Tringa Blakaj dhe Fiona Beqiri e kanë gjetur një mënyrë të veçantë të punëdoreve. Janë ulëse të cilat zanafillën e kanë në tri fije, siç e ka marrë emrin edhe brendi i tyre me produkte unike. Dyshja me “3Fije” i jep një tjetër frymë artizanatit
Janë ulëse të ndryshme të veçanta në dukje e në ide. Janë tërësisht punëdore, kreacione origjinale të Tringa Blakajt dhe Fiona Beqirit.
Të dyja me profesione primare të ndryshme e kanë gjetur pasionin e përbashkët për realizimin e gjësendeve unike. Tërë këtë veprimtari e kanë filluar në kohë pandemie. Në pamundësi të kalimit të kohës në mënyra të tjera, pos të mbyllura në shtëpi, nisën të punonin ulëse me ngjyra e forma të ndryshme, të cilat tash njihen si “3Fije”. Zanafilla e produkteve të tilla janë tri fije materiali. Varësisht nga madhësia e kërkuar tri fijet mbushen me pambuk.
“Me pe kemi ditë të punojmë kaherë dhe duke provuar të bëjmë diçka interesante edhe praktike filluam të punojmë ulëse. Kemi nisur me disa më të vogla me fije pambuku. Menduam si t’i zmadhojmë këto të voglat dhe deri tash kemi punuar edhe divane. Në pandemi kemi filluar dhe dolën interesante, u pëlqyen njerëzve. Kështu ka filluar gjithçka. Më pas lindi ideja të provojmë diçka me materiale e ngjyra të ndryshme dhe kështu filloi e tëra”, ka thënë Blakaj.
Blakaj ka thënë se në fillim plani i tyre ishte vetëm t’i realizonin idetë e tyre e të shprehnin kreativitetin. Nuk e kishin qëllim t’i shisnin, apo të gjeneronin të ardhura nga to. Nuk shkoi shumë kohë kur filluan të pranonin porosi e të vërenin se interesimi për to sa vjen e rritet.
“"Nuk e kemi pasur në plan të bëjmë diçka për publikun. Por Fiona e kishte hapur një faqe në rrjetet sociale dhe me fotot e para kemi filluar t’i marrim porositë. E pamë që ka interesim dhe kështu filluam të punojmë edhe me porosi. E kujtoj atë të parën, ishin dy ulëse për një vajzë dhe një djalë të vogël”, ka thënë Blakaj
Është thuajse e pamundur që dy produkte të “3Fije” të finalizohen krejtësisht njësoj. Edhe nëse kjo do të kërkohej. Blakaj thotë se kjo është edhe e bukura e punëdoreve. Secili produkt është unikat. Në të tilla raste ajo ka treguar se klientët e vlerësojnë veçantinë.
“Krejt ka qenë prej ideve tona dhe asnjëra nuk del e njëjtë me tjetrën. Puna është ashtu dhe procesi është i tillë. Çdo gjë bëhet me dorë. Edhe në rastet kur dikush mund të kërkojë një ulëse identike me një tjetër, është e pamundur që të jenë të njëjta tërësisht. Është një punë atraktive edhe neve po na largon mendjen edhe nga përditshmëria dhe është një gjë që po na pëlqen ta bëjmë”, ka thënë Blakaj.
Puna e Tringa Blakajt dhe Fiona Beqirit nuk kalon pa sfida. Kryesisht janë ato të formës finale që e merr një ulëse e punuar prej tyre. Në shikim të parë një divan i punuar me vetëm tri fije mund të duket e thjeshtë. Jo rrallë ndodh që në mes të procesit të punës të shkojë diçka gabim. Në këto raste duhet rifilluar gjithçka dhe zgjidhja të bëhet aty për aty.
“Këto sakrificat gjatë punës kur e punojmë një produkt zakonisht e kanë delikatesën e vet, sepse ne kemi dëshirë të duket si është më së miri. Në momentin që nuk na shkon mirë ndonjë gjë duhet të gjejmë zgjidhje aty për aty”, ka thënë Beqiri.
Ka kohë që krahas krejt obligimeve të tjera, dyshja e “3fije” po vazhdon të sjellë punime të veçanta që nuk ndalen vetëm tek ulëset. Çantat e zbukurimet për ambiente të brendshme janë ato që e përmbushin listën e produkteve të punuara nga to. Për këtë, Beqiri ka thënë se duhen dashuri e përkushtim.
“Kur diçka është e jotja krejt si ide është shumë ndjenjë e mirë kur e sheh një produkt final që është krejt punë e jotja. Po flas edhe nga përvoja personale si arkitekte kur shoh produktet finale të miat”, ka thënë Beqiri.
Për punëdoren, Fiona Beqiri ka thënë se në Kosovë nuk vlerësohet aq sa do të duhej. Ato pak komente jo të mira që i marrin ka thënë se janë kryesisht për çmimet të cilat zakonisht vendosen në bazë të materialit dhe kohës që merr për t’u finalizuar.
“Kemi pasur rate që klientët që vetëm janë interesuar kanë dhënë komente të ndryshme. Në një rast dikush më ka shkruar se me një shitje të një divani do të mund t’i siguronte pushimet verore në Maldive. Kjo më është dukur qesharake. Kryesisht janë pozitive dhe gjithçka është duke shkuar mirë deri tash”, ka thënë Beqiri.
“3fije” tashmë ka kaluar kufijtë e Kosovës, duke pranuar kërkesa nga vende të ndryshme të botës. Me të njëjtin ritëm synojnë ta vazhdojnë kreativitetin me “3 fije”.