Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Tatuazhe unike në mumien 800 vjet të vjetër

Tatuazhe unike në mumien 800 vjet të vjetër

Tatuazhet e gjetura në fytyrën dhe krahun e mumies së Amerikës së Jugut janë krejtësisht të ndryshme nga çdo dëshmi tjetër e njohur i artit të lashtë të trupit

Një ekip ndërkombëtar i antropologëve, ekspertëve të trashëgimisë kulturore dhe analistëve laboratorikë, kanë gjetur tatuazhe të papara më parë në fytyrën dhe krahun e një mumieje 800-vjeçare të Andeve. Studimi u botua në “Journal of Cultural Heritage”.

Tatuazhet e gjetura në fytyrën dhe krahun mumies së Amerikës së Jugut, janë krejtësisht të ndryshme nga çdo dëshmi tjetër e njohur i artit të lashtë të trupit. Duke përshkruar tatuazhet në studimin e ri, studiuesit thonë se dizajnet janë unike jo vetëm në përbërjen e tyre, por edhe në llojin e bojës së përdorur për t’i krijuar ato.

E ekspozuar aktualisht në Muzeun e Antropologjisë dhe Etnografisë të Universitetit të Torinos, mumia femër besohet se ka jetuar në Ande rreth tetë shekuj më parë. Duke pasur parasysh pozicionin e përkulur të trupit dhe praninë e fragmenteve të tekstilit në lëkurë, autorët e studimit besojnë se gruaja ishte vendosur në një pozicion të përkulur, ulur me këmbët e saj të tërhequra deri në mjekër dhe kështu u mumifikua natyrshëm në ajër të hapur. Ajo ishte e mbështjellë në një tekstil – një mbështjellëse tipike në Ande (fardo). Mumia iu dhurua muzeut në fillim të viteve 1930.

Datimi me radiokarbon i këtyre tekstileve dëshmoi se gruaja e mumifikuar vdiq diku midis viteve 1215 dhe 1382 të erës sonë. Përderisa disa nga tatuazhet e saj janë të dukshme me sy, të tjerat duhej të zbuloheshin duke përdorur metoda të teknologjisë së lartë. Befasisht, rezultoi se gruaja kishte tatuazhe në faqen e saj të djathtë, në formën e tri vijave të drejta të shtrira gjerësisht nga goja deri te veshi.

“Në përgjithësi, shenjat në lëkurë të fytyrës hasen rrallë në mesin e grupeve të rajonit të lashtë të Andeve, madje edhe më të rralla në faqe”, shkruajnë autorët e studimit. Ndërkaq, dizajni i thjeshtë në formë S-je në kyçin e dorës së djathtë të mumies është përshkruar si “tatuazh unik për rajonin e Andeve” dhe studiuesit kanë shpjeguar se deri më tani nuk janë gjetur tatuazhe të ngjashme në trupa të mumifikuar.

E ekspozuar aktualisht në Muzeun e Antropologjisë dhe Etnografisë të Universitetit të Torinos, mumia femër besohet se ka jetuar në Ande rreth tetë shekuj më parë

“Për sa i përket klasifikimit kulturor bazuar në shenjat e lëkurës, gjetjet nga mumia e Torinos janë unike”, shtojnë autorët. Për këtë ata nuk janë në gjendje të japin ndonjë përfundim për qëllimin ose kuptimin e tatuazheve, megjithëse fakti që ato ndodhen në pjesë shumë të dukshme të trupit mund të sugjerojë se ato kishin një funksion dekorativ ose komunikimi.

Edhe Vizionarja e artit që la gjurmën e saj me gjak, pendë e barut Kulturë Vizionarja e artit që la gjurmën e saj me gjak, pendë e barut

Duke përdorur një sërë teknikash të analizës kimike, autorët e studimit ishin gjithashtu në gjendje të zbulonin se tatuazhet ishin bërë me një pigment të përfituar nga një mineral hekuri i quajtur magnetit, si dhe minerale silikate të quajtura piroksene. Në të kundërt, qymyri i cili ishte deri tani pigmenti i zi më i zakonshëm i përdorur në tatuazhet e lashta, çuditërisht mungonte në bojë.

“Për aq sa është arritur të konstatohet, përdorimi i pigmentit të zi për tatuazhe të përfituar nga magnetiti, nuk është gjetur ende në mumiet e Amerikës së Jugut”, shkruajnë studiuesit, duke shtuar se “identifikimi i piroksenit si pigment tatuazhi është edhe më i rrallë”.

Tatuazhet ka të ngjarë të ishin të rëndësishme për këtë grua ose komunitetin e saj, pasi ato ishin në vende të dallueshme.