Kulturë

Tre artistë “mbyllen” në studio të hapur në komunikim me publikun

Piktorët Arbnor Karaliti, Lumturie Krasniqi dhe Yll Xhaferi e shndërruan hapësirën e “Paper Gallery” në studio të hapur. Aty komunikuan me njëri-tjetrin e me publikun, teksa realizuar veprat e tyre që do të bashkohen në ekspozitë

Në studion jo edhe aq të madhe, në hapësirat e “Paper Gallery”, tre artistë në medium të përbashkët, pikturën, ndanë përditshmërinë me njëri-tjetrin. Puna, kafetë e mëngjesit e pauzat e gjata për më shumë se një muaj ishin më ndryshe se zakonisht për Arbnor Karalitin, Lumturie Krasniqin dhe Yll Xhaferin. Veprat e tyre të realizuara gjatë asaj kohe do të ndahen me publikun në ekspozitë

Për një muaj e 24 ditë tre piktorët, Arbnor Karaliti, Lumturie Krasniqi dhe Yll Xhaferi, e shndërruan hapësirën e “Paper Gallery” në studio të hapur. Bashkë me “Paper Gallery” dhe “Prishtina Biennale” studioja qëndroi e tillë në kuadër të projektit “Në duart tona”. Pjesë e këtij projekti qenë edhe artistë të tjerë. Por veprat e treshes do të bëhen tok në ekspozitën “Daily Archived”.

Vullnet Jakupi, koordinator i “Paper”, ka kujtuar se Naho Kawabe nga Japonia, Dor Zlekha Levy nga Izraeli dhe Chuck Blue Lowry nga Londra janë vetëm tre prej artistëve ndërkombëtarë që nëpërmjet artit të tyre prekën tema sociale e të tjera që e preokupojnë shoqërinë në tërë botën. Ka thënë se këto ditët e fundit dhe vizitat e shumta nga publiku ia shtuan veçantinë studios së parë të hapur në vend.

“’Paper Gallery’ ka qenë funksionale tash e tre vjet. Në shkurt të këtij viti do të mbyllet edhe programi që u iniciua tre vjet më parë. Kemi pasur artistë të ndryshëm internacionalë dhe të vendit. Artistë që, po ashtu, kanë pasur ekspozita në disa prej galerive më me renome në botë, siç ka qenë ajo në Tate Modern e deri te galeritë e tjera të shumta”, ka thënë Jakupi.

Por komunikimin me publikun, Karaliti e dy kolegët e tij e kanë bërë në mënyrë më të veçantë. Ai ka portretizuar personazhe që e rrethojnë. Secilin nga portretet e tij, pos personazheve, e karakterizojnë edhe figurat gjeometrike e harmonia e ngjyrave në prapavijë. Ato, po ashtu, vijnë në dimensione të ndryshme me akrilik në pëlhurë.

Ndarja e kësaj hapësire me kolegët bëri që në portretet e tij të bëjnë pjesë edhe Krasniqi e Xhaferi. Kjo është një praktikë që e shquan krijimtarinë e tij.

“Gjithmonë njerëzit përreth meje i portretizoj në piktura, kjo është ajo çfarë jam i fokusuar më shumë. Pastaj edhe gjatë kësaj periudhe këtu në ‘Paper’ nuk ka pasur si të shkojë ndryshe përpos me i pikturua Yllin edhe Lumturien, me të cilët e kam nda kohën më së shumti gjatë këtyre dy muajve”, ka thënë Karaliti.

Përvojë të veçantë e përshkruan edhe Lumturie Krasniqi ndarjen e hapësirës jo aq të madhe me të tjerët.

Komentet, kritikat dhe lëvdatat edhe nga publiku, edhe nga kolegët, thotë se do t’i mbajë gjatë me vete, edhe pasi që projekti të përfundojë.

Për më tepër, mundësinë që publiku ta shohë një vepër arti të marrë formë deri në atë të përfunduar e cilëson si shtysë për zhvillim individual.

“Ka pasur shkëmbime të komenteve e të kritikave. Ne si artistë e kërkojmë këtë çdoherë edhe nga artistët e tjerë, por edhe nga publiku. Ne të tre mes vete i kemi shkëmbyer edhe hulumtimet që jemi duke i bërë, i kemi shkëmbyer teknikat dhe mendoj se kjo ka ngjallur edhe kureshtje për teknikat e njëri-tjetrit. Në njëfarë forme kjo edhe zhvillimin individual të secilit e ka shtyrë përpara”, ka thënë Krasniqi.

Ndër pikturat që janë punuar në studion e hapur janë edhe ato të Yll Xhaferit. Një nga ato që të bie në sy posa hyn në galeri, në vete ka teknika të ndryshme e ngjyra pasteli në kombinim me ato të ndezura.

Autori i ekspozitave të shumta këtë përvojë e cilëson si më të veçantën.

Me Krasniqin dhe Karalitin janë shokë të kamotshëm, e për këta dy muaj edhe më. Me stil e teknikë ndryshe nga kolegët, Xhaferi thotë se të përbashkëtat me ta e edhe me publikun i gjeti gjatë kësaj kohe në studio të hapur.

“Ka qenë ideja e Galerisë që ta bëjë këtë ‘open studio’ si studio e hapur dhe na kanë kontaktuar neve si tre artistë të cilët edhe jemi shokë paraprakisht. Na është dukur ide shumë e mirë që ta ndajmë një hapësirë e cila ka funksionuar çdoherë si galeri, por në këtë rast po shndërrohet në studio, me idenë e studios së hapur që njerëzit të kenë mundësi të vijnë, të na shohin në proces të punës, të bashkëbisedojnë me ne”, ka thënë Xhaferi.

“Daily Archived” me pikturat e realizuara prej dy dhjetorit e deri më tash do të hapet të enjten.