Teatri i qytetit të Gjilanit nuk e ka përgatitur premierën tradicionale për ta shfaqur në edicionin e njëzet e tetë të festivalit të dramës shqipe “Talia e flakës”.
Provat e shfaqjes “Kërkuesit” me regji të Blerta Nezirajt, që ishin nisur javë më parë për t’u inskenuar janë ndërprerë, për shkak të problemeve të pagave ndaj aktorëve, raporton “Express” i KTV-së.
Aktorët e teatrit të Gjilanit në këtë manifestim kulturor do ta inskenojnë komedinë “I vetëm në banesë” të regjisores Natyra Kallaba.
Si organizatore e njërit prej manifestimeve më të rëndësishme kulturore të vendit, Komuna e Gjilanit ka ndarë pesëdhjetë e gjashtë mijë euro për organizimin e edicionit të njëzet e tetët të Festivalit “Flaka e Janarit”.
Me këto mjete financiare, Drejtoresha e Kulturës në këtë komunë, Shpresa Hajdari, deklaron se në këtë manifestim do të prezantohen vlerat më të larta skenike dhe artit pamor kombëtar.
Të mërkurën e njëzet e tre janarit pritet të fillojë Festivali i dramës origjinale shqipe.
“I ligu për mend”; “Kreonët e ballkanit”; “Hipokritët ose pacienti anglez”; si dhe “Kur hana del” do të prezantohen përballë gjilanasve, ndërsa ato do të jenë në konkurrencë për dy çmimet kryesore: “Drama Origjinale” dhe “Shfaqja më e mirë”.
Aktivitetet e manifestimit “Flaka e Janarit” do të përfundojnë orën e madhe letrare “Pena e Flakës”.