Kulturë

Të fshehtat prapa një krehri hedhin dritë në mesjetë

Krehrat e vikingëve

Krehrat u krijuan në Skandinavi dhe ata tregojnë praninë e vikingëve në Ipswich në fund të shekullit të 9-të, i cili ra nën sundimin e vikingëve në vitin 869 pas erës sonë

Një koleksion i krehrave të vikingëve, sipas arkeologëve, është zbulim “i jashtëzakonshëm dhe unik”. Nëpërmjet tyre kuptohet prania e vikingëve në qytezën Ipswich të Anglisë në fund të shekullit të 9-të. Me rreth 40 gërmime gjatë 20 vjetëve të fundit, mund të ndërtohet një tablo bindëse e rolit që ka luajtur ky qytet në jetën mesjetare

Gjetje të brirëve dhe kockave u zbuluan në Ipswich, Suffolk të Anglisë gjatë 40 gërmimeve gjatë 20 vjetëve. Ian Riddler dhe Nicola Trzaska-Nartowski kanë thënë se gjatë këtyre gërmimeve u gjetën “një numër i  jashtëzakonshëm i krehrave vikingë, të cilët nuk gjenden në asnjë vend tjetër”. 

Nëpërmjet tyre kuptohet prania e vikingëve në  qytezën Ipswich në fund të shekullit të 9-të.
Riddler dhe Trzaska-Nartowski janë dy nga autorët e një analize të botuar së fundmi të 1 mijë e 341 gjetjeve dhe 2 mijë e 400 fragmenteve të gjetjeve të zbuluara gjatë gërmimeve midis viteve 1974 dhe 1994.

“Ishte gjithmonë qëllimi ynë që libri të kishte një pamje evropiane dhe të vendoste Ipswich në qendër të një bote të hershme mesjetare që zhvillonte një zanat krejt të veçantë”, kanë thënë ata duke komentuar publikimin e tyre të fundit. “Ka disa gjetje që tregojnë lidhje jashtë vendit, veçanërisht me Francën veriore, Frisia  (ajo që ne e njohim tani si pjesë e Holandës, Gjermanisë dhe Danimarkës) dhe në jug të Skandinavisë jugore”.

Krehrat ishin krijuar nga fragmente të bririt të drerit të kuq, megjithëse disa ishin bërë edhe nga kockat, duke përfshirë ato të balenës

Qyteza e Ipswichit u themelua si një port tregtar anglo-sakson në vazhdën e rënies së Perandorisë Romake dhe përparoi nëpërmjet tregtisë detare me Evropën.

Krehrat u krijuan në Skandinavi dhe ato tregojnë praninë e vikingëve në Ipswich në fund të shekullit të 9-të, i cili ra nën sundimin e vikingëve në vitin 869 pas erës sonë.

Këta krehër, sipas  Shërbimit Arkeologjik të Këshillit të Qarkut Suffolk, u punuan gjithashtu në qytet dhe kishin “forma të veçanta lokale”.

Shumica ishin krijuar nga fragmente të bririt të drerit të kuq, megjithëse disa ishin bërë edhe nga kockat, duke përfshirë edhe ato të balenës.

Kallëpet e karficave, kunjat, skajet e rripave, pajisjet e endjes dhe prodhimit të tekstilit, si dhe disa pjesë të lojërave –  që pasqyrojnë entuziazmin e vikingëve për lojërat e tavolinës –  u ekzaminuan gjithashtu.

“Me një koleksion gjetjesh të cilat qëndrojnë të izoluara, ne mund të mos kemi mundësinë që të kuptojmë rëndësinë e tyre”, ka thënë Melanie Vigo di Gallidoro, anëtare e kabinetit të Këshillit të Qarkut Suffolk për peizazhet e mbrojtura dhe arkeologjinë. “Por në këtë rast, me rreth 40 gërmime në Ipswich gjatë 20 vjetëve të fundit, ne mund të ndërtojmë një tablo bindëse të rolit që ka luajtur ky qytet në jetën mesjetare”.

Will Fletcher, drejtues i ekipit të këshillimit të zhvillimit të Anglisë lindore, ka thënë se kjo gjetje ishte “një pasqyrë magjepsëse në historinë mesjetare të Ipswich... dhe shtrirjen përtej Detit të Veriut”.

Marrë nga BBC. Përktheu: Enis Bytyqi