Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Triumfi i liberalizmit – triumfi i njeriut mbi autoritetet e rrejshme

Çështja e përhapjes së ideve, që më vonë artikulohen në ideologji, është proces i njohur në të gjitha civilizimet, duke filluar nga ato më të hershmet të evidencuara dhe të regjistruara nga arkeologjia dhe historia. Fillet e ideve kanë pasur dhe kanë si qëllim ndryshimin e gjendjeve ekzistuese të botëkuptimeve, që i sendërton dhe i përdor si të vlefshme një shoqëri si subjekt shtetëror, ose edhe i tërë një civilizim, shkruan Ardian Haxhaj në Shtojcën për Kulturë të Kohës Ditore.

Natyrisht se konceptimi i një ideje dhe ideologjie i paraqet argumentet e veta përse një ide dhe ideologji është më e mirë se të tjerat dhe, vetëm kur ballafaqohen polet e kundërta të ideve, atëherë qartësohen përparësitë, apo defektet e njërës, apo tjetrës ide dhe ideologji. Po ashtu, idetë dhe ideologjitë gjithmonë duhet analizuar në kontekst të kohës dhe të rrethanave.

Në librin e botuar në vitin 1943, “Zbulimi i lirisë - përpjekja e njeriut kundër autoritetit”, të teoricienes politike amerikane Rose Wilder Lane, shpërfaqen fillet e një ideje të zbërthyer edhe në formë të lëvizjes, apo ideologjisë: idesë së liberalizmit, pikërisht në kohën e thyerjeve më të mëdha ideologjike, në kohën e Luftës së Dytë Botërore, ndërmjet nazizmit e komunizmit në njërën anë dhe demokracisë liberale në anën tjetër.

E bindur se në natyrën njerëzore idetë sendërtohen nga individi, Rose Wilder Lane shprehet se çdo qenie njerëzore, për nga natyra e vet, është e lirë dhe si e tillë e çliron energjinë për të gjetur forma të mbijetesës, por që vetëm me kombinimin e energjive me sivëllezërit e tjerë e mbërrin rregullimin e mbijetesës dhe plotësinë në kërkesat fiziologjike dhe psikologjike. Sintagma “energji njerëzore”, e Laneit hyn në diskursin e filozofisë liberale si shpërthim i lirshëm psikofiziologjik i njeriut, për ta përshtatur për nevojat e veta habitatin e egër në të cilin jeton.(Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).