Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka bërë edhe një ftesë për OJQ-të, tani për funksionalizimin e dy monumenteve të tjera: Hidroelektrana – Muzeu i Elektroekonomisë në Prizren, si dhe Kulla e Ministerit në Pejë. Këto dy monumente kanë qenë në listën e aseteve të reja për funksionalizim edhe në thirrjen e kaluar, e tani që u ka ardhur rendi, pas restaurimeve që u janë bërë nga shteti, ka mbetur që organizatat t’i marrin në dorë dhe t’i mbajnë për tre vjet, duke u paguar prej shtetit 20 mijë deri në 60 mijë euro në vit, varësisht prej projektit të përzgjedhur
Pas thirrjes së vitit të kaluar për OJQ, me qëllim të funksionalizimit të dy monumenteve të trashëgimisë kulturore të vendit, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka bërë edhe një ftesë për OJQ-të, tani për funksionalizimin e dy monumenteve të tjera: Hidroelektrana – Muzeu i Elektroekonomisë në Prizren, si dhe Kulla e Ministerit në Pejë. Këto dy monumente kanë qenë në listën e aseteve të reja për funksionalizim edhe në thirrjen e kaluar, e tani që u ka ardhur rendi, pas restaurimeve që u janë bërë nga shteti, ka mbetur që organizatat t’i marrin në dorë dhe t’i mbajnë për tre vjet, duke u paguar prej shtetit 20 mijë deri në 60 mijë euro në vit, varësisht prej projektit të përzgjedhur.
Me dy faza të vlerësimit të programeve a projekt-propozimeve, atë administrativ dhe përmbajtjesor, MKRS-ja synon që deri më 18 korrik t’i pranojë aplikimet që arrijnë pritshmëritë e konkursit, të cilat janë minimale. Çka pritet të zbatohet prej këtyre angazhimeve është koordinimi i veprimeve për administrim, zhvillim, mirëmbajtje, menaxhim dhe promovim i monumenteve; hartimi i programit dhe i metodologjisë për zhvillim të aktiviteteve të punës; angazhimi i stafit; si dhe hartimi i mekanizmave financiarë dhe ekonomikë për gjenerim të burimeve. Kjo e fundit deri më tash nuk është vënë në funksion për pothuajse asnjë nga asetet e trashëgimisë kulturore që “banohen” prej OJQ-ve.
Në vitin 2023, në tentimin e parë, prej pesë monumenteve sa kishte synuar t’i funksionalizonte me organizata joqeveritare, Ministria e Kulturës pati bërë zgjidhje vetëm për dy. Me 135 mijë euro për tre vjet ishte financuar organizata “Mundësia” për funksionalizimin e kompleksit memorial “Isa Boletini” në Boletin, përderisa me 60 mijë euro ishte mbështetur klubi letrar “Shtjefën Gjeçovi” për funksionalizimin e Shtëpisë së Katarina Josipit në Zym të Prizrenit, për të cilën nuk i kishte funksionuar plani, ndërsa gjashtë organizata të tjera qenë diskualifikuar kryesisht për mospërmbushjen e kritereve përmbajtjesore dhe administrative.
Kompleksi memorial “Isa Boletini”, “Burgu i idealit” në Prishtinë, Muzeu i Hidroelektranës në Prizren, Shtëpia e Katarina Josipit në Zym dhe Kalaja e Prizrenit në Prizren kanë qenë monumentet që institucioni më i lartë kulturor në vend kishte llogaritur që do të ishin më funksionale nëse u jepen nën menaxhim organizatave joqeveritare. MKRS-ja atëbotë pati planifikuar t’i financonte organizatat deri në 50 mijë euro në vit nëse ato i plotësojnë kushtet për t’i arritur objektivat e kërkuara.
Me mjete të shtetit qenë restauruar monumentet, për të ardhur në gjendjen në të cilën janë sot. Veç në Kalanë e Prizrenit qenë investuar mbi një milion euro. Midis tyre edhe 700 mijë dollarë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
E në tentativën e dytë, Ministria e Kulturës vitin e kaluar qe vënë sërish në kërkim të organizatave joqeveritare për t’i funksionalizuar asetet e trashëgimisë kulturore të vendit që kishin dështuar në përpjekjen e parë. Kësaj radhe në listë kishin qenë parku arkeologjik “Ulpiana” dhe Kalaja e Prizrenit. Nëpërmjet thirrjes publike, qëllimi kishte qenë që periudha e zbatimit të programit të jetë tre vjet. Për Kalanë e Prizrenit dhe “Ulpianën” mbështetja financiare do të ishte prej 50 mijë në 100 mijë euro në vit.
Për Muzeun e ish-Burgut të Prishtinës, Ministria kishte vendosur që për dy vjet t’i japë nga 60 mijë euro OJQ-së “Molla e Kuqe”. Po kaq do të merrte edhe fondacioni “Agim Çavdarbasha” për funksionalizimin e hapësirës ku ruhen veprat e skulptorit.
Kur MKRS-ja për herë të parë kishte tentuar që ta realizonte këtë nismë, KOHA e kishte pyetur këtë institucion se përse nuk angazhohet staf profesional që këto monumente të jenë institucione më vete, që menaxhohen sikurse institucionet e tjera shtetërore. MKRS-ja e konsideronte ndryshe.
“Këto pesë monumente janë institucione më vete, në kuadër të MKRS-së, të cilat po i fuqizojmë përmes programeve të ndryshme, duke filluar nga ndërhyrjet fizike restauruese, planet e menaxhimit, angazhimi i stafit dhe tani edhe përmes ftesës për angazhim të organizatave joqeveritare, që kanë ekspertizë dhe njohuri në fushën e promovimit dhe zhvillimit të kulturës”, shkruhej në përgjigje. Por, për shumicën e këtyre monumenteve nuk ka akte të themelimit si institucione.
Kështu, pas funksionalizimit të atyre monumenteve, tani Ministria ka hapur konkurs edhe për pesë ciceronë, për t’i angazhuar për një vit dy prej tyre që të ofrojnë shërbime të vazhdueshme dhe profesionale të guidës turistike në parkun arkeologjik Ulpiana - Iustiniana Secunda, dy në Kalanë e Prizrenit dhe një në Kalanë e Novobërdës. KOHA e ka kontaktuar Ministrinë për të marrë informata pse deri tash nuk ka pasur ciceronë në këto zona.
“Instituti Arkeologjik i Kosovës, në kuadër të prioriteteve të tij, ka në fokus funksionalizimin e lokaliteteve arkeologjike dhe krijimin e kushteve të përshtatshme për prezantimin dhe vizitueshmërinë e tyre. Në këtë drejtim gjatë këtij viti është shpallur thirrja për zbatimin e projektit për funksionalizimin e lokaliteteve arkeologjike, përmes angazhimit të pesë ciceronëve në lokalitetet me fluksin më të lartë të vizitorëve: Parku Arkeologjik Ulpiana–Iustiniana Secunda, Kalaja e Prizrenit dhe Kalaja e Novobërdës”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.
E në lidhje me angazhimin e tyre vetëm për afatin kohor prej një viti, nga Ministria kanë thënë se realizimi i zbatimit të projektit është menduar të kryhet brenda një viti dhe kanë thënë se përmes këtyre angazhimeve hapet gjithashtu mundësia për angazhimet e mëtejshme të ciceronëve në monumentet e tjera që planifikohet të funksionalizohen.
“Zbatimi i projektit është paraparë të realizohet brenda një afati kohor prej një viti. Projekti përveçse adreson nevojat aktuale të vizitorëve dhe lokaliteteve, synon të shërbejë si model për zhvillimin e mëtejshëm të praktikave të ngjashme në lokalitete të tjera arkeologjike, të cilat do të jenë të gatshme për t’u hapur për publikun në të ardhmen. Gjithashtu ai hap mundësi për vazhdimin e angazhimit të ciceronëve si pjesë përbërëse e qasjes së qëndrueshme për promovimin dhe edukimin në fushën e trashëgimisë kulturore”, thuhet tutje në përgjigjen e MKRS-së.