Për 48 orë imazhi i një shteti të izoluar u përmbys. Dua Lipa e Action Bronson gërshetuan duart për ta lartësuar shqiponjën në një skenë gjigante. Kënduan në shtëpi për t’ia vënë themelet e festivalit të titulluar sipas një lagjeje në kryeqytet. Nëpërmjet tyre bota e pa një tjetër Prishtinë e një tjetër Kosovë.
Energjia e spektaklit të përmasave botërore u shpërnda në 41 hektarë të Parkut të Gërmisë – që mori pamjen e vendeve ku mbahen festivale të tilla si “Glastonbury” – ku këngëtarë me nam në botë ndanë skenën me ata që muzikën e bëjnë në Kosovë, shkruan Koha Ditore.
Kufiri mes zhanreve muzikore u shkri. Në njëfarë forme, u shkri edhe ai që e ndan rininë kosovare me botën. Ndjesinë e përkatësisë e dha “Sunny Hill Festival” në dy net të edicionit të parë.
Mijëra veta në audiencën e dominuar nga të rinjtë iu përgjigjën thirrjes për t’u bërë pjesë e festivalit që ia ka vënë vetes një qëllim goxha sfidues: ta dërgojë një fotografi tjetër nga Kosova e pasluftës. E t’i ndryshojë kryetitujt e mediave që raportojnë për vendin e seancave paralamentare të përcjella me gaz lotjsellës, korrupsionin a odisenë e heqjes së vizave. Kjo, duke e theksuar një anë të fortë: suksesin e yjeve që po bëjnë nam në skenën e muzikës botërore e që kanë dalë bash prej këtij vendi të vogël... (Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)