“Forehead Vulva Channeling Research” është hapësira krijuese e artistes italiane S()fia Braga, në të cilën ajo ka kryqëzuar praktikat digjitale dhe diçka shumë të zakonshme, siç janë ndjenjat e gjendja aktuale e individëve. Tashmë edhe përmes ekspozitës së saj vizitorët ndeshen me teknologjinë. Në qendër ka njeriun dhe atë synon ta çlirojë. “Është një hulumtim spekulativ transhuman për potencialin e trupit dhe për kanalin e trupit që mund të japin një mendje më të shëndoshë”, ka thënë Braga
Larg prej formës tradicionale të të bërit art, teknologjia vihet në veprim në ekspozitën e artistes italiane S()fia Braga. Sikur arti të zhvillohej në të ardhmen ku mjetet e zakonshme nuk ekzistojnë më, ajo provokon njeriun dhe mendimin e tij duke synuar që të arrijë mirëqenie emocionale tek ata që e shohin. Për krejt këtë ka vënë në funksion mjete digjitale, duke e bërë të pranishme në “Galerinë 17” këtë formë të re arti.
“Forehead Vulva Channeling Research” është e titulluar ekspozita që galerinë në të cilën është vendosur e ka rikthyer në një hapësirë ku mbizotërojnë mjetet teknologjike. Kur roza e mureve të galerisë është përplasja e parë me vizitorët, ajo e dyta vjen me shtrojat e bardha, tabletët të vendosur afër tyre dhe një videoincizim me mjete po ashtu teknologjike për dëgjim. Pos tyre ka edhe një përplasje të tretë e cila nuk shihet me sy por ushtron efekt pas shëtitjes nëpër galeri, në mjetet e ndryshme të ekspozuara.
Muzika krejt e qetë e cila në kundërshtim me atë që po ekspozohet jep ndjenjën e natyrës, krijon efektin gati hipnotizues, si një katalizator për të mundësuar thellimin në atë se çfarë ka në qendër ekspozita.
Afrimi e provimi i mjeteve teknologjike e përballin vizitorin me vetveten. Duket sikur efektet më interesante të rrjeteve sociale të mblidheshin në një dhomë. Shikimi i vetvetes e vë qenien njerëzore në një tjetër dimension, përtej të zakonshmes. Përmes saj edhe vizitorët zhvendosen para qëllimit fillestar që artistja ka pasur gjatë krijimit të tyre: ta sjellë trupin në gjendje të lirë, dhe në këtë mënyrë ta transformojë atë, duke rizbuluar potenciale të reja për të cilat njerëzit ende nuk janë të vetëdijshëm.
Ekspozita minimaliste e artistes transdisiplinare nga Italia është vetëm njëra në të cilën ajo zbërthen idetë dhe talentin e saj në vepra të artit me bazë mediat e reja.
“Forehead Vulva Channeling Research” është hapësira krijuese e Bragas në të cilën ajo ka kryqëzuar praktikat digjitale dhe diçka shumë të zakonshme, siç janë ndjenjat e gjendja aktuale e individëve. Tashmë edhe përmes ekspozitës së saj vizitorët ndeshen me teknologjinë.
“Është një hulumtim spekulativ transhuman për potencialin e trupit dhe për kanalin e trupit që mund të japin një mendje më të shëndoshë. Në këtë rast organi është vulva e ballit dhe ideja është të përdoret teknologji e re. Fokusi kryesor është në performancën e trupit që nuk duhet të jetë i dyfishtë, por duhet të jetë i rrjedhshëm. Në këtë rast unë gjeta dy mjete si një përvojë e re për trupin tonë”, ka thënë Braga.
Ekspozita pos që mund të shikohet, shtrihet edhe në aspekte të tjera. Ajo mund të përjetohet duke praktikuar mundësitë që jep me anë të mjeteve teknologjike. Kjo është mënyra se si artistja italiane paralelisht shtrin artin e saj dhe hulumtimin e ndjenjës njerëzore me anë të efekteve teknologjike.
“Mund të them se më pëlqen të transformoj këtë në një përzierje laboratori, sepse kjo është një lloj hulumtimi por edhe lloj relaksi. Pra, kur vizitoni ekspozitën ju mund të shtriheni në shtroja dhe mund të gjeni në tableta një realitet argumentues dhe mund të shikoni ‘Forehead Vulva’ në ballin tuaj dhe ju duhet të fokusoheni, të relaksoheni dhe të mundoheni të ndieni një tjetër perspektivë të trupit tuaj”, ka thënë Braga e cila jeton dhe punon mes Vjenës, ku zhvillon “kërkimin e saj artistik në një kryqëzim të praktikave digjitale dhe post-digjitale, duke eksperimentuar me teknologji të reja për të konceptuar fabula speculative që merren me tema si interveilance, transhumanizmi dhe fuqia jonjerëzore”. Në biografinë e saj shkruan se identiteti i saj “ndryshon vazhdimisht dhe shkon paralelisht me rrëfimet që ajo krijon: gjatë tre vjetëve të fundit ajo ka qenë artiste, cyberstalker, sipërmarrëse transhumaniste, autore e inteligjencës artificiale dhe ka pësuar mutacion disa herë në një krijesë monstruoze”.
Për ekspozitën dhe artin e saj, Barga ka thënë se zhvillimi i studimeve për të kuptuar potencialin e trupit të njeriut për të arritur mirëqenie emocionale e ka të domosdoshëm prakticitetin. Andaj kjo ekspozitë është praktike.
“Është një ndër mjetet që unë kam krijuar për ‘Forehead Vulva’ dhe sigurisht që është shumë e rëndësishme të praktikosh me ushtrime trupore”, ka thënë ajo.
Për S()fia Bragan kjo është hera e parë në Kosovë. Ky realizim erdhi si rrjedhojë e festivalit “Art Electronica”, që i themeluar në Linz në 1979 punon në kryqëzimin e artit, teknologjisë dhe shoqërisë.
“Si një vizitor është ndoshta një ndërveprim i papritshëm që mund të gjesh këtu, sepse gjëja e parë është se mund të shtrihesh dhe të lidhesh me artin dhe teknologjinë. Të lejon të hysh në pjesë të ndryshme të trupit tënd dhe mendoj se kjo është bukuria dhe aspekti për të, të mund të relaksohesh dhe të lejosh veten të hysh në një tjetër dimension që teknologjia hapet në fytyrë”, ka thënë Laura Welzenbach nga festivali “Art Electronica”.
Ajo ka treguar se ardhja në Kosovë e festivalit kushtuar studimit dhe promovimit të arteve mediatike dhe kulturës digjitale është një mundësi e mirë që një vend me shumë artistë, siç tha ajo, të zhvillohet edhe nga ky aspekt. Kësaj mundësie ia ka hapur dyert “Galeria 17” e cila ka krijuar edhe serinë e atyre që mbajnë emrin “Techne”.
“Është shumë emocionuese. Kosova është një shtet i ri në nivele të ndryshme dhe me popullsi të re dhe teknologjia mund të jetë një ndër mjetet që do të përdorin për të treguar historitë e tyre. Ky është një inspirim i madh që ne duam të trajtojmë këtu”, ka thënë Welzenbach për zbarkimin e tyre në Prishtinë me anë të kësaj ekspozite. “Është një medium interesant të punojmë me art, teknologji dhe shoqëri. Para një viti na pyetën se a dëshironi të bashkëpunoni me ne në Kosovë dhe ‘Ars Electronic’ e njeh potencialin e madh të të qenit prezent në Kosovë dhe ishte e qartë se ne donim të bashkëpunonim”, ka thënë ajo.
Kontakti me veprat e tilla artistike duket se pati impakt pozitiv tek vizitorët të cilët i bëri kurioz për t’i provuar këto efekte teknologjike. Habia dhe shpjegimi qenë ato që i kaplonin menjëherë pasi i provonin. Të rëndësishme dhe me një efekt të mirë e pa edhe artistja Laureta Hajrullahu e cila është po ashtu artiste e veprës digjitale “Flat Options” të ekspozuar në bienalen nomade “Manifesta 14” verën e kaluar, e në mars të këtij viti në ekspozitën “Ato”.
“Po më duket interesante, sepse shumica e tyre janë filtra të cilët ne i përdorim edhe në rrjete sociale. Mirëpo ne ato i përdorim për me ndryshu ose me u përshtat me atë se si duam të dukemi në shoqëri. Çka ka bërë artistja është se i ka marrë këto gjëra të vogla që ne i përdorim çdo ditë dhe i ka shndërruar në diçka që mund ta ndryshojnë emocionalisht dikë. I ka shndërruar në mjete që bëjnë ndryshim emocional”, ka thënë Hajrullahu.
“Forehead Vulva Channeling Research” është vetëm, njëra nga katër ekspozitat në “Galerinë 17” në kuadër të serisë “Techne”. Do të jetë e hapur deri më 22 qershor.