Kulturë

“Toka brenda meje” godet me të parën, premierë në “Tallinn Black Nights”

Nëse premiera botërore është ajo që do t’ia përcaktojë edhe rrugëtimin e mëtejmë, filmin “Toka brenda meje” e pret suksesi. Filmi me skenar dhe regji të Fisnik Maxville garon në festivalin prestigjioz, “Tallinn Black Nights” të Estonisë, i cili ka kohë që renditet në listën e ngjarjeve madhore të filmit. “Për mua është një kënaqësi shumë e madhe po edhe arritje shumë e madhe për kinematografinë e Kosovës. Festivali ‘Tallinn Black Night’ është në mesin e 12,13 festivaleve më të mira në botë”, ka thënë Maxville. ”Toka…” ka konkurrent edhe kandidatin e Shqipërisë për “Oscar”, ndërkaq kinematografia e Kosovës nuk është e panjohur për “Tallinn Black Night”

Filmi i parë i metrazhit të gjatë të regjisorit shqiptar Fisnik Maxville e ka nisur mbarë. Do të jepet premierë botërore në festivalin prestigjioz, njëri prej më të njohurve – “Tallinn Black Night” të Estonisë.

Lajmin e ka bërë të ditur Qendra Kinematografike e Kosovës, të enjten e për ekipin, është një goxha arritje. “Toka...” është në konkurrencë zyrtare të edicionit të 26-të. Aty do ta ketë konkurrent edhe filmin nga “Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur”, të Gentian Koçit, kandidati i Shqipërisë për “Oscar” për vitin që vjen.

“Filmi i metrazhit të gjatë artistik ‘Toka brenda meje’ me regji nga Fisnik Maxville, do ta shfaqë premierën në festivalin e filmit ‘Tallin Black Nights' në Estoni, njërin prej festivaleve më të mëdha të filmit në Evropën Veriore, njëherësh edhe festival i kategorisë ‘A’, i cili do të mbahet përgjatë datave 11-27 nëntor 2022”, ka shkruar QKK- ja në profilin e saj zyrtare në Facebook.

Fisnik Maxville, regjisori i “Toka brenda meje” është shprehur shumë i gëzuar për premierën dhe për këtë ka numëruar disa arsye.

“Për mua është një kënaqësi shumë e madhe po edhe arritje shumë e madhe për kinematografinë e Kosovës. Festivali ‘Tallinn Black Night’ është në mesin e 12,13 festivaleve më të mirë në botë. Për mua kjo gjë është shumë e rëndësishme edhe për faktin se ky është filmi im i parë i metrazhit të gjatë”, ka thënë Maxville për KOHËN. Pos regjisë ai ka shkruar edhe skenarin.

“Tallinn Black Nights”, ose PÖFF mbahet për çdo vit në Talin, kryeqytetin e Estonisë, që nga viti 1997. Është i vetmi festival në Evropën Veriore ose në rajonin e Baltikut i akredituar nga FIAPF (Federata Ndërkombëtare e Prodhuesve të Filmit) për mbajtjen e një Programi Ndërkombëtar Konkurrues të Filmit me metrazh të gjatë, i cili e vendos atë përkrah 14 festivaleve të tjera në mesin e të cilëve edhe: Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Berlin, ai i Cannes, Venecias, Karlovy Varyt, Varshavës dhe San Sebastianit.

Filmi “Toka brenda meje” do të konkurrojë në kategorinë “The First Feature Competition” ku pritet të konkurrojnë gjithsej 18 filma nga vende të ndryshme të botës. Pos Kosovës e Shqipërisë aty do të garojnë edhe filma nga Italia, Gjermania, Zelanda e Re, India, Koreja e Jugut, Kanadaja e të tjera.

Fakti se filmi i “Toka brenda meje” do të jetë pjesë e garës për regjisorin është si mundësi të mirë për ta promovuar filmin dhe kinematografinë e Kosovës. Por kinematografia vendore nuk është e panjohur për këtë festival. “Martesa” e Blerta Zeqirit më 2017 aty mori çmimin e kritikës “Fipresci Prize” si dhe Çmimin special për ansamblin e aktorëve në kategorinë “First Feature Competition”. Më 2019, aty u dha premiere botërore “Cirku fluturues” i Fatos Berishës dhe pritja do të vlerësohej e jashtëzkonshme.

“Më së pari pres që publiku do të vijë ta shikojë një film shumë të veçantë, një film ku ngjarja zhvillohet në Kosovë me një ngjarje që nisë qysh në vitet e ‘80 dhe përfundon në vitin 2010. Së dyti mendoj që është film jo i lehtë për ta shikuar sepse zgjat dy orë dhe që me të vërtetë lypet nga publiku që të ketë durim. Por normalisht mezi pres të shoh edhe si do të reagoj publiku pasi ta sheh një storien nga Kosova”, ka thënë Maxville.

Xhirimet e filmit nisën më 8 shkurt të 2021-s dhe përfunduan pas tre muajsh. Ngjarja në periudhën më të madhe zhvillohet në Kosovë ku edhe është realizuar pjesa më e madhe e xhirimeve, ndërsa një pjesë e vogël e tyre u xhirua në Zvicër.

“Toka brenda meje” ka për personazh kryesor Remon (Florist Bajgora) i cili pas shumë vjetësh në mërgim, kthehet nga Gjeneva në vendlindjen e tij, në Kosovë. Dashuria e tij e parë, Una, (Luàna Bajrami) e thërret për ta informuar për vdekjen e kryefamiljarit dhe për hapjen e një varri masiv. Kthimi nuk është i lehtë. Remos i duhet të përballet me të kaluarën dhe të tashmen e tij.

Maxvill ka vlerësuar punën dhe aktrimin e atyre që ai i quajti si “gjenerata e re e aktorëve”. Ndër të tjera ka përmendur edhe debutimin e parë në shqip të aktores Luàna Bajrami e cila jeton në Francë. Bajrami është e njohur edhe si regjisore. Debutoi suksesshëm me “Luaneshat e Kodrës”, që u dha premierë botërore në Cannes, vitin e kaluar. Si aktore, në listë ka edhe rolin në “Happening” nën regji të Audrey Diwan i cili vitin e kaluar mori “Luanin e Artë” në edicionin e 78-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Venecie. Filmi u rikthye në vëmendje edhe javën e kaluar, kur shkrimtarja Annie Ernaux mori “Nobelin” për letërsi, dhe filmi bazohet në romanin e saj.

“Të gjithë aktorët që luajnë në film ose janë aktorë të rinj që tash janë duke filluar të ndërtojnë një karrierë ose aktorë të konfirmuar si: Irena Ali, Luan Jaha, Irena Muçaj, Florist Bajrgora. Aktorët e rinj si: Luàna Bajrami për të cilën është edhe roli i parë në gjuhën shqipe dhe i pari në rol kryesor e më pas edhe Era Balaj, Don Shala,Valmir Krasniqi që janë me të vërtetë gjenerata e re e aktorëve. Për mua ka qenë përvoja më e mirë e mundshme”, ka thënë ai me plot krenari.

Filmi është realizuar me mbështetjen e Qendrës Kinematografike të Kosovës, Federal Office for Culture, Cinéforom, Loterie romande, Media Desk Suisse, Suissimage dhe FOCAL, në bashkprodhim me RTS Radio Télévision Suisse.

Ai ka për producent Valon Bajgorën, Yll Ukën, Britta Rindelaub dhe Thomas Reichlin, dhe prodhohet nga “Ikonë-Studio” e “Alva Film”.

Valon Bajgora nga “Ikonë-Studio” ka thënë se fakti se filmi do ta ketë premierën në një festival siç është PÖFF e bën të ndihet jashtëzakonisht krenar dhe i vlerësuar.

“Pas një punë kaq të gjatë me filmin dhe nëpër sfidat të cilat kemi kaluar është një plotësim dhe vlerësim i punës që kemi bërë. Vetë fakti që filmi është zgjedhur të garojë në një festival siç është ‘Tallinn Black Nights’ konfirmon se kemi bërë një punë të mirë dhe se filmi është duke u pëlqyer kështu që normalisht që jemi shumë krenarë”, ka thënë Bajgora teksa ka shtuar se kjo kurajë e motiv për të vazhduar me të njëjtin intensitet edhe në projektet e tjera.

Producenti Bajgora është shprehur optimist edhe sa i përket garës, duke e vlerësuar atë si të denjë për të rrëmbyer një çmim.

“Vetë fakti që filmi është në garë domethënë që filmi ka potencial për të rrëmbyer çmimin. Me sa e njoh dhe e vlerësoj filmin, nuk do më çudiste nëse ai do të dilte fitues por kjo mbetet për t’u vlerësuar nga juria profesionale e festivalit”, është shprehur ai.

Por, një lajm jo edhe aq i mirë vjen për publikun kosovar. Filmi “Toka brenda meje” nuk ka ende një datë të caktuar se kur do të vijë në Kosovë duke qenë se së pari do të rrugëtojë nëpër disa festivale.

“Do të duhet pak kohë. Duhet të keni pak durim. Me shumë gjasë brenda vitit 2023 do të vijë në Kosovë. Filmi tani e ka ciklin e tij ku do të ecë nëpër festivale pastaj do të distribuohet nëpër kinema”, ka bërë të ditur Bajgora teksa ka njoftuar se tashmë filmi ka arritur të lidhë kontratë me një kompani të shitjes në Itali, TV CO, dhe e cila merret me distribuimit e filmi nëpër të gjithë botën.

Përveç aktorëve Florist Bajgora e Luàna Bajrami të cilët luajnë në role kryesore, filmi ka një kastë aktorësh të njohur, përfshirë Luan Jahën, Armend Smajlin, Irena Aliun, Kumrije Hoxhën, Meli Qenën e Çun Lajçin.