Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Tenori Lahaj: Jam i interesuar të zbuloj talent të rinj

Në kuadër të aktiviteteve që Zyra e Bashkimit Evropian ka organizuar për nder të Ditës së Evropës, është edhe koncerti i tenorit Ramë Lahaj.

Ai në një konferencë për media tha se është i interesuar të zbulojë talente të reja kosovare dhe t’i mbështesë ata.

Duke u shprehur i lumtur që sonte pas shumë kohe do të performojë në Kosovë, tenori shqiptar mos ardhjen e tij në Kosovë e arsyetoi me zhvillimin e karrierës së tij.

Lahaj gjatë kësaj konference ka shpalosur edhe një pjesë të programit, të cilin do ta perfomojë në koncertin e tij në Prishtinë.

Sipas tij, programi i sotëm ka një laramani kompozitorësh, ku kryesisht do të interpretojë këngë italiane dhe napolitane.

Edhe Lahaj: Me Festivalin e Operës synohet promovimi i gjithçkaje për kulturën Kulturë Lahaj: Me Festivalin e Operës synohet promovimi i gjithçkaje për kulturën

“Është pak një laramani prej disa kompozitorëve, programi ka qenë i sajuar në momentet e fundit duke e ditur që unë kam qenë duke punuar me Alessandron në rolet që unë kam me i debutuar në Moskë në qershor, korrik është një produksion i ri ‘La boheme’, produksion tjetër që është reprizë e traviatës që unë e kam bërë vitin e kaluar në Moskë . E kemi sajuar një program prej materialeve që unë kam kënduar, kam futur diçka edhe prej materialeve të reja, por kryesisht pjesa e dytë e programit është kryesisht me këngë italiane, këngë napolitane, ndërsa pjesa e parë është kryesisht e koncentruar te Verdi”, ka deklaruar ai, transmeton KP.

Tenori shqiptar tha se është shumë i interesuar për të zbuluar talentë të rinj, pasi që sipas tij populli shqiptar ka shumë talentë në muzikë.

“Jam shumë i interesuar i kam bërë disa workshop të vogla kur kam ardhur kohë pas kohe kur kam pasur mundësi, gjithmonë kam hulumtuar për një talent të ri të cilin kisha mund me e sugjeruar ose me e orientuar dika, jam shumë i kënaqur që nesër kemi me pas mundësi me punua me shumicën, ndoshta jo me shumicën se nuk e di sa kemi me pasur kohë se janë disa që janë të interesuar me ardhur por që gjithsesi me pas një ide të përgjithshme dhe mandej ngadalë me i përcjell dhe me i shoqëruar me shikua se deri ku mundemi me shkua me talentë të rinj”, tha Lahaj.

Ai u shpreh shumë optimist se Kosova së shpejti do e merr liberalizimin e vizave dhe në këtë mënyrë do të hapen rrugë të reja për talentë kosovarë.

E fjalë të mëdha për talentin shqiptar, Ramë Lahaj dha shoqëruesi i tij i sotëm në piano, Alessandro Amoretti, i cili u shpreh se si trajner i zërit është i mahitur me zërin e tenorit Lahaj.

“Unë jam absolutisht i lumtur që jam këtu për shumë arsye. Një nga arsyet është që të kem mundësinë të shoqërojë mikun tim të mirë dhe këngëtarin e mrekullueshëm, Ramë Lahaj, që kam pasur rastin të takoj jo shumë kohë më parë. Së pari, më lejoni të shpjegoj me dy fjalë atë që bëj dhe çfarë është profesioni im. Unë jam një trajner i zërit, punoj me shtëpi të ndryshme të operës në botë, duke përgatitur këngëtarët për shfaqje dhe produksione. Një këngëtar shumë i rëndësishëm dhe një mik i përbashkët i ynë më rekomandoi Ramë Lahajn për një punë së bashku. Ne u takuam për herë të parë në Moskë dhe menjëherë u mahnita nga kjo bukuri absolute e këtij tingulli, e këtij zëri. Unë punoj me rezonancat e zërit dhe unë jam i trajnuar për të njohur nivelin dhe ky zë që kemi këtu është i një nivelit të klasit botëror dhe historik”, u shpreh Amoretti.

Përfaqësuesja e Zyrës së BE-së, Vjosa Berisha gjatë kësaj konference ka shpalosur disa nga aktivitetet që do të mbahen nesër në shënim të Ditës së Evropës.

Edhe “Rame Lahaj International Opera Festival” – urë skenash, mundësi për të rinj Kulturë “Rame Lahaj International Opera Festival” – urë skenash, mundësi për të rinj

“Do të kemi education fair apo panairi i arsimit të lartë e cila do i dedikohet studentëve për të ditur se cilat janë mundësitë nga shtetet anëtare të japin bursa të ndryshme që studentët të studiojnë jashtë. Do i kemi këtu diku rreth 16 shtete anëtare që do të prezantojnë. Pas dite do kemi një film që do shfaqet është sigurisht aktiviteti street mob që do ndodh nëpër qytet”, tha Berisha.

Ndryshe, tenori shqiptar Ramë Lahaj sonte duke filluar nga ora 20:00 do të performojë para të pranishmëve në amfiteatrin e Bibliotekës së Universitetit të Prishtinës.