Kulturë

Trashëgimia e perandorit Mark Aureli ringjallet në rrjete sociale

Mark Aureli

Sot njihet si një perandor-filozof. Mark Aureli qeverisi në një kohë të shënuar nga kriza dhe katastrofa. Ai u ngjit në fron në vitin 161, pak vjet para Luftërave Markomane (166–180) – Markomanët ishin fise gjermane – që tronditën Perandorinë Romake deri në themele. Përveç kësaj, kishte probleme ekonomike, tensione sociale dhe përhapje të Murtajës Antonine, një formë e lisë, nëpër territoret e perandorit romak

Deklaratat apo fjalët e urta në “Meditimet” e perandorit romak Mark Aureli (121–180) janë të shumta. Ai nuk kishte qëllim që këto reflektime të publikoheshin – i kishte shkruar vetëm për vete – por ato janë bërë ndër shkrimet më të lexuara në botë pas Biblës dhe Kuranit. Një bestseller, mund të thuhet, i përkthyer në shumë gjuhë anembanë botës. Tash fjalët e tij kanë marrë hov në rrjete sociale

 “Shiko brenda vetes. Brenda është burimi i së mirës, dhe do të shpërthejë vazhdimisht, nëse ti do të vazhdosh të gërmosh”.

Deklarata apo fjalë të urta si kjo gjenden në “Meditimet” e perandorit romak Mark Aureli (121–180). Ai nuk kishte qëllim që këto reflektime të publikoheshin – i kishte shkruar vetëm për vete – por ato janë bërë ndër shkrimet më të lexuara në botë pas Biblës dhe Kuranit. Një bestseller, mund të thuhet, i përkthyer në shumë gjuhë anembanë botës.

Sot njihet si një perandor-filozof. Mark Aureli qeverisi në një kohë të shënuar nga kriza dhe katastrofa. Ai u ngjit në fron në vitin 161, pak vjet para Luftërave Markomane (166–180) – Markomanët ishin fise gjermane – që tronditën Perandorinë Romake deri në themele. Përveç kësaj, kishte probleme ekonomike, tensione sociale dhe përhapje të Murtajës Antonine, një formë e lisë, nëpër territoret e perandorit romak.

Qetësia shpirtërore – ishte një nga parimet bazë të Mark Aurelit, një ndjekës i madh i stoikëve, një shkollë antike filozofie e themeluar nga Zeno i Kitiumit në vitin 300 para erës sonë.

Mark Aureli dëshironte të ishte një sundimtar i mirë, por çfarë është qeverisja e mirë?

Kjo pyetje, ende e rëndësishme edhe sot, e shqetësonte shumë, siç shihet në “Meditimet” e tij.

Por bashkëkohësit e tij nuk do t’i kishin lexuar kurrë këto shkrime, sipas arkeologut Marcus Reuter, drejtor i Muzeut Regjional të Rhinelandit në Trier.

“Romakët as nuk e shihnin atë si një perandor-filozof. Shkrimet e tij nuk u bënë publike gjatë jetës së tij. Ai shkruante për vete, në heshtje, në dhomën e tij në mbrëmje”.

Mark Aureli e fitoi imazhin e perandorit-filozof vetëm pas botimit të “Meditimeve” në shekullin e 15-të ose të 16-të.

Reuter dhe historiania Viola Skiba, drejtoreshë e Muzeut të Qytetit Simeonstift në Trier, kanë bashkëkuruar një ekspozitë për Mark Aurelin në të dy institucionet e tyre, që do të mbahet nga 15 qershori deri më 23 nëntor 2025. Skiba thotë se temat e ekspozitës janë më aktuale sesa kishin menduar. Në këto kohë krize dhe polarizimi, pyetja çfarë është udhëheqja e mirë ka marrë një urgjencë të re. Megjithatë, kjo pyetje është po aq e vjetër sa vetë historia njerëzore dhe ishte e rëndësishme edhe në botën antike.

Çfarë, sipas Mark Aurelit, e dallon një qeverisje të mirë?

“Bazuar në virtytet kardinale të antikitetit”, thotë Skiba. Këto virtyte përfshijnë urtësinë, drejtësinë, maturinë dhe përmbajtjen. Një koncept kyç është “orientimi drejt të mirës së përbashkët”, pra veprim për të mirën e vërtetë të shoqërisë.

“Kjo është ajo që e dallon një sundimtar të mirë nga një i keq sipas Aristotelit”, thotë ajo.

Reuter shton se Mark Aureli ndoshta nuk do ta konsideronte Donald Trumpin një udhëheqës të mirë e aq më pak një shembull për t’u ndjekur.

Por, natyrisht, Mark Aureli ishte produkt i kohës së vet, i rritur brenda strukturave shoqërore të antikitetit.

“Ekzistonte skllavëria dhe as vetë Mark Aureli nuk donte ta shfuqizonte atë”, thotë Reuter. Ai gjithashtu nuk e vinte në pikëpyetje faktin që kishte njerëz me dhe pa të drejta qytetarie romake, apo që gratë nuk kishin të njëjtat të drejta si burrat.

Nga një këndvështrim modern mund të duket e çuditshme ta quash virtuoz një perandor që zhvilloi luftime të dhunshme.

“Por, sipas standardeve të lashtësisë, perandori pritej të siguronte mbrojtjen e perandorisë dhe të banorëve të saj edhe me mjete shumë të dhunshme, nëse ishte e nevojshme”, thotë Reuter.

“Ai merrte pjesë gjerësisht në gjykime. Përpiqej të jepte vendime të drejta dhe gjithmonë vendoste interesat e shtetit në radhë të parë” shton ai.

Ndërtimi i Portës së Nigrës në Trier — simboli më i njohur i qytetit sot — gjithashtu lidhet me Mark Aurelin. Ishte pjesë e murit rrethues të qytetit që ai urdhëroi të ndërtohej për mbrojtjen e qytetarëve.

Aforizma si ajo më sipër mund të duken si ironi nga një perandor i pasur, por në të vërtetë ai i kishte me sinqeritet. Mark Aureli jetonte në mënyrë modeste dhe madje nxori në ankand gjërat e pallatit perandorak — pasuritë e tij personale — kur shteti përballej me një krizë financiare.

“Për aq sa di unë, asnjë perandor romak para apo pas tij nuk e ka bërë një gjë të tillë”, thotë Reuter.

Ai gjithashtu duket se kalonte shumë kohë duke medituar mbi kuptimin e jetës dhe kjo është ndoshta arsyeja pse kaq shumë të rinj sot ndihen të tërhequr nga ai dhe shkrimet e tij. Sipas Reuter, “Meditimet” janë një thesar i vogël me mendime që u përshtaten pothuajse çdo situate në jetë.

Arkeologu thekson se shkrimet e Mark Aurelit nuk lexohen si një libër klasik nga fillimi në fund, por janë ideale për të gjetur frymëzim herë pas here. Në fund të fundit, janë mendimet private të dikujt që kalonte kohë duke reflektuar për gjërat që kanë vërtet rëndësi në jetë. Prandaj nuk është për t’u çuditur që citatet e perandorit romak gjenden gjithandej në rrjetet sociale.

Ekspozita në Trier ndërtohet mbi këtë interes bashkëkohor për Mark Aurelin dhe temat që e preokupuan atë. Qëllimi është të frymëzojë vizitorët nga e gjithë bota të reflektojnë mbi veten, shoqërinë dhe mbi atë që një perandor romak nga lashtësia ende mund të na thotë shumë edhe sot. Siç shprehet Viola Skiba: “Çdo shoqëri mbështetet në individë dhe nëse çdo individ e pyet veten për këto pyetje filozofike dhe politike, atëherë funksionon edhe shoqëria si një e tërë”.