Lajmet për aksionet e policisë në Shqipëri për kapjen e bandave janë të shpeshta. Bujë të madhe kishte bërë aksioni disaditor i rreth 500 pjesëtarëve të policisë e ushtrisë në fshatin Lazarat të Gjirokastrës, vendbanim ky që njihej për kultivimin e lëndëve narkotike. Asokohe shteti buzë Adriatikut e Jonit kishte marrë edhe vëmendje ndërkombëtare. Shpeshherë është thënë se edhe brenda strukturave të shtetit ka njerëz që bashkëpunojnë me bandat. Një gjë e tillë edhe është vërtetuar, shkruan sot Koha Ditore.
Një produksion filmik si bashkëpunim shqiptaro-amerikan rrëfen për luftën kundër bandave të krimit në Shqipëri. Në strukturat e policisë së shtetit ka goxha njerëz që ia kanë mësyrë ta luftojnë krimin. Por në filmin “The Brave” (Të guximshmit) me regji të William Kaufman e skenar të Marco Balsamos, që është dhënë premierë të premten në “Cineplexx” në Prishtinë, del në pah se ka edhe policë që bashkëpunojnë me krimin. Aksionet shpesh dekonspirohen dhe rezultati është i barabartë me zero.
Grupet e trafikantëve të qenieve njerëzore e ato të trafikimit të lëndëve narkotike janë shumë të forta. Filmi që njihet edhe me emrin “Lazarat”, “dekonspiron” edhe shtetin. Midis zhanrit aksion dhe triler, bashkëprodhimi i “DigitAlb”, “3 Amigos”, “Mercury films” dhe “Cukali Films”, shpërfaq skuadrën elitë të policisë “Shqiponjat” që është vënë në ndjekje të kriminelit të quajtur Ilir, që si personazh portretizohet nga aktori Besart Kallaku. Regjisori Kaufman, njihet edhe për filmat "The Prodigy" më 2010, ishte në karrigen e regjisorit për “The Hit List” në të cilin luan edhe fituesi i “Oscarit”, Cuba Gooding Jr. dhe Cole Hauser. Po atë vit realizoi dhe qe producent i “Sinners and Saints” me Johnny Strong, Sean Patrick Flanery e të nominuarit për çmimin e madh, Jurgen Prochnow dhe Tom Berenger...(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)