Qysh në rrugëtimin e saj, nga Turqia në Kosovë, ku jeton tash e një vit, ka diçka që zbërthehet në ekspozitën që ajo ka hapur në Prishtinë. Gamze Şiriner e ka titulluar “Të ndarë”. S’ka një vijë ndarëse midis dallimeve e të përbashkëtave. Krejt bashkë, portretet e saj duket sikur komunikojnë me njëri-tjetrin në kërkim identitetesh
Portretet janë të veshura me ngjyra në kontraste. ndryshme. As qëndrimin nuk e kanë të njëjtë. Personazhet që duket se u përkasin moshave të ndryshme, vende-vende kanë shenja që zbërthejnë se preokupimet nuk i kanë të njëjta. Ka disa ditë që ato ia kanë shtuar edhe më koloritin galerisë “Monet”, në kryeqytet.
Artistja nga Turqia, Gamze Şiriner, ekspozitën e saj e ka titulluar “Të ndarë” për një arsye: përveç që shpreh dallimet, bën bashkë edhe individualitet e njeriut. Ka më shumë se një vit që Şiriner e ka lënë Turqinë dhe jeton në Kosovë. Këtu ka hapur edhe një atelie ku vazhdimisht gjen inspirimin për të punuar. Në çdo portret, ajo gdhend perceptimet nga përditshmëria dhe e kaluara. Të gjitha punimet e saj janë një reflektim mbi ndarjet dhe të përbashkëtat. Ani pse në Kosovë ndihet si në shtëpi, megjithatë, kjo periudhë e ka bërë të reflektojë.
“Në Kosovë nuk ndihem e huaj, meqë shumë i ngjan Turqisë. Njerëzit janë shumë të mirë dhe mikpritës, jam mësuar këtu shumë lehtë”, ka treguar Şiriner, e cila gjatë qëndrimit në Kosovë po mundohet të njihet më për së afërmi edhe me zhvillimin e jetës kulturore këtu. I kishte interesuar edhe galeria “Monet” në Prishtinë ku e kishte takuar skulptorin dhe pronarin e saj, Veli Blakçori. Ftesa për të në galerinë e artistes, turke rezultoi gjithsesi me hapjen e ekspozitës “Devided”.

Artistja nga Turqia në art shprehet me teknikën e saj të veçantë në pikturën njëngjyrëshe që shkëputet në mënyrë drastike nga kompozimi klasik. Në pikturat e saj, ajo rrallë e hiç, përdor brushat për pikturim.
“Lidhur me teknikën e punës, e kam gjetur unë, është teknikë ndryshe. Punoj me ngjyra vaji. Së pari përgatis teksturën, është interesante që duke mbështjellë gishtin me pe (konop) e ngjyej në ngjyrë dhe pastaj punoj. Shumë pak i përdor brushat e pikturimit”, ka thënë ajo për KOHËN.
Gamze Şiriner, e lindur në Ankara, ka diplomuar në Fakultetin e Arteve të Bukura të Universitetit Hacettepe, Departamenti i Pikturës, Şiriner punoi në Drejtorinë e Artit Pamor të Korporatës Turke të Radios dhe Televizionit (TRT). Gjatë këtyre viteve iu bashkua ekspozitave grupore të pikturës dhe qeramikës. Şiriner themeloi atelienë e saj në 2011.
Portretet që janë subjekt i punimeve të saj me shkas kanë ngjyra të ndryshme. Portretet e saj ani pse dallojnë, ngjyrat janë element parësor i secilës prej tyre. Artistja Şiriner përmes ngjyrës përpiqet të shpreh individualitetin që e karakterizon secilin njeri.
“Njerëzit janë të ndryshëm, pra dallojnë, kanë ndjenja të ndryshme. Prandaj, përzgjedh të përdorë ngjyra të llojllojshme. Secila ngjyrë sjell ndjenjë tjetër”, ka shpjeguar tutje ajo.
Artistja nga Ankaraja, Gamze Şiriner pikturon ndarjen midis roleve të ndryshme, ndaj të cilave individi bashkëkohor është tjetërsuar. Duke i bazuar portretet në imagjinatën e saj, mundohet të shprehë botën e brendshme të njerëzve të ndryshëm. Me çdo pikturë mundohet të shprehë një aspekt të veçantë të njeriut.
“Të gjithë kemi identitete të ndryshme: të qenët nënë, në punë, si bashkëshort, fëmijë. Pra, ne dëshirojmë që këto identitete të jenë të mira, të suksesshme. Mirëpo në ditët e sotme, në kohë kapitalizmi, kur jetojmë shpejt dhe me presione të ndryshme, shumicën e këtyre s'mund t’i përjetësojmë ashtu si duam. Prandaj, mendoj që kjo na shpie në një lloj ndarjeje”, ka thënë ajo. Merr veten si shembull dhe të shkëputurit nga vendlindja e saj Turqia. Të jetuarit në Kosovë sipas saj, është një ndjenjë më vete, andaj edhe i ka lindur koncepti i ekspozitës nën titullin “Të ndarë”.
Gazetari nga Greqia, Ragip Duran, është njëri nga vizitorët e galerisë “Monet”. Sipas tij, Gamze në këtë ekspozitë ka arritur të bëjë bashkë realen dhe imagjinatën. Në pikturat e saj në Kosovë, ai thotë se e dallon qartë atmosferën e artistes që lidhet me vendin ku ajo jeton në Kosovë apo Turqi dhe në anën tjetër, e sheh dëshirën e saj për të fuqizuar individualitetin.
“Në çdo buzëqeshje dhe në çdo shikim mund ta shohësh individualitetin e tyre. Edhe titulli tregon ‘E ndarë’, që lidhet edhe me Turqinë që është e ndarë. Të gjithë ne jemi të ndarë në identitete të ndryshme. Është një ekspozitë realiste dhe mund të tregojë se çfarë ndodh në imagjinatën e Gamzes”, ka thënë Duran për KOHËN.
Ekspozita “Të ndarë” do të qëndrojë e hapur deri më 22 prill në galerinë “Monet” në kryeqytet. Gamze Şiriner është duke shikuar për mundësi të reja për të ekspozuar teksa në Kosovë po gjen lirinë e saj krijuese si artiste.