“Tate Modern”, galeria që ndihmoi vendosjen e Londrës në hartën e lokacioneve kulturore dhe artistike, feston çerekshekullin prej kur hapi dyert për publikun. Prej 9 deri më 12 maj, “Tate Modern” u ofroi të gjithë njerëzve mundësinë për të shijuar artin më të mirë modern dhe bashkëkohor, krahas muzikës live, performancave, diskutimeve, punëtorive dhe turneve
“Tate Modern” në Londër, hapi dyert për publikun më 12 maj të vitit 2000. Sot, 25 vjet më vonë është një nga galeritë më të njohura në botë për artin modern dhe bashkëkohor.
Galeria transformoi termocentralin “Bankside” në brigjet e lumit Thames, i cili dikur strehonte turbinat gjigante që ndriçonin Londrën pas Luftës së Dytë Botërore. Arkitektët zviceranë, Herzog dhe de Meuron, e kthyen këtë hapësirë industriale në një shtëpi plot gjallëri, për disa nga veprat më me ndikim të artit ndër vite.
Holli i dikurshëm i turbinave shtrihet përgjatë gjithë ndërtesës së madhe, duke krijuar hyrjen e galerisë.
Instalacioni me titull “Maman” – që është një merimangë gjigante femër – ishte vepra e parë artistike që priti vizitorët kur hynin në ndërtesë dhe është rikthyer në hollin e Turbinave me rastin e shënimit të 25-vjetorit të galerisë.
“Vepra ‘Maman’ ishte këtu në vitin 2000 kur u hap galeria, ndaj e sollëm përsëri për të shënuar këtë përvjetor. Është kjo merimangë mahnitëse që qëndron mbi ne, por gjithashtu edhe një festë e feminitetit”, ka thënë Karin Hindsbo, drejtoreshë e galerisë “Tate Modern”.

Galeria ka instaluar gjithashtu një shteg të ri me 25 vepra kyçe duke përfshirë pikturën “Marilyn Diptych” të artistit Andy Warhol dhe veprën surrealiste “Lobster Telephone”, të artistit Salvador Dalí.
Por janë instalacionet gjigante në hyrjen e muzeut ato që kanë tërhequr më shumë vëmendjen e publikut.
“Çdo artist që është ftuar të realizojë komisionin në hollin e Turbinave, Komisionin Hyundai, ka reflektuar në mënyra të ndryshme mbi historinë e kësaj ndërtese dhe faktin që dikur ishte një termocentral, mbi arkitekturën, përmasat dhe vendndodhjen pranë lumit Thames. Ka pasur mënyra të mahnitshme se si artistët janë përballur me këto elemente”, ka thënë Catherine Wood, kuratore kryesore e galerisë “Tate Modern”.
Komisioni vjetor Hyundai u jep mundësinë artistëve të pushtojnë hapësirën gjigante të hollit të Turbinave.
Në vitin 2017, kolektivi danez i artit “Superflex” instaloi një instalacion ndërveprues në shkallë të gjerë: një lavjerrës hipnotik dhe një linjë portokalli që lidhte disa kolovajze me tri ulëse që kalonin përmes sallës. Në vitin 2019, artistja Kara Walker solli një skulpturë monumentale që ritregonte historinë e tregtisë transatlantike të skllevërve. Vepra mbresëlënëse ngriti pyetje mbi atë që kujtohet dhe atë që harrohet në monumentet publike. Në vitin 2022, Cecilia Vicuña prezantoi skulptura nga tekstili, njëzet metra të gjata, të varura nga tavani i hollit të Turbinave, të shoqëruara nga një peizazh zanor që trajtonte çështje mjedisore dhe dhunën ndaj popujve autoktonë. Në vitin 2024, artistja koreano-jugore Mire Lee prezantoi një instalacion të ri skulpturor, po ashtu i përmasave të mëdha. Vepra e artit e imagjinonte hollin e Turbinave si brendësi të një trupi të mbushur me “lëkurë” nga pëlhura, tuba silikoni të varur, zinxhirë dhe një turbinë që rrotullohet ngadalë.
“Mendoj se tani është vërtetë e vështirë të kujtosh Londrën para ekzistimit të galerisë ‘Tate Modern’. Ka pasur një ndikim shumë transformues. E dini, bota e artit bashkëkohor, tregu i artit, mundësitë për të studiuar artin, për të krijuar art në këtë qytet dhe në këtë vend janë përmirësuar jashtëzakonisht nga të kuptuarit e njerëzve për artin, përmes ‘Tate Modern’ dhe hapësirës që ne ofrojmë, për atë që shfaqim dhe si i ftojmë njerëzit të na vizitojnë. Por gjithashtu e ka vendosur Londrën në hartë ndërkombëtarisht”, ka thënë Wood.
Por edhe një institucioni si “Tate Modern” i është dashur të përballet me kohë të vështira.
“Asgjë nuk është pa sfida. Kemi pasur një pandemi pak vjet më parë. Kjo natyrisht ishte katastrofike në shumë mënyra, për shumë njerëz dhe institucione, por për një institucion si ‘Tate’, që mirëpriti miliona e miliona vizitorë dhe papritmas u mbyll dhe numri i vizitorëve ra nga pesë apo gjashtë milionë, në zero, padyshim që ishte mjaft dramatike. Kështu që ka marrë pak kohë për t’u rikuperuar”, ka thënë Hindsbo.
Festa një javore për 25-vjetorin e galerisë “Tate Modern” u zhvillua prej 9 deri më 12 maj.