Ansambli “The Swingles” më kot nuk i ka në historinë e vet pesë trofe “Grammy”. Harmonia e mjeshtëria në interpretim është njëra anë e cila bie në vesh qysh në interpretimin e parë. Performanca e tyre është filozofi më vete e muzikës: grupi zbërthen fuqinë e zërit, potencialin e tij. Për herë të parë në Kosovë, grupi që trashëgon kapitullin i cili u hap në vitet ‘60 ka sjellë performancë të fuqishme e atraktive në “PriVokalFest”
Dritat shumëngjyrëshe dhe dy posterët e Festivalit në dy anët e skenës dhe buqeta lulesh në dysheme, kanë qenë pjesët kryesore të skenografisë në qendrën “Bogdani Polis” për “PriVocalFest”. Publiku ka zënë vendet, është shoqëruar me tingujt e lehtë të klarinetës e të perkusioneve. Sapo është ndriçuar pjesa e publikut, ato të skenës e kanë veshur prapavijën e bardhë me të kuqe. Për një moment ambienti është kthyer në qetësi dhe me shumë duartrokitje në skenë janë shfaqur shtatë anëtarët e grupit “The Swingles”.
Tri këngëtare janë rreshtuar në fillim, tre këngëtarë pas tyre dhe njëri nga ta anash ka kënduar teksa është përcjellë nga pjesa tjetër.
Joanna Goldsmith, Imogen Parry, Jamie Wright, Jon Smith, Edward Randell, Federica Basile dhe Olivier Goldsmith kanë sjellë ritmet e këngës britanike në kryeqytet në natën e tretë të edicionit të pestë të Festivalit ndërkombëtar të vokalit në Prishtinë, “PriVocalFest”.
Përpos si seri e këngëve të interpretuara, koncerti i së hënës ka qenë edhe performancë që ka shoqëruar secilën këngë. Shkathtësitë vokale të anëtarëve mund të dallohen edhe më shumë kur ata kalojnë nga zhanri në zhanër, duke sjellë këngë jazz, klasike, pop e çka jo tjetër. Përpos si këngëtarë, ata janë solistë, kompozitorë e aranzhues.
Këngët e ansamblit i kanë karakterizuar zërat e njëpasnjëshëm në sfond që shoqërojnë atë të këngëtarit. Shfaqja e tyre është edhe performancë për nga paraqitja e tyre. Të veshur të gjithë anëtarët në të zeza, herë kthehen nga publiku, herë përballë njëri-tjetrit e herë organizohen anash në mënyrë zigzage për t’u parë të gjithë nga publiku. Këngët janë përcjellë krejt pak me tinguj të lehtë piano a të baterive që mezi dëgjohen nga zërat e harmonizuar të shtatëshes.

Secili nga anëtarët zë vendin e interpretuesit kryesor, vokali i të cilit përshtatet në mënyrë paqësore me pjesën tjetër të grupit që e përcjell me vokal.
Të gjata kanë qenë duartrokitjet e publikut të cilat shpeshherë janë ndërprerë kur grupi ka filluar të këndojë. Publikun e kanë futur në frymën e këngëve “Move This”, “Go Your Own Way”, “Weather to Fly”, “Forgotten”, Goodbye England” e shumë të tjera.
“After the Storm” ka qenë krejt unike kur ka filluar me zërat e njëpasnjëshëm, shuplaka e kërcitjet e gishtërinjve që kanë përcjellë interpretimin e kësaj vepre. Ka ngjarë në muzikën tradicionale për nga vokali, e në zhanrin rock për nga tingujt e perkusioneve. Vëmendjen e ka tërhequr edhe loja me dritat në skenë. Vokali mahnitës shpesh ka sjellë ndjesinë e paqësores e shpesh dinamizmin në interpretim.
“Nania” është quajtur kënga në italisht e interpretuar nga italiania Federica Basile. Ka qenë interpretim më i qetë që është përcjellë me vokal dhe njëtrajtshëm nga një pjesë e anëtarëve kur kanë improvizuar tingujt e kitarës.
Vokalistja e grupit, Federica Basile, ka thënë se në repertorin e tyre kanë përfshirë këngët e shkruara nga ta e artistë të tjerë si dhe këngë tradicionale të vendeve të ndryshme. Përvojën e parë në Kosovë e ka vlerësuar si emocionuese.
“Ishte hera jonë e parë ndonjëherë në Kosovë, asnjëri nga ne nuk ka qenë më parë këtu personalisht. Ishte ndjenjë shumë e mirë të kemi mundësinë ta vizitojmë këtë vend dhe të performojmë për audiencën”, ka thënë ajo.
Anëtari tjetër i grupit, britaniku Olivier Griffiths, ka thënë se energjia e publikut ka qenë e mrekullueshme dhe se kënga që ata përzgjedhin të këndojnë është po ajo që shëtit njerëzit nëpër historitë e tyre. Është shprehur se në Kosovë e kanë ndier mikpritjen e vërtetë që e ka vlerësuar si diçka të mirë, pasi kurrë nuk e dinë se në çfarë mënyre priten në shtetin ku interpretojnë.
“Një gjë që ne gjithmonë duam ta bëjmë është të bëjmë muzikë që vetëm shfaq sesa shumë mund të bëjë një zë njeriu. Ne luajmë me teknologji dhe me përsëritje që është një gjë e pastër, por në të vërtetë ua shprehim njerëzve shprehjet emocionale që vijnë më së miri vetëm nga zëri i njeriut. Kjo do të thotë se çdokush mund të përfshihet në këtë muzikë, nuk ka nevojë të jetë i pasur, nuk ka nevojë të ketë instrumente, piano apo pajisje të tjera. Ne vetëm mund të mblidhemi bashkë, të këndojmë si një formë tjetër të komunikimit dhe ne e duam këtë”, ka thënë Griffiths për KOHËN.
Këngët në repertorin e grupit kanë qenë edhe ato që i janë kushtuar dashurisë. Nëpërmjet tyre janë sjellë ritmet e këngës së vjetër angleze, ku përsëriten nga grupi si kor e këngët e vokalistit kryesor në çdo pjesë të interpretimit të tij.
Në pjesën e dytë janë kthyer në skenë në formë harkore përballë njëri-tjetrit dhe ka qenë interpretim në grup pa vokalist kryesor. Ndërsa me pas janë organizuar në mënyrë piramidale e në mes ka qenë vokalisti kryesor. ”Move this sky”, ka qenë këngë më e njëtrajtshme që sa vjen e bëhet dinamike. Kënga tjetër “After the Storm”, është një lloj balade që përcillet me vokal të lehtë që sikur shpërthen dhe prapë mbyllet në margjinat e lehtësisë fillestare. Këngët nganjëherë kanë pasur edhe motive me muzikë elektronike si te “Weather to Fly”. Me këngën “15 steps” të “Radiohead” aranzhuar prej Edward Randell, është mbyllur koncerti që ka qenë tejet më atraktiv edhe për nga paraqitja e grupit.
Drejtori artistik i Festivalit, Hajrullah Syla, e ka vlerësuar interpretimin si po atë që e kanë pritur dhe se e kanë shijuar koncertin tej mase.
“Dita e tretë e Festivalit ishte mjaft e veçantë pasi i patëm grupin që kanë fituar pesë herë ‘Grammy’, ishte ndjenjë e veçantë. Momentin e parë që kanë arritur në Prishtinë e kanë shijuar shumë nga Aeroporti deri te vendosja në hotel dhe pastaj edhe gjatë ditës sot gjatë provave kanë pasur kohë ta shohin Prishtinën. U ka lënë përshtypje shumë të mirë’, ka thënë Syla.
“The Swingles” është vazhdimësi e grupit të viteve ‘60 me të njëjtin emër, fitues i pesë çmimeve ”Grammy”.