuk është aq e fortë.
E përbashkëta e katër personazheve është se drejtohen nga paratë dhe ambiciet e tyre janë tejet të vogla. Ajo që vihet në pah më së shumti është edhe urata hebraike “Mazal Tov”, e cila përsëritet pafundësisht. Shpejt bëhet e qartë se asnjëri prej tyre nuk është i suksesshëm në përpjekjet e tyre. Filmi nuk ka aq mesazhe dhe ai që vihet më në pah, qoftë edhe sado pak, është paparashikueshmëria e jetës. Regjisori në një formë krahason rosat e gomës, të cilat mund të shfaqen papritur kudo në secilën pjesë të globit, me gjendjen e vështirë dhe të pasigurt të personazheve.
Të premten mbrëma kur është shfaqur filmi “Ducks, an urban legend”, i pranishëm ka qenë edhe regjisori izraelit, Shahar Rozen. Para se projektori të ndizej për filmin, ka shpjeguar për të pranishmit për rrjedhën e filmit. Ka treguar se tash e dhjetë vjet ua mëson aktrimin të rinjve në një prej lagjeve të varfra në Tel Aviv dhe se kanë mbledhur tregimet e studentëve aktorë të lagjes. Skenarin e kishin shkruar me aktorët dhe shkrimtarin Dudu Busi nga lagjja e krejt procesi i krijimit të filmit u kishte marrë kohë afër 15 vjet.
“Nga këndvështrimi im, filmi është bërë me shumë dashuri, dashuri për lagjen, e cila quhet ‘shpresë’. Me dashurinë për aktorët për të cilët kam punuar shumë gjatë, për dashurinë për babanë tim i cili ka vdekur. Për këto ditë sa kam qëndruar këtu, kam kuptuar për historinë tuaj dhe shpresoj të ketë sa më shumë dashuri, sa më pak urrejtje”, ka thënë para të pranishmëve regjisori Rozin, i cili për veprimtarinë e tij ishte vlerësuar me shumë çmime. Në vitin 1996 ishte vlerësuar si Regjisori më i Mirë në Garën e Filmave të Shkurtër në Akademinë e Filmit në Izrael. Gjithashtu kishte marrë çmimin “Best TV Drama” për “Mother V” në Festivalin e Filmit në Jerusalem në vitin 2001 dhe kishte Mirënjohje të veçantë në “Cinema Tout Ecran” në Zvicër.
“Ducks, an urban legend” e pati premierën në edicionin e 26-të të “Tallinn Black Nights Film Festival” në Estoni, ku kishte garuar në kategorinë ndërkombëtare.
Rrëfimi në të përmbyllet me ato ndodhi që do duhej të ndodhnin që në fillim të krejt historisë, përkundër se ndihet dhimbja dhe shpaloset kuptimi për të.

Organizatori i “PriGlobal”, Fatos Berisha, ka vlerësuar se të gjithë filmat që janë shfaqur në kuadër të programit kanë qenë pjesë e festivaleve më të mëdha, të cilat i ka konsideruar si vula të kualitetit. Sipas tij, ideja ka qenë që gjatë vitit të shfaqen filma të rinj që nuk mund në shihen në kinema dhe as në platforma për shfaqje filmash.
“Jam shumë i lumtur që arritëm të realizojmë këtë javë të filmit në kuadër të edicionit të parë të ‘PriGlobal’. Po e përmbyllim me një film tjetër të mrekullueshëm”, është shprehur shkurt Berisha para të pranishmëve.
Për KOHËN ka thënë se edhe me programin “PriDox” – i cili do të mbahet në qershor – do të synojnë pasurimin me aktivitete të ndryshme. “Edhe te ‘PriDox’ do ta kemi parasysh të bëjmë aktivitete të tjera pos shfaqjes së filmave, por fokusi do të jetë në shtator kur do të mbahet edicioni i ‘PriFilm’”, ka thënë Berisha, sipas të cilit specifikë ka qenë punëtoria me aktorë e regjisorë vendorë. Ai ka treguar se punëtoria kishte zgjatur tri orë dhe asaj i ishin bashkuar rreth 30 pjesëmarrës.
Punëtorinë e kishte mbajtur pikërisht regjisori izraelit, Shahar Rozin, nën temat “Building the timeline of the character” dhe “How to connect yourself to the character in the scene”.
Aktori Armond Morina, pas shfaqjes së filmit të regjisorit izraelit, ka thënë se është adhurues i kinemasë së pavarur. Sipas tij, filmi trajton filozofinë e jetës në krejt format dhe se historia që trajton është shumë domethënëse për publikun.
“Ne kemi nevojë për festivale dhe prurje të tilla. Sonte patëm kënaqësinë të shohim edhe një kulturë tjetër në Izrael, për ata që nuk kanë udhëtuar, një formë tjetër e paralagjeve të Izraelit. Për këtë arsye jam shumë i lumtur kur ka manifestime të tilla, pasi edhe shoqëria duhet të shohë se edhe pse jemi të izoluar, jemi të njëjtë në shumë aspekte”, është shprehur Morina, derisa filmin e ka vlerësuar si dritare që e njofton publikun me histori dhe gjendje të ngjashme me atë të Kosovës.

Në kuadër të programit ishin shfaqur edhe filmat “Our happiest day” të regjisores argjentinase Sol Berruezo Pichon-Riviere me të cilin ishte hapur “PriGlobal” më 24 prill. Një natë më pas ishte shfaqur filmi “Banger” i regjisorit Adam Sedlak nga Republika Çeke. Të mërkurën ishte shfaqur “Luxembourg, Luxembourg” e të enjten filmi “Kindling” i regjisorit britanik Connor O’Hara. Të pesë filmat ishin në garë për çmimin për filmin më të mirë në kuadër të javës së filmit ndërkombëtar të metrazhit të gjatë. Shfaqje e veçantë, jashtë garës, kishte pasur filmi i metrazhit të shkurtër “Bartësit e betonit”, prodhim i shkollës së filmit “NeoSchool” në kuadër të “KinoArmata”, ku janë mbajtur të gjitha ngjarjet e “PriGlobal”.
Programi “PriGlobal” u mbajt nën moton “ForHer” në dedikim të bashkëthemelueses së ndjerë të festivalit “Pri Film Fest”, producentes Vjosa Berisha, sikurse edhe ngjau me edicionin e kaluar që u mbajt për herë të parë në mungesë të saj.