Është një ngjarje reale, personazh është babai i artistit e regjisorit Alban Muja. “Mua besoj më shpëtoi portreti”, nuk është thjesht një deklaratë por rrëfen histori. Piktori Skënder Muja, do të ndalohej nga policia serbe. Do të detyrohej ta realizonte portretin e komandantit që ishte përgjegjës për atë burg të improvizuar. E ky rrëfim do të shpaloset me premierë botërore në kuadër të programit “Forum Expanded” të “Berlinales”, një nga ngjarjet më të rëndësishme të industrisë filmike botërore
Që në titull, filmi “Mua besoj më shpëtoi portreti” bën të ditur se rrëfen një histori mbijetese. Por në thelb, protagonisti i filmit të metrazhit të shkurtër me skenar dhe regji të Alban Mujës rrëfen sesi arti ia ka shpëtuar jetën – thjesht duke e ushtruar profesionin në një ditë kur piktori bie në duart e kasapit serb.
Rrëfimi i Skënder Mujës do të dëgjohet në Berlin në edicionin e 75-të të festivalit me nam të filmit “Berlinale”. Në një seksion të veçantë jashtë gare, do ta ketë premierën botërore.
Programi i plotë që përfshin lokacionin dhe kohën e shfaqjes ende nuk është publikuar. Por “Mua besoj më shpëtoi portreti” ka zënë vend në listën e filmave që e ndërtojnë edicionin e sivjetmë të “Berlinales” që mbahet prej 13 deri më 23 shkurt. Festivali në ueb-faqe bën të ditur se detajet do të publikohen më 4 shkurt.
Filmi i artistit e regjisorit Muja, i cili jeton e vepron midis Prishtinës e Berlinit, do të shfaqet në kuadër të programit “Forum Expanded” të “Berlinales”, një nga ngjarjet më të rëndësishme të industrisë filmike botërore.
Bëhet e ditur historia prekëse e filmit. Ai trajton tema të mbijetesës, qëndresës dhe fuqisë transformuese të artit gjatë luftës në Kosovë. Përshkruhet si eksplorim i fuqishëm i krijimtarisë e si mjet qëndrueshmërie përballë sfidave të jashtëzakonshme. Të tillë e zbërthen edhe skenaristi e regjisori i filmit, Alban Muja.
“Filmi flet për një ngjarje që ka ndodhur 25 vjet më parë, gjatë luftës në vitin 1999. Është një ngjarje familjare, pasi në rolin kryesor si narrator është babi im, piktori Skender Muja, i cili në film rrëfen një histori mbijetesë. Në muajt e fundit kaotikë të luftës, babi dhe shumë burra shqiptarë nga Mitrovica, pasi kishin ecur një javë, u kapën kur përpiqeshin të largoheshin nga Kosova”, ka shpjeguar Muja në një bisedë për KOHËN. Ka rrëfyer se edhe vetë atij i ishte kanosur ky rrezik.
“Në fakt, edhe unë isha aty, por arrita të shpëtoja. Ata, para se të dërgoheshin në burgun e Smrekonicës, ishin ndaluar në një shkollë në hyrje të Skenderajt, të kthyer në një qendër ndalimi”, ka thënë Muja më tej.
Këtë rrëfim autentik të babait të tij, Alban Muja e shpalos para publikut ndërkombëtar duke e bërë atë të jehojë që në nisje të rrugëtimit me pjesëmarrjen në një prej festivaleve më të rëndësishme në botën e filmit. Ngjarjet kthehen si retrospektivë dhe sillen të freskëta, një çerekshekull pas.
“Ata përballeshin me frikë, izolim dhe një të ardhme të pasigurt. Filmi flet për atë çka kishte ndodhur në këtë ‘shkollë’, pasi babi ishte detyruar të bëjë portretin e komandantit që ishte përgjegjës për atë burg të improvizuar, në të cilin kishin përjetuar çdo gjë. Babi beson se portreti që i ka bërë komandantit mund t’ia ketë shpëtuar jetën. Filmi është për këtë portret dhe për mënyrën se si arti mund të ketë ndihmuar atë gjatë ditëve të vështira të jetës”, ka thënë Muja derisa ka zbuluar historinë e filmit “Mua besoj më shpëtoi portreti”.
Në vitin 2010, në edicionin e 60-të të këtij festivali garonte filmi “Unplay” ku ai ishte bashkëautor me Joanna Rytel, garonte në kategorinë e filmave të shkurtër të “Berlinale”.
“Si autor i filmit, është shumë e rëndësishme për mua që të kthehem në Berlinale pas 15 vjetësh, por ajo që është më e rëndësishme është të ndaj këtë histori tonën me një publik të gjerë të festivalit, pasi ‘Berlinale’ është një nga ngjarjet më të rëndësishme të industrisë filmike botërore. Filmi është në seksionin ‘Forum Expanded’, një seksion që më pëlqen shumë, pasi sjell para publikut kinemanë e re dhe art-filmat”, është shprehur artisti e regjisori Muja. E ka theksuar rëndësinë e shpalosjes së rrëfimit të filmit në kryeqytetin gjerman.
“Berlini është një qytet i kulturës dhe kultura është rruga që duhet të ndiqet për promovimin e vendit tonë”, ka thënë ai.
Për lajmin e premierës së filmit në “Berlinale” ka shkruar edhe kryeministri Albin Kurti. E ka uruar Mujën dhe ekipin e filmit duke e konsideruar si përfaqësim shumë të vlefshëm.
“Filmi rrëfen tregimin e piktorit Skender Muja i cili bashkë me qytetarë të tjerë mitrovicas, u ngujuan nga forcat serbe në një shkollë të Skenderajt të shndërruar në kamp ndalimi në vitin 1999 gjatë luftës në Kosovë. Një reflektim i mbijetesës dhe qëndresës në relacion me fuqinë e artit për t'i arritur dy të parat”, shkruhet në postimin e Kurtit.
“Mua besoj më shpëtoi portreti” është prodhuar nga studioja “038STUDIO” në Prishtinë, në bashkëprodhim me “AsfaltFilms” nga Amsterdami dhe mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës.
“…filmi ndërthur reflektimet e tij mbi fuqinë transformuese të artit me rikrijime dramatike të përvojës së tij. ‘Mua besoj më shpëtoi portreti’ është një dëshmi e qëndrueshmërisë, duke ilustruar se si krijimtaria mund të shfaqet si një mjet mbijetese edhe në kushtet më shtypëse”, ka shkruar Qendra Kinematografike e Kosovës në një postim në rrjetet sociale.
QKK-ja e konsideron këtë projekt si “dëshmi e fuqisë së bashkëpunimit ndërkombëtar dhe një hap i rëndësishëm për industrinë kinematografike kosovare”.
“Forum Expanded” është program i kuruar dhe i organizuar në mënyrë të pavarur nga instituti për film dhe video art “Arsenal” si pjesë e “Berlinales”.
“Përzgjedhja vjetore e zakonisht rreth 40 filmave për Forumin përqendrohet në prodhimet bashkëkohore ndërkombëtare të kinemasë dhe shmang dallimet konvencionale, si ai midis filmit fiction dhe dokumentarit. Me zakonisht rreth 30 filma të shkurtër dhe të gjatë, një ekspozitë në grup, ngjarje skenike dhe panele, ‘Forum Expanded’ ofron një platformë të hapur për formatet filmike nga një gamë më e gjerë disiplinash, duke përfshirë artin pamor, teatrin, performancën, muzikën dhe median”, shkruan “Berlinale” për këtë program.
Rrëfimet nga Kosova jo rrallë dëgjohen në “Berlinale”. Në edicionin e kaluar aty e pati premierën filmi “Afterwar” me skenar dhe regji të danezes Birgitte Stærmose që garonte në programin “Panorama”. Filmi me frakturë dokumentare rrëfente për pasojat e luftës dhe jo vetëm. Gjithashtu çdo vit QKK-ja është pjesë e Tregut Evropian të Filmit në “Berlinale”. Vjet qe mbajtur nën moton “It all starts here!”.
Kosova ka histori në festivalin me nam në skenën ndërkombëtare.
Më 2019, dokumentari “Në mes”, nën regji të Samir Karahodës e kishte çuar Kosovën për herë të parë në konkurrencën zyrtare të festivalit ndërkombëtar të filmit “Berlinale”, ku edhe pati premierën botërore.
E emri i Kosovës në këtë festival ishte dëgjuar edhe nëpërmjet filmave të Visar Morinës, “Exil” e “Babai”, përderisa aktorët Ilire Vinca e Çun Lajçi ishin të parët nga Kosova, të cilët në shkurtin e vitit 2011 parakaluan në tepihun e kuq të “Berlinales”. Atje i çoi filmi ku ata luajtën “Falja e gjakut”, nën regji të Joshua Martsonit, i cili shkroi edhe skenarin bashkë me Andamion Muratajn. Produksioni shqiptaro-amerikan u shpërblye me dy çmime në festivalin prestigjioz.