Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Thyerjen e pitosit në IKMM do ta hetojë Policia, thotë Gashi

Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, ka falënderuar Kohavisionin për transmetimin e pamjeve kur punonjësit e Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve shihen teksa duke provuar që ta bartin një pitos e thyejnë atë, dhe e përcjellin me të qeshura.

Në Interaktiv të KTV-së ai ka thënë se për ngjarjen është njoftuar nga televizioni. Ka thënë se tashmë janë marrë masat, e rasti do të hetohet nga policia.

“Dua t’ju falënderoj juve si televizion që e keni transmetuar atë ngjarje shumë shqetësuese. Unë e kam kuptuar prej jush. Kam qenë në Minsk, dhe me të thënë të drejtën goxha ma ka prish atë atmosferën e fitoreve atje”, ka thënë Gashi.

Ai ka treguar se menjëherë ka kërkuar prej Sekretarit, Inspektoratit, një Komisioni ad-hoc të krijuar për këtë ngjarje si dhe prej vetë IKMM-së që të raportojnë në detaje për atë që ka ndodhur.

“Kam marrë raportimet nga të gjitha këto, dhe tash e kam më të qartë se çka ka ndodhur. Jam i bindur se ky ka qenë një aksident. Por mënyra se si e kanë bartur artefaktin ka qenë gabim, urdhri që është ka qenë gabim, dhe ajo që është më shqetësuese është se në momentin kur bie artefakti disa aty kanë qeshur”, ka thënë Gashi.

“Përgjegjësia do të ndodhë nga i pari deri te i fundit. Ata që nuk e kanë bërë analizën se si duhet të bartet nga një vend në vendin tjetër, ata që e kanë bërë bartjen. Ajo që mund të siguroj juve dhe gjithë opinionin është se me shumë shqetësim e kam marrë lajmin dhe se përgjegjësit nuk do të shpëtojnë pa dhënë llogari”, ka thënë ai.

Tutje, Gashi ka treguar se ka autorizuar Sekretarin dhe drejtoreshën e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore të ngrejë një Komision Disiplinor.

Edhe Ministria me komision në kuadër të masave për artefaktin e thyer Kulturë Ministria me komision në kuadër të masave për artefaktin e thyer

“Ky proces do të kalojë në policinë hetimore për të hetuar përgjegjësinë e gjithsecilit, derisa në të njëjtën kohë Komisioni Disiplinor do të marrë masat e nevojshme ndaj përgjegjësve”, ka thënë Gashi.

Ai ka shtruar edhe dilema të tjera, derisa ka thënë se është duke shikuar me shumë kujdes krejt çka ka ndodhur.

“Nëse ka ndodhur dhe nuk është njoftuar Ministria, është një arsye shtesë se mos dikush ka dashur ta fsheh si rast. Po ashtu, a kanë qenë ata persona kompetentë për të bërë restaurimin e një artefakti”, ka thënë ai.