Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Triptiku i rrëfimeve të artistit kosovar shpaloset në Berlin

Në shikim të parë krejt janë histori personale, por në esencë ato kontekstualizohen si tema globale. Ka vite që janë realizuar, por ende janë aktuale.

Berlini i ka bërë bashkë në një ekspozitë tri videot e artistit kosovar Alban Muja. Ata që rrëfejnë mbajnë emrat e vendeve si Palestina e Tibeti.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në mesin e këtij triptiku veprash është edhe rrëfimi se si një qen bëhet personazh gjatë një udhëtimi nëpër Shqipëri e Kosovë, shkruan sot Koha Ditore. Do të shfaqen sot (e shtunë) “Projektraum LS43”, një format ekspozite për art bashkëkohor i fokusuar në video.

“The legendary dog” i realizuar më 2014, “Palestina” më 2005, “Tibet” më 2009, do të projektohen për dy muaj me këtë ekspozitë, hapja e së cilës bëhet në kuadër të “Berlin Art Week”. Me kurator Boris Kostadinov, “The legendary dog” - sipas së cilës vepër është pagëzuar edhe ekspozita e Mujës - shfaq një fragment nga jeta e artistit gjerman Ulay (Frank Uwe Laysiepen).

Rrëfimi shkëput një udhëtim që ai dhe artistja serbe Marina Abramoviq bëjnë në Kosovë më 1977. Sipas përshkrimit që i bëhet videos, udhëtimi i tyre është kurorëzuar me një shfaqje që ndodh brenda kufijve të hekurt ndërmjet Jugosllavisë së atëhershme dhe Shqipërisë socialiste. Gjatë kthimit ata marrin me vete atë që njihet si qeni i Sharrit apo pastorin ilir i cili jeton me ta për 14 vjet.

”’Palestina’ shfaq historinë e një vajze kosovare, e cila bart emrin e shtetit që gjendet në Lindjen e Mesme. Emri ka qenë emocionues për të që kur ajo e kuptoi historinë e vërtetë të saj. Megjithatë, ajo ndihet krenare për emrin e saj dhe historinë se si e mori atë emër”, shkruhet në sqarimin që bëhet për këtë vepër. Nëna e saj, në kohën kur ajo po priste një fëmijë, u habit nga një tragjedi që po ndodhte në Palestinë. Ushtarët izraelitë vranë një të ri palestinez para të dashurës së tij. Ngjarja u zhvillua në vitin 1982, pak kohe para se të lindte vajza që më pas u pagëzua me emrin Palestina. E “Tibet” sjell historinë e një kosovari që jeton në Zvicër. Tibeti shpalos historinë e emrit të tij në video. Prindërit e tij me rastin e përzgjedhjes së emrit ishin solidarizuar me ambientin politik në Tibet. Sipas përshkrimit që i bëhet, videoja paraqet rëndësinë e interpretimit dhe ndikimit të lajmit mbi shoqërinë globale.

Artisti Alban Muja ka thënë se prezantimi i këtyre veprave në Gjermani për të ka një rendësi të veçantë. Fillimisht është e veçantë se ato do të shfaqen në një galeri që ka në fokus videot.

“Mënyra se si prezantohen të shtunën është e re për këto projekte. Është e rëndësishme që ekspozita po hapet gjatë ‘Berlin Art Week’”, ka thënë Muja.