Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Tate Modern” ringjall një pjesë të panjohur të historisë

Ka pasur ngjarje të shumta me të cilat është shënuar njëqindvjetori i Luftës së Parë Botërore, por Afrika e ka një përkujtim të rrallë. Si pjesë e përpjekjes së luftës, fuqitë koloniale kishin shfrytëzuar qindra-mijëra afrikanë si transportues të ngarkesave të rënda nëpër distanca të mëdha.

Tani, një vepër e re e guximshme teatrore në “Tate Modern” në Londër është duke e rrëfyer këtë histori, transmeton “Koha Ditore” shkrimin e BBC. Vepra e artistit nga Afrika Jugore, William Kentridge, shpeshherë është dukur e vështirë për t’u klasifikuar – ai merret me një sërë vizatimesh e animacionesh, por shfaqja e titulluar “Head and Load” mund të jetë më pak e klasifikueshme sesa shumica.

Kompozitorët Thuthuka Sibisi dhe Philip Miller i janë bashkuar Kentridges për të krijuar një vepër të jashtëzakonshme për aktorë dhe këngëtarë, që ngjall një episod krejtësisht të panjohur të historisë.

William Kentridge thotë se numri i afrikanëve të vendosur në tokën afrikane midis viteve 1915 e 1918 nga kombet luftarake të Evropës ishte i madh.

“Ndërmjet një dhe dy milionë afrikanë ishin përfshirë në Luftën e Parë Botërore, por pak prej tyre ishin ushtarë. Fillimisht, po flasim për bartës apo transportues”.

Edhe Tapiceria njëmijëvjeçare, një prej artefakteve më të çmueshme në botë Kulturë Tapiceria njëmijëvjeçare, një prej artefakteve më të çmueshme në botë

“Lufta evropiane kishte një jehonë më të madhe në Afrikë sesa që mund ta mendojnë njerëzit, sepse vendet që luftonin i kishin kolonitë e tyre”, ka shtuar ai. Deri në vitin 1914, Belgjika, Franca, Gjermania, Italia, Portugalia dhe Spanja, të gjitha kishin fituar nga një pjesë të Afrikës. Interesat më të mëdha të Berlinit shtrihen në pjesën gjermane të Afrikës Lindore (sot e njohur si Tanzania dhe Ruanda) dhe në pjesën gjermane të Afrikës Jugperëndimore (Namibia e sotme). Britania dhe aleatët e saj ishin të bindur që Gjermania e pas luftës do të humbiste zotërimet e saja afrikane.

Projekti i ri artistik, në origjinë mbështetet në mungesën e njohurive të Kentridge për të gjithë këtë proces. Këtë e pranon vetë ai.

“Mendoj që afrikanët e bardhë të gjeneratës sime janë rritur duke lexuar Wilfred Owen dhe ‘All Quiet on the Western Front’: kjo na ka kufizuar imazhin tonë për luftën”, ka thënë ai. Disa nga sekuencat më impresive në skenë ringjallin kujtimet e transportuesve teksa në këmbë bartnin të gjitha ato gjëra që nevojiteshin për luftë.

“Kafshët bartëse nuk përdoreshin më, kështu që në vend se t’i vinin gjërat mbi shpinë të mushkave, që mund të dëmtoheshin, ata i vinin mbi shpinën e burrave. Për ta transportuar një anije nuk kishte linjë hekurudhe dhe ajo mund të thyhej në mijëra pjesë. Kësisoj, bartej nga qeniet njerëzore. Gjendja e transportuesve me ngjyrë ishte e zorshme dhe udhëtimet që duhej t’i bënin ishin thuajse vdekjeprurëse”.

Bashkëkompozitor dhe drejtor muzike i këtij projekti është Thuthuka Sibisi. Ai thotë se konflikti ndërmjet fuqive evropiane dhe takimet e tyre me kulturat evropiane japin një paletë të pasur muzikore, me të cilën është punuar.

“Është një kolazh muzikor – ose ajo që në shtëpi do të mundë ta quanim një gjellë ‘masala’ e përzier”, ka thënë ai.

“Ushtarët me ngjyrë kishin luftuar për kolonitë britanike – ose për ato gjermane apo belge. Kështu që kjo është një bisedë shumë komplekse së cilës i referohemi me muzikë: gjërat janë duke u kthyer në vend të vet përgjithmonë”.

“Ju mund ta keni një rrëfim afrikan të luftës, i cili më pastaj shkelet nga modernizmi perëndimor – apo një vals i bukur mund të vijë nga Vjena a Parisi, që përfshin edhe një himn afrikan me vete”.

Edhe “Tate Modern” – 25 vjet shtëpi e artit modern dhe bashkëkohor Kulturë “Tate Modern” – 25 vjet shtëpi e artit modern dhe bashkëkohor

Bashkëkompozitori Philip Miller thotë se ata e kanë pasur një fushë të mrekullueshme kreativiteti për të luajtur në të.

“Kemi moment kur ka biseda ndërmjet zhanreve muzikore, që janë thuajse gati përplasje”, ka thënë ai.

Miller dhe Sibisi e kanë krijuar një sekuencë prekëse në të cilën “God Save the King” këndohet në skenë – në fillim nga zëri solo i një sopranoje dhe më pastaj edhe me kor.

“Kemi vendosur që nuk mund ta këndonim këtë pjesë sikur të ishim duke interpretuar në një katedrale në Angli. E shpërbëmë dhe e përfunduam me diçka si folk-muzikë ‘zulu’”. Vepra do të shfaqet edhe në Gjermani e New York, por William Kentridge thotë që ai është i kënaqur që premierën e ka pasur në një sallë të madhe në “Tate Modern”.

“Skena në Londër është 55 metra e gjatë dhe është gjigante, por kemi një rrëfim të madh për ta treguar dhe pjesërisht lidhet me procesin e gjatë të luftës – kështu që hapësira është e shfrytëzueshme”, thotë ai.

“Tate Modern” shpeshherë mbushet me bukurinë e zërit njerëzor – por Kentridge thotë se ngjarjet e përshkruara aty burojnë nga realiteti i ashpër politik.

“Ka një mënyrë në të cilën për Afrikën, Lufta e Parë Botërore ishte vërtet një përfundim i Konferencës së Berlinit të 1880-s. Kjo ishte kur fuqitë evropiane e copëtuan Afrikën për nevojat e tyre. Pastaj në Luftën e Parë Botërore, Gjermania u shpërbë krejt dhe ne tregojmë një pjesë të kësaj në skenë”. Sugjerohet se rreth 100 mijë burra kishin vdekur si transportues për gjermanët – dhe po aq edhe për britanikët. Por nuk ka shifra të pranuara në mënyrë universale.

Vepra tregon që disa besonin që besnikëria e dëshmuar gjatë luftës mund të sillte hapa drejt pavarësisë, me përfundimin e luftës. Kjo nuk ndodhi asnjëherë – sado që një prej personazhëve kryesorë të shfaqjes është protestuesi anti-kolonial, John Chilembwe.

Edhe “Tate Modern” ndryshoi Londrën, 25 vjet pas themelimit përballë krizës Kulturë “Tate Modern” ndryshoi Londrën, 25 vjet pas themelimit përballë krizës

William Kentridge thotë që efekti i vërtetë i mirë erdhi pas luftës.

“Liderët e Afrikës menduan që nëse merrnin pjesë në luftë, do të kishin më shumë të drejta për tokën, do të trajtoheshin më mirë dhe se Afrika do të fillonte të ndryshonte. Pra ka pasur përpjekje të para që Afrika të meritonte më shumë. Në shfaqjen ‘Head and Load’ ne e shfaqim këtë fillim – por ende kishte pasur rrugë të gjatë për ta bërë”.