Kulturë

Suzannah Lessard – shkrimtarja e guximshme e memoarit tronditës familjar

Suzannah Lessard në vitin 1996, në ballkonin e Players Club në Manhattan, i projektuar nga stërgjyshi i saj, Stanford White. (Foto: Marilynn K. Yee/The New York Times)

Suzannah Lessard në vitin 1996, në ballkonin e Players Club në Manhattan, i projektuar nga stërgjyshi i saj, Stanford White. (Foto: Marilynn K. Yee/The New York Times)

Suzannah Lessard, autore për “The New Yorker” dhe shkrimtare e cila shqyrtoi mënyrat se si njerëzit shënjohen nga vendi — dhe mënyrat se si ata, nga ana e tyre, e shënjojnë peizazhin — dhe memoari i së cilës, bestselleri “The Architect of Desire: Beauty and Danger in the Stanford White Family”, eksploroi historinë e errët të White, arkitektit të Epokës së Artë që ishte stërgjyshi i saj, vdiq në Manhattan. Ajo ishte 81 vjeç.

Vdekja e Lessard, në një spital, u shkaktua nga komplikime të kancerit endometrial, tregoi bashkëshortja e saj, Noel Brennan.

Lessard u rrit në një peizazh të jashtëzakonshëm, në një kompleks të shtrirë që familja e saj e quante “the Place” — pjesa më e madhe e të cilit ishte krijuar nga White — në St. James, një fshat i vogël në North Shore të Long Island, ku paraardhësit e saj ishin vendosur që në shekullin XVII.
Familja e zgjeruar White ishte artistike dhe aristokratike, me pemën familjare të mbushur me emra si Astor dhe Smith. Lessard, pesë motrat e saj dhe prindërit jetonin në një shtëpi ferme të shekullit XIX, të njohur si “Red Cottage”. Ajo kishte dysheme të pjerrëta, mure suvaje të arnuara dhe një atmosferë të tendosur, të krijuar kryesisht nga i ati, i cili kërkonte qetësi për punën e tij si kompozitor, si edhe koncesione të tjera, më brutale, nga vajzat e tij.

Qendra e kompleksit ishte Box Hill, një ndërtesë me çati trekëndore e projektuar nga White, i cili ishte i famshëm për pallatet Beaux-Arts që ai dhe firma e tij, McKim, Mead & White, krijuan për aristokracinë e re tregtare të Amerikës në fund të shekullit XIX dhe për skandalin e vdekjes së tij.
Në vitin 1906, ndërsa ndiqte një shfaqje muzikore në çatinë e Madison Square Garden, një nga monumentet e shumta të Manhattanit të projektuar prej tij, ai u qëllua për vdekje nga Harry K. Thaw, një milioner nga Pittsburghu me probleme mendore, bashkëshortja 21-vjeçare e të cilit, Evelyn Nesbit, ishte sulmuar seksualisht nga White kur ajo ishte 16 vjeçe.

Gjyqi i Thaw përfundoi me shpalljen e tij të pafajshëm për shkak të çmendurisë, por në thelb ishte një referendum mbi oreksin grabitqar të White, veçanërisht ndaj vajzave të reja, i pasqyruar me ethe nga shtypi si “gjyqi i shekullit”. Skandali dhe vetë White përmendeshin rrallë në “The Place”, megjithëse fama dhe arti i tij përshkonin atë gjeografi joshëse.

Por historia e tij, dhe ato të familjes ekscentrike dhe të paqëndrueshme të shkrimtares Lessard, ishin pjesë e mjedisit: Willie Chanler, i cili hidhte këmbën e tij prej druri për të tërhequr vëmendjen e një kamarieri; xhaxhai Johnny, i cili qëlloi një kalë sepse e ëma kishte përmendur se mbajtja e tij po bëhej e shtrenjtë; Amélie Rives, romanciere që ditën e kalonte në shtrat dhe nën qetësimin e morfinës dhe natën, e veshur me një mantel të bardhë, endej nëpër pyje, ku thuhej se ishte gati të qëllohej nga një shërbëtor që e kishte marrë për fantazmë.

Memoari i Lessard u shkrua gjatë dekadash. Ishte libri që ajo nuk arrinte ta shkruante, por që ndiente se duhej ta shkruante, dhe bllokimi krijues që përjetonte shpesh komprometonte punën e saj tjetër; për një pjesë të madhe të kohës kur luftonte me librin, ajo ishte autore në “The New Yorker”.
Lessard ishte rritur duke u ndier njëkohësisht e ushqyer nga bukuria e “The Place” dhe pesha e historive të tij. Duke shkruar librin, ajo u përpoq të zgjidhte rrënjët e kësaj brishtësie, duke zbuluar një trashëgimi sjelljesh shkatërruese dhe një kod heshtjeje që ishte transmetuar brez pas brezi.
“Nën sipërfaqen magjepsëse të Stanford White fshihet grabitja”, shkroi ajo. “Pas sofistikimit estetik të një interieri të Stanford White qëndron një forcë e verbër, lakmitare dhe e papërgjegjshme, si personale ashtu edhe e një klase të tërë, e një kombi të tërë jashtë kontrollit”.

Lessard nuk kishte folur kurrë më parë për mënyrën se si i ati e kishte vizituar në dhomën e saj të gjumit kur ajo ishte fëmijë. Megjithatë, në Ditën e Vitit të Ri të vitit 1989, njëra nga motrat e saj thirri një takim të motrave dhe, njëra pas tjetrës, secila rrëfeu se edhe ajo kishte përjetuar kontakte seksuale me të atin.

Me kalimin e viteve, secila ishte përpjekur ta bindte veten se këto përvoja nuk kishin qenë abuzim dhe se fëmijëritë e tyre kishin qenë të sigurta dhe se sjellja e të atit ishte disi normale. Kujtimet e tyre, më në fund të artikuluara, i dhanë Lessard “një ndjesi të ngjashme me thyerjen e barrierës së zërit”, shkroi ajo, “një jehonë psikike”. Ajo shtoi: “Me këtë, bota u ça, dhe brenda saj ishte bota”.

Deri atëherë, i tha “The New York Times” në vitin 1996, kur libri u botua, shkrimi i ishte dukur si një formë torture ose çmendurie.

Reagimi i familjes së gjerë të Lessard ishte më pak lavdërues. Disa kundërshtuan verifikimin e fakteve  Chanler hodhi këmbën e tij prej druri drejt një kamerieri, nuk ishte në Delmonico në New York, siç shkroi ajo, por në Maxim në Paris, për shembull — dhe protestuan ndaj nxjerrjes në dritë të shkeljeve të White, ndonëse sjelljet e tij famëkeqe vështirë se ishin sekret. Motrat Lessard dhe nëna e tyre ishin plotësisht mbështetëse.

“U përpoqëm të mos hynim në vijën e zjarrit”, tregoi motra e saj, Hester Lessard, në një intervistë.

“Ishte një kohë e vështirë për Sukin”, shtoi ajo, duke përdorur nofkën e Lessard. “Ajo u gjend e izoluar nga kjo familje e madhe, pjesë e së cilës kishte qenë për kaq gjatë.”

Me kalimin e kohës, qëndrimet ndryshuan, tregoi ajo: “Familja u zbut dhe u krenua me të. E vetmja shkëputje e qëndrueshme dhe e përhershme ishte mes Sukit dhe babait tim, dhe ajo kurrë nuk u shërua”.

Përveç motrës së saj Hester dhe Brennan, një ish-gjyqtare e emigracionit, Lessard la pas djalin e saj, Julian Soeiro, si edhe katër motra të tjera, Griselda Healy, Sophie, Laura dhe Jenny Lessard. Martesa e saj me David Soeiro përfundoi me divorc.

Pas rrëfimeve të motrave, familja hyri në terapi, por i ati pretendoi se nuk i mbante mend përvojat që ato përshkruanin. (Prindërit Lessard ishin divorcuar dekada më parë.) Lessard tregoi se ekspozimi i të atit në librin e saj nuk ishte një akt hakmarrjeje, por mbijetese.

“Nuk isha e gatshme të vdisja shpirtërisht dhe në krijimtari për t’ia kursyer këtë dhimbje babait tim”, i tregoi ajo “The Times”. “Kjo ishte thelbi. Më vjen vërtet, vërtet keq për dhimbjen, por nuk isha e gatshme të vdisja shpirtërisht. Nuk isha në gjendje të lulëzoja. Nuk isha në gjendje të kisha një jetë”.
Suzannah Terry Lessard lindi më 1 dhjetor 1944, në Smithtown, një qytet në Suffolk County, New York, i themeluar nga familja e stërgjyshes së saj. Nëna e saj, Alida (White) Lessard, këngëtare opere, ishte një nga tetë fëmijët e djalit të vetëm të Stanford White, Lawrence, i njohur si Larry. I ati, John Lessard, ishte nga Kalifornia.

Suzannah ndoqi Manhattanville College of the Sacred Heart (sot Manhattanville University) në Purchase, New York, një shkollë e vendosur në një kështjellë në stil francez, e projektuar, rastësisht nga Stanford White në vitin 1892. Ajo mori diplomën universitare në letërsi angleze nga School of General Studies e Universitetit të Columbias në vitin 1969.

Pas kolegjit, Lessard donte të bëhej poete dhe i dha vetes një vit për ta eksploruar këtë formë. Më pas iu kthye gazetarisë. Së bashku me John Rothchild dhe Taylor Branch, ajo ishte një nga redaktoret themeluese të “Washington Monthly”, revistë e themeluar në vitin 1969 nga Charles Peters për të sfiduar ortodoksitë politike dhe për t’i mbajtur politikanët përgjegjës.

Një nga artikujt e saj të parë ishte për lëvizjen e çlirimit “gay” një vit pas kryengritjes së Stonewallit. U botua në vitin 1970 me titullin “Gay Is Good for Us All”.

“Ishte jashtëzakonisht radikale për kohën”, ka thënë Branch në një intervistë. “Shkrimet e saj ishin gjithmonë thellësisht personale dhe të përqendruara te njerëzit, jo te politikat. Ajo merrte shumë kohë për të shkruar. E shqyrtonte një ide si një xhevahir”.

Në “The New Yorker”, ku iu bashkua në mesin e viteve ‘70, Lessard kishte një gamë mbresëlënëse: shkroi për Vietnamin dhe Luftën e Ftohtë; shkroi gjithashtu një meditim mbi pritjen, për foshnjën e saj, për ndërtimin e një shtëpie, për përfundimin e krizës së pengjeve në Iran. Shkroi për një qeramist që i mbijetoi burgjeve të Stalinit. Shkroi një histori sociale të dy lagjeve të Manhattanit të ndara nga “East 96th Street” në “Park Avenue”, një rrëfim i gjallë i pasurisë dhe mungesës.

“Ajo ishte një ekscentrike e vërtetë, në kuptimin më të mirë”, ka thënë mikja e saj Daphne Merkin, autore dhe eseiste. “Mendonte në mënyrë origjinale dhe bënte lidhje që nuk ishin menjëherë të dukshme. Endej në mendjen e saj, gjithmonë në kërkim të një konteksti më të gjerë”.

Libri më i fundit i Lessard, “The Absent Hand: Reimagining Our American Landscape” (2019), ishte një përmbledhje esesh në të cilat ajo thelloi gjeografitë e shtresëzuara të vendit, duke vërejtur aneminë e një dhome gjumi në një zinxhir hotelesh; historinë e ndërlikuar të Gettysburgut, Pensilvani; dhe gentrifikimin në pragjet e shtëpive në Brooklyn.

“Lidhja me vendin mbetet e thellë”, shkroi ajo, “duke prekur thelbin e qenies sonë. Peizazhi është pasqyra jonë, libri ynë i zbulesave, si gjithmonë. Këtu nis riorientimi”.