Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Triumfi i Izraelit në “Eurovision” − fitore e diplomacisë

Izraeli, duke u përballur me një mori çështjesh politike e ushtarake, u godit nga një valë euforie kombëtare fundjavën që shkoi, pasi që konkurrentja e shtetit e fitoi garën evropiane të këngës, me një himn për fuqinë femërore.

Pa u shqetësuar për përgatitjet për hapjen kontroverse të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Jerusalem, dramën lidhur me arkivat e vjedhura nukleare iraniane apo sulmet izraelite mbi objektivat ushtarake iraniane brenda Sirisë, shumë izraelitë kanë ndenjur zgjuar deri në orën 02:00 pas mesnate të shtunën, për ta parë përfundimin e garës vjetore ndërkombëtare që u mbajt në kryeqytetin portugez, Lisbonë.

Fitorja nga Netta Barzilai për himnin e saj me temë nga fushata #MeToo, duket se së paku për tani, lehtësoi frikën e thellë izraelite për bojkot kulturor dhe izolim, shkruan “New York Times”, transmeton “Koha Ditore”. Kur votat për këngën erdhën nga e gjithë bota dhe performanca e Barzilai mposhti këngët rivale nga shtetet si Austria, Qiproja dhe Suedia, shumë izraelitë e panë atë si fitore të diplomacisë.

Kryeministri Benjamin Netanyahu ishte në mesin e të parëve që festoi, duke u dhënë jehonë fjalëve të Barzilai, në ueb faqen e tij në “Facebook”: “Vitin tjetër në Jerusalem!”

Sipas protokollit të “Eurovisionit”, fituesi e përcakton vendin nikoqir ku mbahet gara e vitit pasues. Kështu që më 2019, gara do të mbahet në qytetin e shenjtë, për të cilin Izraeli është duke luftuar të njihet ndërkombëtarisht si kryeqytet. Fjalët “vitin tjetër në Jerusalem”, të kënduara tradicionalisht nga hebrenjtë në fund të ‘Yom Kippur’ dhe pas festës së Pashkëve, kanë rëndësi religjioze.

Netanyahu e ka telefonuar Barzilain derisa ajo po qëndronte ende në skenë, duke i rrëfyer që e gjithë familja e tij ka bërë tifo për të dhe se ajo ishte “ambasadorja më e mirë e Izraelit”.

Edhe Pjesëmarrja e Izraelit në “Eurovision” nxit protesta Kulturë Pjesëmarrja e Izraelit në “Eurovision” nxit protesta

Gëzimet e Izraelit mund të jenë jetëshkurtra natyrisht. Vendi ka qenë në prag të përgatitjeve për marshime masive palestineze, që potencialisht përfundojnë me gjakderdhje, në kufirin e Gazës.

Por të paktën për pak kohë, Barzilai, një pop-yll me fuqi vokale që ngre zërin për dallimet dhe tashmë është bërë e famshme për tingujt interesant dhe vallëzimin “pulë”, i bëri izraelitët të ndihen mirë.

“Mendoj që ajo që është e veçantë për këtë garë është që njerëzit janë këtu për muzikë dhe për t’u argëtuar”, ka thënë Elad Lahmany, një adhurues i madh i “Eurovisionit” që kishte udhëtuar në Lisbonë nga Tel-Avivi për garën... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)