Kulturë

“This is not” në lojë enigmatike shtyn kufijtë në koncert audiovizual

Emri i dyshes “This is not” vjen njëkohësisht si një deklaratë dhe një pyetje, duke i bërë thirrje audiencës të vërë në dyshim perceptimet dhe paragjykimet për artin, muzikën dhe për vetë realitetin. Oborri i Qendrës për Praktikë Narrative u bë arenë e lojës enigmatike, ku kufijtë midis artistit, artit dhe audiencës shpërbëhen në një udhëtim të përbashkët zbulimi

Në një botë ku arti vazhdimisht rishpik veten, kufijtë e krijimtarisë vazhdojnë të zgjerohen. Këtë e ka dëshmuar edhe një koncert transcendent audiovizual nga dyshja enigmatike e njohur si “This is not”. Kjo përvojë u shpalos në oborrin e Qendrës për Praktikë Narrative me ndriçim të zbehur, ku animacionet dhe videot e çuditshme u gjallëruan në murin e ndërtesës së ish-bibliotekës “Hivzi Sulejmani”, duke endur një narrativë surrealiste. Muzika elektronike improvizuese mbushte hapësirën.

“This is not” ngacmoi më shumë se veç një shqisë. Emri i dyshes vjen njëkohësisht si një deklaratë dhe një pyetje, duke i bërë thirrje audiencës të vërë në dyshim perceptimet dhe paragjykimet për artin, muzikën dhe vetë realitetin.

Ambienti ia shtoi një shtresë mistike që plotësonte në mënyrë të përsosur thelbin enigmatik të koncertit. Përtej dritave të zbehta që mbulonin zonën e performancës, mjedisi natyror luajti një rol integral në krijimin e atmosferës. Pemët e larta dhe gjethet që i lëkundte era mbështillnin hapësirën, duke hedhur hije në mur sikur të ishin pjesë përbërëse të animacioneve. Ndërsa muzika dhe pamjet u shpalosën, një ndjenjë e pjesëmarrjes e përshkoi publikun, sikur të gjithë të pranishmit të ishin nismëtarë në një ceremonie artistike, ku kufijtë midis artistit, artit dhe audiencës shpërbëheshin në një udhëtim të përbashkët zbulimi.

Image
Me kalimin e natës, “This is not” e çoi audiencën përmes një labirinti emocionesh, nga euforia në introspeksion, nga kaosi në qetësi. Qasja e tyre avangarde sfidoi kufijtë konvencionalë dhe sfidoi përkufizimin e vetë artit (Foto: Flamur Qorrolli)

Për të kombinuar elemente të cilat kanë një efekt të tillë tek audienca, muzikanti e producenti, pjesë e dyshes, Dritëroi Nikqi ka thënë se duhen guxim dhe mposhtje e frikës për të dalë jashtë kornizave. “This is not” demonstroi një aftësi të jashtëzakonshme për të mbajtur një ekuilibër delikat midis kontrollit dhe kaosit.

“Gjithmonë kërkohet guxim, e patë performancën sonte, ka elemente që nuk janë shumë mirë të planifikuara, nuk janë të zbutura për të thënë më mirë. Gjithmonë do të këtë diçka që del jashtë kornizave, dhe kjo është pak a shumë si të hysh në kafaz me luanin, kështu që për mua në fakt ky është improvizimi. Është pak luftë dhe në të njëjtën kohë me e pa se si po gjejmë mënyra se çka po mundemi me i ofru njëri-tjetrit dhe në të njëjtën kohë si po mundemi atë që e bëjmë ta dërgojmë në një tjetër nivel. Ndoshta sonte nuk ka qenë prej paraqitjeve më të mira, por prapë ky është koncepti”, ka thënë Nikqi.

Dridhja e parë e dritës erdhi nga projektori që nuk binte në sy, i fshehur në errësirë. Sipërfaqja e ndërtesës u shndërrua në një portal, të zhytur në animacione abstrakte dhe surreale. Dukej sikur ëndrrat kishin marrë formë dhe po kërcenin lirshëm nëpër mure. Çdo kornizë pikturon një skenë të re, duke treguar një histori pa fjalë, duke i ftuar shikuesit të interpretonin dhe të humbnin veten në imazhet magjepsëse.

Përvoja në mediume të ndryshme e Nikqit dhe e piktorit e fotografit Vigan Nimani luajti një rol vendimtar në formësimin e atmosferës së përgjithshme.

“Unë vij kryesisht prej muzikës edhe prej audios, njësoj prej sintezës, këtu edhe lidhemi me Viganin. Do të thotë bashkohemi në sintezë. Vigani vjen prej pikturës dhe fotografisë, i cili kushtimisht të them është profesioni i tij dhe kjo është diçka që e bëjmë bashkë qe një kohë”, ka thënë Nikqi.

Me kalimin e natës, “This is not” e çoi audiencën përmes një labirinti emocionesh, nga euforia në introspeksion, nga kaosi në qetësi. Qasja e tyre avangarde sfidoi kufijtë konvencionalë dhe sfidoi përkufizimin e vetë artit.

Menaxherja e programit në Qendrën për Praktikë Narrative, Rina Gosalci, ka thënë se vetë programi kurohet në atë mënyrë që të sjellë një larmi performancash dhe artistësh alternativë.

“Fillimisht ne e kurojmë programin paraprakisht, atë artistik, edukativ e të tjerë si qendër dhe gjithmonë shohim që të ofrojmë një program muzikor sa më të larmishëm, duke nënkuptuar koncerte live, bende të ndryshme e lokale apo në këtë rast një performancë audiovizuale me duon Vigan Nimani dhe Dritëro Nikqi. Të dy janë artistë multidisiplinorë dhe punojnë me tinguj sintetikë. Kjo nuk është performanca e parë që e bëjnë në Prishtinë, kështu që e kemi parë që do të përshtateshin shumë mirë edhe po tentojmë që të ofrojmë performanca më alternative krahas edhe asaj klasike që nuk i mungon programit tonë”, ka thënë Gosalci.

Performanca e dyshes në fund u kthye në një ftesë për eksplorimin e sferave të pakufishme të krijimtarisë dhe për të sfiduar secili perceptimet e veta duke u lënë hapësirë koncerteve të tjera si pjesë e programit të Qendrës për muajin shator.