Prishtinë, 28 maj – Dimër i gjatë mund të llogaritet ai midis viteve 1926 e 1927 sa i përket krijimtarisë së kompozitorit austriak Franz Schubert. Por në një tjetër aspekt mund të ketë qenë i shkurtër për të. Ishte dimri i parafundit që e jetonte.
Në nëntor të vitit 1928 ai vdiq në Vjenë në moshën 31-vjeçare. Vepra e tij “Udhëtimi dimëror”, i përbërë nga dy pjesë, kishte zënë fill në shkurtin e vitit 1927, kur edhe kompozoi pjesën e parë. Të dytën do ta përfundonte në vjeshtën e po atij viti. Vepra e tij në piano do të kompletonte 24 poezitë e poetit lirik gjerman, Johann Ludwig Wilhelm Müller. Poezitë janë aso që poetët i shkruajnë pas inspirimit nga ndonjë problem i madh. Mund të përdoren për të vajtuar për shumë gjëra, mbi të gjitha, jetën. E Schubert asokohe kishte çfarë të vajtonte në tingujt e pianos. Thuhet që e dinte se po ecte drejt vdekjes. Me gjithë melankolinë e dimrin brenda veprës, interpretimi i saj në pranverë ka rezultuar me emocione të veçanta.
Mexosopranoja Vikena Kamenica e pianistja Merita Rexha-Tërshana për rreth 70 minuta kanë hyrë në botën e “Udhëtimit dimëror” të dielën mbrëma, në amfiteatrin e Bibliotekës Universitare në Prishtinë, në kuadër të natës së tretë të festivalit ndërkombëtar të muzikës, “ReMusica”. Bashkë me to midis tingujve të pianos e vargjeve të poezive është futur edhe publiku. Të 24 poezitë të përthyera edhe në shqip, që shfaqeshin në projektor, kanë përshkruar një periudhë kohore mjaft interesante të njërit prej kompozitorëve më me nam austriak.
(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")